FILANTROPISTËT E TIRANËS, NJË HISTORI NDRYSHE.

FILANTROPISTËT E TIRANËS, NJË HISTORI NDRYSHE
Nga Marsida T. Najdeni
22 gusht 2015

BOTKUPTIMI TIRONAS (1)

Në botëkuptimin e një autoktoni tiranas është turp të të përmendet emri kur bën bamirësi. Nëse lavdërohesh për diçka që ke bërë ta marrin për mburrje, pra tangërllëk. Kjo dukuri tek tiranasit i ka rrënjët e thella falë mentalitetit të ngulitur ndër breza. Të qënurit një tiranas mendjemadh sillte turp si për veten, por edhe për familjen. Familjet qytetare të pasura e kishin detyrim moral e shpirtërorë tu gjindeshin ekonomikisht të varfërve dhe nuk bëhej për të treguar karshillëk. Bëhej pa u mburrur dhe pa u dukur, thjesht në emër të shpirtit të mirë. Mirësinë e të parëve tanë po e marrim vesh vetëm tani pasi ata kurrë nuk donin t’iu reklamohej prej mentalitetit të lartpërmendur.

Pinjollët e familjes Petrela tregojnë sesi familja e Islam agë Petrelës në ditë duhet të shpërndante dhjetëra thasë miell dhe se kanapet e portës nuk mbylleshin kurrë. Histori të tjera janë si një familje pasur mbante me studime jasht një të ri ekonomikisht në vështirsi, psh: piktori i madh ndërkombtarë Ibrahim Kodra arriti të studionte në Itali falë bujarisë së familjes Beshiri. (1) Familje të tjera merrnin me banim për një afat kohe anëtarë nga familje të zonave përreth për t’i dhënë zanat, siç është rasti i familjes Tufina, e cila i dha zanatin e orëndreqësve vëllezërve kavajas, sot në Kavajë ajo familje në nder të tiranasve e ka mbiemrin Tufina paçka se nuk kanë lidhje farefisnore. (2) Apo histori sesi familjet e pasura e kishin detyrim që të martonin një numër të caktuar vajzash nga familjet e varfëra, pra t’i përgatitej paja dhe dasma, edhe duhej luftuar shumë mos merrej vesh se cila familje martonte cilën vajzë. “Ka burra Tirona ije, – tha Rexhep Lalmi – si kërkun n’Shqipni. Burra që nuk t’lojn kurrë vetëm, po t’gjinen mu aty ku nuk ta pret menia. Ta bojn nerin pa u ni dhe nuk dun ta morin vesht askërkushi se kush e ka bo.” (3) Kështu do t’shprehej Rexhep Lalmi mbasi një mëngjes në të gdhirë gjeti tek porta oborrit sepetin me pajën e të bijës. Ndërsa ndonjë tiranas tjetër me punë zyrtare nuk u merrte pagesën të varfërve. I tillë është rasti i avokatit Myhedin Llagami, i cili punonte falas për të varfërit. (4) Kryetari i Bashkisë së Tiranës Ali Bakiu, i pari mbas luftës dytë botërore, shkonte në punë me biçikletë dhe rrefuzonte automobilin për të mos patur shteti kosto të kota, kurse rrogën e vuri në shërbim të atyre familjeve të varfra. (5) Shteti do ta shpërblente duke e burgosur 25 vjet për idetë demokratike, mbasi në fillim e dënoi me pushkatim, por rreagimi popullor i qytetit të Tiranës bënë që të kthehej vendimi.

Screen Shot 2018-10-12 at 9.23.38 AM
I nderuari, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Ali Bakiu.
Mbase pikërisht prej këtij zakoni bujar albanologu austriak George Von Hahn në kujtimet e tija për Tiranën në mes të shek 19 do të shkruante se nuk pa vobektësi në këtë trevë. Nuk e di ku i ka rrënjët ky zakon kaq i theksuar tek tiranasit, mbase tek feja, e cila të mëson ta bësh të mirën dhe të ta di Zoti dhe jo robi (njeriu). Përgjigje nuk i jap dot, por di të them që të qenurit modest ishte një mënyrë e shëndoshë jetese për shoqërinë e Tiranës. Shkencëtari tiranas Osman Myderizi në librin e tij “Tirana 1604-1937” me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë flet qartë për virtytin e ngulitur thellë të humanizmit tek tiranasit, saqë përmend historinë se kur u ndërtua “Ura e Tabakëve” nga banorët e lagjes u bë pa përmendur emra konkretë, dëshirë kjo e vetë dhuruesve. E njëjta dukuri ndodhte dhe me “Urën e Terzinjve,” e cila u ndërtua me dhurimet e banorëve të lagjes, po ashtu pa iu përmendur emri. (6) Një bashkësi banorësh që jetonte në harmoni të plotë saqë rrefuzonin të dukeshin lart mbi tjetrin. Fakti se është e vështirë të gjesh dokumenta mbi mijëra bamirësitë rrjedh pikërisht nga ky botkuptim, i të bërit mirë në emër të ndihmesës për tjetrin dhe jo vënia e emrit në një listë letre me bojë të zezë. Në fshatin Mëzez dikur egzistonte një urë, e cila u prish nga çmenduria e demokracisë së rreme në Shqipërinë e këtij mijëvjeçari të ri. E pyes time më nëse e dinte përse banorët e thërrisnin “ura e Molit” dhe jo “ura e Mëzezit?” Ajo dhe pse tashmë gjyshe nuk e dinte. Sepse ura qe ndërtuar në shenjë bamirësie nga Ismail Tufina, i cili ka jetuar në treçerekun e parë të shek 19. Dihet që në dialektin tiranas Ismaili është Moli. Ime më nuk e dinte sepse kurrë në shtëpi s’qe ngrefosur njëri për këtë çështje. Aq të thjeshtë kanë qenë tironasit asaj kohe sa me të vërtetë e praktikonin në jetë shprehjen “bëje të mirën dhe hidhe në det.”
Klasa 7b Tirone 1938

Tiransit qytetarë autoktonë kokëfortësinë nuk e kanë huq. Ata njihen si njerëz shumë të dashur, të butë, edhe mikpritës. Njerëz që u pëlqen t’i zgjidhin gjërat me qetësi dhe pa shamatë. Një komunitet i karakterizuar nga humori dhe nga ndjenja toleruese karshi njëri tjetrit. Ata kanë një sedër të fortë dhe prandaj janë shumë të ndjeshëm kështu që mund t’i mbesë ndonjëhere hatri shpejt. Patriotizmin karshi vëllezërve të të njëjtit gjak e kanë treguar duke ia hapur portat dhe shpirtin shqiptarëve nga gjitha trevat. A ka formë më të lartë qytetarie se t’i falësh dashuri një bashkatdhetari? Ata dhe kur me pa të drejtë para 70 vitesh përziheshin nga shtëpitë e tyre në zemër të Tiranës për t’i mbushur me të ardhur shumica nga Jugu vazhduan dhe i donin shqiptarët. Edhe 25 vjeçarin e fundit ku me pa të drejtë i vidhet prona prej shqiptarëve shumica nga Veriu ata vazhdojnë dhe i duan bashkombasit e tyre. E ndjera tiransja nëndaja ime, edhe pse kishte kaluar një mori historish për t’i bërë film me të shoqin në burg, vjerrin në burg, të birin në burg, vëllain e vogël mbetur me studime jasht me izolimin e Shqipërisë dhe që nuk e pa për gjysëm shekulli, dy vëllezër të deklasuar si të diplomuar në Itali, pronat e pafundme të t’atit që ende sot zvarriten gjygjeve, pronat e pafundme tek i shoqi që ende po ashtu i gëzon bashkombasi gllabërues, kurrën e kurrës sa ishte gjallë nuk e përdori fjalën “jabanxhi.” Kurrë nuk tha një fjalë urryese për të rënurit në Tiranë, edhe pse në mes të natës këta të rënë e zvarritën prej krevatit me rrobat e trupit për mos ta parë më shtëpinë e nusërisë me dekada. Këta janë autoktonët e kryeqytetit, krejt paqësorë, edhe që ende vazhdojnë u bien në qafë nëpër libra. A nuk u lodhën vallë 70 vjet duke hedhur baltë mbi kryeqytetin e tyre?!

Ky lloj vesi për të shkelur me këmb Tiranën filloi me luftën e Partisë së Punës kundra qytetarëve vendali tiranas dhe me propagandën e saj se ishin “komunistët që e bënë këtë qytet.” Apo legjenda urbane turpërisht të trumpetuara nga ata që zbritën me opinga në Tiranë se gjasme “tiranasit ishin të prapambetur.” Kushdo që ka ardhur në Tiranë e ka derdhur djersë ndershmërisht afër mendjes që ka shtuar një tullë vlere në qytet. Veç mos mohoni vlerat që gjetët tek banorët. Shembull ilustrues: E prishën Pazarin (Çarshinë) e Vjetër si diçka që tregonte prapambetje. Atë Pazar (Çarshi) nuk e nganë as arkitektët italianë, të cilët e projektuan Tiranën moderne karshi asaj të vjetrës. Se mos vetëm në Tiranë, atë fund pati dhe Pazari (Çarshia) në Shkodër, Elbasan e tutje. Arroganca nuk është virtyt, por një ves i shëmtuar. U thonë tiranasve se ishin katundarë. Tirana ka patur qytetarë, dyer të mëdha, po ashtu shyqyr ka patur dhe tiranas katundarë. Gjithë qytetet e Shqipërisë kishin familjet e tyre qytetare, ose ndryshe “dyert e mëdha”, si dhe familjet katundare, po aq të nderuara në të drejtën e tyre për jetën. A vallë nuk ishte Shqipëria një katund i madh? Panoramanën e katundarëve të raskaptitur që shisnin përdhe e kam parë jo vetëm në foto të Tiranës, edhe të Shkodrës, Prizrenit, Shkupit, Gjirokastrës, Korçës, Vlorës etj. Kēshtu ishte ndërtuar jeta në Shqipërinë 500 vjeçare osmane. Panorama e fshatarëve të lodhur duke punuar me djersë për bukën e gojës është e pranishme në çdo qytet të Shqipërisë së asaj periudhe. Çfarë them dhe unë, është e pranishme dhe sot. Ta duash qytetin apo fshatin ku të ka bërë koka bum është mëse normale, kjo nuk të jep në mënyrë absolute të drejtën të ulësh një trevë tjetër.

Bahri Tufina.png
Piknik me biçikleta në rrethinë të Tiranës fotografuar nga im gjysh Bahri Tufina.

Unë mund të flas vetëm për Tiranën time, që e shoh se shumë shpesh i bien në qafë dhe duan t’ia ulin vleftën. Në të njëjtën kohë ia di dhe të metat e shkuara dhe të tanishme këtij qyteti. Tirana nuk ishte dhe as është Londra, por për aq sa ishte dhe është ka vleftën e saj të pamohueshme. “Edhe një plaçkë e hedhur tutje ka një histori për të treguar” – më thoshte shpesh im atë. Nuk mendoni se kryeqyteti juaj ka të drejtën për të treguar historinë e vet të pa cënuar? Mos harroni se as Shqipëria nuk ishte dhe as nuk është Britani e Madhe. Shqipëria vështruar nga jashtë ishte dhe është 1000 vjet mbrapa civilizimit perendimorë. Pra, nëse e vërejmë nga syri i një qytetari perendimorë ne jemi një anekdodë e pluhurosur. Prandaj epitetet “Parisi i vogël” apo “Venediku i vogël” parë nga aspekti i zhvillimit të Shqipërisë më duken shumë pa vend, nuk ngurroj të them që janë qesharake. Kërkoj ndjesë për ndonjë të ofenduar kokëfortë tipik albanez. Ne shqiptarët kemi qef të mburremi, të bëjmë kokoshin, edhe dimë shumë mirë t’i biem gjoksit me dorë. Para disa vitesh në një mbrëmje argëtuese miqsh shqiptarë dhe amerikanë një vajzë amerikane tha se “vizitova verën e shkuar Syrin e Kaltër, por u skandalizova nga rruga që të çonte për atje dhe nga era e rëndomtë kudo.” Edhe sot më 2015 ajo rrugë është katastrofë. Një djalë shqiptar nuk e mbajti dot këtë konstatim të opinionit të lirë nga amerikanja dhe ia ktheu, “Motër, t’i duhet të kishe vajtur në Vlorë, se Vlora është bërë si Miami.” Ne të gjithë qeshëm, sepse na u duk vërtetë një batutë e bukur thënë me dialektin karakteristik lab. Por kur u pa se labi e kishte kryekëput me seriozitet plasi një debat shumë i gjatë. Kokëfortësia virtyt i popujve të prapambetur. Vlora është e bukur, vërtetë! Lum ne që na fali perëndia bukuri natyrore si Vlora. E nga natyra ia kalon Miamit, por jo nga infrastruktura e zhvillimi urban. Se fundja, çfarë kemi bërë ne për ta bërë si Miami? I bie të them, Tirana është bërë si Milano. Sa “mirë” do të ishte të tregohen dhe tiranasit e urtë disi kokëfortë në një vend ku kokëfortësia vlerësohet si virtyt i lart njerëzor.

CILËSIA E BASHKJETESËS (2)

Ndër breza pafund kemi patur komshi një familje ortodokse tiranase. Nuk gënjej që për Bajram plaka e tyre e mbushte shtëpinë tonë me gjithë të mirat. Dashuri që i kthehej mbrapsht gjithmonë për Pashkë me të njëjtin përkushtim nga familja ime. Një harmoni shqiptare, të cilën sa herë e kallxoj për tu treguar miqve të mi të huaj mbi vlerat tona, krijon gjithmonë një rreagim krejt gojëhapur tek ata. Shpesh plaka e fqinjëve të mirë ortodoks tregonte se ishin pikërisht tiransit myslimanë, të cilët i kërkuan Kadiut të ndërtohej një kishë ortodokse për ta në zemër të qytetit.“Sot është e vështirë të rindërtohet panorama shoqërore e asaj se çfarë ndodhi me trevën e Tiranës pas shfarosjes sistematike që ushtritë osmane i bënë gjatë shek. XV popullatës së qarkut të Arbanës (episcopus Arbanensis), por dimë se me vendosjen e plotë të Pax Turcica-s, aty nga shek. XVII, u zhvillua bërthama urbane e Tiranës, me një përbërje krejtësisht muhamedane në qytet e me mikro-komunitete të krishtera në periferi (më tepër ortodokse se katolike – për arsye që dihen). Burimet dëshmojnë se komuniteti ortodoks, në ndryshim nga ai katolik, është i ardhur në trevë nga viset lindore, kryesisht përmes udhës së Mbretit (via Egnatia) duke pasur dhe mbështetjen e Mitropolisë së Durrësit. Në fakt, ortodoksëve të ardhur u qe lejuar të hapnin dyqane në pazarin e Tiranës për shkak të zotësive të përmendura të tyre në fushën e artizanatit. Dhe pikërisht nga krahu i pazarit, një të shtënë pushke larg, në drejtim të jugut, rrëzë kodrës së Pashës, aty nga viti 1787 bargjinollët mirënjohës ndaj ndihmës së ortodoksëve në mbrojtjen e Tiranës nga Kurt Pasha i Beratit, lejuan ndërtimin e kishës kushtuar shenjtit Prokop.” (7) A nuk është kjo mahnitëse? Voskopojarët dhe vllehët (llacifacit) gjetën në Tiranë shtëpinë e tyre të re ku janë dhe sot afro tre shekuj. Në librin “Kodiku i Kishës së Shën Prokopit (1818-1922)” të Dhimitër Bedulit janë emrat e tiranasve të krishterë dhe ndihmesa e tyre. “Nasi Voilla (250) groshë, Jano Tërba (100), Petri Koja (40), Mihal Janku (50)…” (8) Viti 1818 dhe lista ka 71 emra. Për mos të folur se dhe në 1874 kur u ndërtua kisha e Ungjillizmit dhurimet ishin krejt të vendalive ortodoksë, syresh dhe disa myslimanë. Për cilësinë e bashkjetesës si një frymë bashkuese që egzistonte në Tiranë kemi dhe historinë e katolikut Stefan Herceku, tiranasit i thonin “Çeç Herceku.” “Në gushtin e vitit 1891 Stefan Herceku hapi themelet për një shtëpi të re. Pasi kishte thirrur famullitarin e Tiranës për t’i bekuar themelet, më vonë ftoi dhe tre hoxhallarë për të kënduar duanë po përmbi këto themele.” (9)

 

kisha-ungjillizmit-1910.jpg
Kisha e Ungjillizmit në Tiranë 1910. E prishur në komunizëm.
Marrë nga libri “Tirana e Vjetër” të z. Gazmend Bakiut.

Ndjenja e vëlla dashurisë u shfaq dhe karshi dibranëve. Sot pinjollët e tyre, siç jam dhe unë nga babai im prej disa brezash në Tiranë, ndjehemi tironas puro në zemër dhe mentalitet falë dhembshurisë që diti të falë kjo trevë karshi të parëve tanë mbi 100 vjet të shkuar. Një asimilim krejt natyral dhe krejt biologjik falë mijra krushqive dhe historive të pafundme prekëse midis tiranasve dhe dibranëve. E mëpastaj e njëjta histori përsëritej me kosovarët, matjanët, përmetarët, çamët etj, të gjithë e bënë një fole të ngrohtë jetese në Tiranë. E si ndodh që sot ndjehemi kryekëput tironas? Sepse autoktonët treguan karshi nesh një humanizëm si rrallëherë më parë në trevat shqiptare. Im gjysh, Bahri Tufina, thoshte shpesh, “Kush nuk erdh m’Tiron e nuk u bo tirons,” duke dashur të tregonte sa zemër madhe është Tirana jonë. Ndërsa im gjysh, Vehbi Najdeni, do t’i linte tim eti një shprehi si trashigimi, që edhe gjyshit ia kishin thënë në familje, “Emigranti n’çdo cep t’botës me shku po dheh i hedhun ka me met (mbetur), nji pluhun qi e merr era. Kurse dibronët kon zon rronj n’Tiron fal shpirtit t’modh human të tironsave, qi i pritën dibronët kur qytete tjera i përzun. Pranej mallku ai dibron, qi nuk e do dhe nuk bo për kyt qytet”.(10) Bashkia e Tiranës para disa vitesh pati bërë një prezantim mbi faktin se si arriti Tirana të përballej aq mirë me mijëra dibranët rrefugjatë. Duke parë varfërinë e madhe në Shqipërinë e asaj kohe përgjigja gjehet pikërisht tek ky shpirti bujar karakteristik tiranas, ose thënë popullorshe, tek xhymertlliku tironsave. Kjo tregon qartë se tiransit ekonomikisht ishin mirë. Unë kam kushëri dhe miqësi me familje të mëdha dibrane tashmë prej disa brezash në Tiranë si familja Juca, Tomini, Erebara, Tërshana, Trenova, Gorenca, Zeraliu etj, të cilët betohen dhe sot për humanizmin e Tiranës. Familjen Najdeni e pati pritur familja tiranase Gjashta dhe nëse unë e refuzoj këtë i bie të refuzoj veten dhe gjestin bujar të Gjashtave. Ama, dibranët ditën t’i bëjnë vend vetes sepse ishin njerëz të ndershëm, e respektuan të zotin e shtëpisë, ishin puntorë. Nga ana tjetër nuk duhet të mohojmë se shumë tiranas u blenë toka apo i ndërtuan shtëpia dibranëve. Në shumë raste kjo u bë në formë bamirësie dhe në shumë raste të tjera familja dibrane ia paguante pak e nga pak borxhin. Sot egziston “Mëhalla e Dibranëve” në Tiranë. Apo siç ndodh me lagjen “Ali Demi” ku shumica e banorëve janë me origjinë çame. Po si e shihte e madhja Edith Durham Tiranën gjatë periudhës kur filluan të vinin dhe dibranët më 1904?

Berberhonia Gjyshit 25.12.1939.jpg
Im gjysh Vehbi Najdeni (majtas) në berberhone më 25 dhjetor 1939, Tiranë.

“Rruga nga Durrësi për në Tiranë është një rrugë qerresh vërtet e mirë, e vetmja që kam hasur që kur kalova kufirin turk disa muaj më parë. Kaluam nëpër një vend me emrin Shijak, që kishte nja pesëdhjetë shtëpi. Me rrugën e mirë, që e lidh me portin e Durrësit, Tirana (12000 banorë) është dukshëm e lulëzuar. Pazari ishte i mirë, ziente nga lëvizjet e fshatarëve me kostume krejt të ndryshme nga ato të Elbasanit. Bejlerët e sotëm të Tiranës, Toptanët që thonë se janë pasardhës të Topiajve të vjetër, gëzojnë popullaritet. Ata jo vetëm kanë ndërtuar rrugën me paratë e veta, por kanë importuar edhe vegla bujqësore e kanë sjellë specialistë nga Italia për t’i mësuar njerëzit si t’i përdorin. Njërin (bëhet fjalë për Murat Toptanin) e kanë dënuar me mërgim për veprimtari patriotike dhe populli e vajton. Toka është pjellore dhe punohet mirë, edhe rruga s’ishte e keqe, ndaj tregtia dhe eksporti po rriteshin shumë shpejt. Gjithë shtëpitë kishin kopshte të mëdha plot me qershi, fiq, ftonj, kumbulla dhe arra, dhe shumica kishin edhe vija uji. Qyteti ishte jashtëzakonisht i pastër dhe shumë piktoresk. Xhamitë ishin tej mase të bukura, ngjyra-ngjyra dhe të pikturuara me peisazhe të mrekullueshme. Tirana ishte parajsë për artistin dhe më erdhi shumë keq që s’rrija dot më shumë se tri ditë. Në Tiranë ka shumë pak të krishterë, por këta janë orthodoksë. Mësuesja e krishterë është e zgjuar dhe shumë punëtore, si të gjitha mësueset shqiptare, që takova këtu. Gratë me shkollë gëzojnë respekt të madh dhe shumë prej tyre janë të pavarura në mendime. Baballarët ngulnin këmbë që edhe vajzat të bëjnë po aq shkollë sa dhe djemtë. Edhe në fiset më të prapambetura me gjithë punët shumë të rënda mbi supe, gratë nuk janë aq të shtypura sa duken. Burrat i trajtojnë me një farë fisnikërie të ashpër dhe i respektojnë. Më qëlloi një herë të ndodhem në një shoqëri burrash, kur erdhi lajmi se në fshatin aty pranë një burrë kishte vrarë të shoqen, se kujtonte se e tradhtonte. Të gjithë u indinjuan e thanë se me siguri do kishte qenë i marrë. Nderi i gruas shqiptare është i panjollosur. Secili filloi të lëvdonte gruan dhe flisnin për martesë me një naivitet që do të tmerronte këdo në Perëndim, ndonëse asnjëri s’kishte parasysh ndonjë gjë të pahijshme. Ishin aq të vendosur për të drejtat e grave, saqë kur më pyetën dhe u thashë se në Angli kishte ende universitete që nuk u jepnin grave grada shkencore, u revoltuan duke thënë se kjo ishte e padrejtë, absurde dhe aspak e qytetëruar. Në Tiranë të gjithë më pritën mirë, përveç kajmekamit, që më dha të kuptoja se prania ime ishte e padëshirueshme. Dërgoi policin për të më pyetur se çfarë shkruaja gjithë ditën. Atë ditë kisha ndenjur në dritare duke pikturuar.”(12) Fjalë që nuk kanë nevojë për koment.

Image result for brenga e ballkanit edith durham
Znj. Edith Durham

Humanizmin e shpirtit tiranas prej shqiptarëve të vërtetë, që rrjedh nga cilësia e bashkjetesës, e provuan dhe hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore. Në librin “Rescue in Albania / Shpëtimi në Shqipëri” nga Dr. Harvey Sarner, i cili njihet nga shteti i Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara si ndër kontribuesit më të mëdhenj të çështjes midis shqiptarëve dhe hebrenjve, në Universitetin Hebre të Jeruzalemit kemi rastin e tre tiranasve. Ndër të paktët shqiptarë që kanë marrë çmimin më të lart nga shteti hebre atë të “Righteous Gentile / Fisniku i/e drejtë” janë pra dhe disa tiranas.
Historia e tyre përkthyer nga libri prej meje: “Atif dhe Ganimet Toptani. Si shumë shqiptarë të tjerë dhe familja Toptani ishte simpatizante e kulturës dhe shkollimit gjermanë, por jo ndaj Nazistëve. Si shumë nga të Drejtët ata ishin aktiv për të ndihmuar aleatët dhe në të njëjtën kohë për të ndihmuar hebrenjtë. Gjatë një operacioni gjerman kundrra partizanëve një kolonel britanik, që shërbente në Misionin Ushtarak Britanik, u dëmtua rëndë. Ai u dërgua në fshatin e Kamzës, tek shtëpia e Toptanëve të cilët e strehuan. Familja Toptani gjithashtu strehoi në shtëpinë e tyre dhe familjet Levi dhe Altarac, edhe pse nuk i kishin takuar asnjëherë ata hapën dyert e shtëpisë. Atëhere Edi Toptani ishte 12 vjeç dhe u bë miq me fëmitë hebre Jasha dhe Mica. Antarë të familjes Toptani janë nderuar si Fisnikë të Drejtë. Beqir Qoqja. Avraham Eliasaf (i cili përdori emrin mysliman Gani) ishte miku Beqirit dhe jetonte në dyqanin e rrobaqepsisë së Beqirit në Tiranë. Kur gjermanët po kryenin kontrolle fshirëse kundrra hebrenjve, ata ranë dakort se ishte më e sigurtë nëqoftëse Avraham dërgohej në ndonjë fshat të thellët duke u hequr si mysliman. Avrahami kishte disa monedha ari që ia dha Beqirit meqë e kishte ndihmuar. Kur mbaroi lufta Beqiri ia riktheu monedhat e arit mikut, të cilat ia kishte ruajtur, dhe refuzoi çdo shpërblim duke u ndjerë i ofenduar nga propozimi që i kishte bërë shoku.” (12) Për historinë e z. Qoqja kisha dëgjuar në familje nga im atë, sepse Beqiri kishte qenë mik i ngusht me tim gjysh Vehbiun. Kurse për Atifin dhe Ganimet kam lexuar nga e mbesa Suheila Toptani (e bija Edit) se përgjatë komunizmit Atifi bëri 5 vjet burg ndërsa Ganimetja 3 vjet. Pronat dhe çdo pasuri iu konfiskua me dhunë. Po ashtu informacion të plotë për të dy ka dhe organizata YadVashem.org (13)

Image result for atif toptani
z. Atif dhe znj. Ganimete Toptani.

Unë si Marsida nuk lodhem duke thënë se kush në shpirt ka ndjenjën e mirë, kush me të njerzishmen ka bërë ortakëri, atëhere e do këtë qytet kaq dashurisht të ëmbël dhe këta banorë katërcipërisht të mrekullueshëm. Cilësia e bashkjetesës vjen pikërisht nga ky shpirt bamirësish, humanistësh dhe altruistësh që kjo trevë që thërrasim shtëpi nga thellsia e zemrës e ka të ngulitur në ADN. Po citoj historianin Kristo Frashëri në një intervistë më 2012 për të kuptuar se Tirana dikur arrinte t’i bëntë të gjithë për vete. “Unë nuk kam lindur në Tiranë, kam ardhur në Tiranë kur isha 7 vjeç, para 85 viteve, më 1927. Në atë kohë Tirana kishte vetëm puse, ujësjellës nuk kishte. Thoshin në atë kohë, pleq të thjeshtë tiranas që thoshin ‘Tironë’, që ‘po pive 40 kova ujë je bërë tiranas’. Unë kam pirë jo 40, por kam pirë nja 4000 kova ujë, kështu që unë e ndjej veten tiranas. E bëj këtë për të thënë se e ndiej veten krenar që jam tiranas dhe ia kushtoj këtë dashuri punës që bëra për historinë e Tiranës. Tirana ka qenë një qytet i qetë, qytet i dashur, me njerëzit që e vizitonin, qytet i thjeshtë, qytet me një sistem urbanistik të krijuar nga shekuj dhe pikërisht aty te ky sistem urbanistik unë mora fillin sesi është origjina e qytetit.” (14)

BAMIRËSIA SI MËNYRË JETESE (3)

Filantropist është dikush që përpiqet të përmisojë mirqënien e të tjerëve zakonisht me dhurime parash ose bamirësi në forma të tjera. Vetë fjala “filantropi” vjen nga greqishtja e lashtë e do të thotë “të kesh dashuri për njerëzimin.” Kjo dashuri për njerëzimin arrin në trevën e Tiranës qysh me ndërtimet e kalave të lashta si një nevojë mbijetese dhe vazhdimësie për jetën. Jetë që rrodhi ndërmjet familjeve të mëdha nga Skurajt, Topiajt, Bargjinët, Toptanët etj. Dëshminë e kësaj dëshire për jetën e gjejmë tek vetë relievi i kësaj treve.

Kalaja e Tiranës ishte një stacion rrugor i vijës Egnatia, i tipit Mansio-Mutatio. Ajo përbënte qendrën e një vendbanimi, të emërtuar me një variacion emrash që në shekujt e parë të erës sonë: Tirkan (shek IV e.s ), Tergiana (1297) kur në të ishte vendosur kancelaria e sundimtarit të saj Karli I Anzhu, dhe në formën e sotme Tyranna (1505) sipas Barletit. Kalaja, dëshmia më e lashtë e qytetit, ndodhet në kryqëzimin e rrugëve të vjetra që lidhnin veriun me jugun dhe lindjen me perëndimin e Shqipërisë. Të gjitha rrugët e vjetra, përpara hyrjes në Tiranë dominoheshin nga një kështjellë apo kala. Kështjella e Lalmit (shek. II e.s.) ndodhej në kodrinën ku lumi Erzeni merrte kthesën e lejonte kalimin rrugor drejt Petrelës. Kalaja e Tujanit, një fortifikatë e gurtë me formë katërkëndëshe, ku gjurmët e jetës hasen që nga periudha e parë e hekurit, e rindërtuar në shek e IV e.s., ishte porta hyrëse e korridorit Dibër-Tiranë-Durrës. Kalaja e Dorëzit në kodrën ndërmjet lumit të Trezës e të Piollit (periudha e I e hekurit), pastaj Kalaja e Ndroqit, e Prezës e Ishmit, të gjitha së bashku, këto kala antike e mesjetare përbënin rrethin mbrojtës të Tiranës. Më 1417 rajoni u pushtua nga ushtritë osmane dhe fusha e Tiranës më 1450, 1466, 1467 u bë shesh lufte mes shqiptarëve dhe forcave osmane”. (15) Barleti i madh do ta përshkruante kështu: “… Një kërdi shumë më e hatashme bëhej nga ana e Tiranës, sepse e çara më e madhe e mureve ua bëntë njerëzve më të lirshme përleshjen. Vendi atje ishte mbushur me kufoma. Toka sikur gjëmonte nga kërcëllima e atyre që po vdisnin.” (16)

1910 Tr.jpg
Tirana 1910


Mbas kësaj gjëme trevës iu desh të ripopullohej në emër të njerëzimit dhe vetë jetës me banorët e zbritur nga fshatrat dhe zonat përreth. Prandaj dhe sot kemi tiranas me mbiemra si Ndroqi, Preza, Petrela, Tufina, Greblleshi, Kusi, Tagani, Fortuzi, Stërmasi, Bodinaku, Mumajesi, Qinami, Kaceli, Peza, Vaqarri, Mëniku, Marika, Herri, Arbana, Mulleti, Bërxolli etj, që tregojnë qartë nga erdhën familjet e tyre kur populluan Tiranën e sotme. Në kontekstin e detyrimit karshi jetës Bargjinët shfaqen si filantropistët fillestarë të kësaj Tirane që njohim ne sot mbi gërmadhat e asaj të hershmes që kërkush nuk do t’ia di tashmë. Hani, furra e bukës, banja, edhe xhamia e Sulejman Pashës u ndërtuan për të plotësuar nevojën e një popullate që jetonte aty, u ndërtuan nga vetë Sulejman Pashë Bargjini në ndihmë të popullit. Kështu ai hapi rrugën e gjatë të bamirësve të Tiranës, rrugë të cilën po përpiqem me shumë dashuri dhe fakte ta paraqes. “Xhamia e Fires e ndërtuar në vitet 1707-1708 prej Mehmet Fires, e rindërtuar në vitin 1859 nga Haxhi Selman Beshiri. Xhamia e Kokonozit e ndërtuar prej vitit 1775 nga Muhamed agë Kokonozi. Xhamia e Zajmit e ndërtuar në vitet 1776-1777 nga Mehmet bej Zajmi. Xhamie e Et’hem beut filloi të ndërtohej nga Molla beu në vitin 1794 dhe u përfundua në vitin 1821 nga i biri. Xhamia e Karapicit, e quajtur ndryshe Xhamia e Esnafit, e ndërtuar nga esnafi Terzive në shekullin XVIII. Sipas traditës, familja Karapici e restauroi në mesin e shekullit të XIX. Xhamia e Tabakëve ndërtuar në shekullin XVIII dhe e rindërtuar me kontributin e banorëve më 1933. Xhamia e Stërmasit e ndërtuar në vitin 1837 apo në vitin 1840 nga Mahmud Muhsin Bej Stërmasi. (17) Studiuesi Roald Hysa në librin e tij “Xhamitë e Tiranës” paraqet me detaje 28-të xhamitë e qytetit ndërtuara nga ky shpirt filantropist i banorëve. Tirana kishte Teqene e Kubatëve, sot pinjollët e familjes Kubati janë ende në Tiranë. Teqeja e Dervish Hatixhesë, sot pinjollët e saj me mbiemrin Skënderi ndodhen po në Tiranë. Teqeja e Sheh Ahmet Pazarit, pillonjët e këtij patrioti vazhdojnë e jetojnë në Tiranë. Rrethi i Tiranës më 1860 kishte 4000 katolikë. (19)

 

Edhe pse në një numër më të vogël le mos t’i harrojmë dhe autoktonët tiranas të krishterë. Për kishat e ortodoksëve kam folur në pjesën e dytë; kishën e Shën Prokopit 1787, kishën e Ungjillizmit 1874. “Pjetër Pilatoqi, i cili ishte tregtar dhe kishte dyqan të vetin në Tiranë. Në shtëpinë e tij qe thënë mesha para se të rregullohej kisha famullitare. Kolë Leshja, njihet një ndër familjet më të vjetra ekzistuese të Tiranës. Nga gjiri i kësaj familje kanë dale dy priftërinj shekullarë: Dom Pjetër Leshja e Dom Mikel Leshja, të dy me Arqidioqezë të Durrësit.” (18) Rrethi i Tiranës më 1860 kishte 4000 katolikë. Megjithatë kishën e parë në qytetin që njohim sot do e ndërtonin austriakët më 1856 nën titullin e Zojës së Papërlyer. (19) Kjo kishë u njoh si kisha e Shën Mërisë. Kisha e Shën Mërisë ndodhej në perëndim të kinemasë “Nacional.” (17)
Nga studiuesi Gazmend A. Bakiu kam mësuar se Kisha e Zemrës së Shenjtë u ndërtua më 1939 prej Mbretëreshës Geraldinë, e cila ishte një katolike e devotshme. Por si kishte qenë treva e Tiranës? Famullitari i kishës katolike të Tiranës gjatë viteve 1946-1957, një nga studiuesit më të epur të trevës së Tiranës, Dom Mark Dushi e përshkruan kështu Tiranën që nuk e njeh më askush. Kemi kishën e vjetër të Shën-Gjinit, në territorin e fushës së aviacionit të sotëm të Tiranës; kishën e Shen-Mërisë në Bërrarë; kishën e Shën-Kollit në kodra të Selitës; kishën e Shën-Kollit në Priskë të vogël; kishën e Shën Kollit në Qafë-Mollë; Kishën e Shën-Gjergjit në Tunjan; kishën e Shën Pjetrit në Pranga në Shën-Pjetër; kishën në Mukaj etj. Tirana megjithë rrethinat e saj të afërta, një pjesë i përkiste dioqezit të Bendës, e një pjesë dioqezit të Kanovës (Canoviensis). Këto dioqeza, përveç disa kishave që përmendëm më sipër, sipas relacioneve të Imz. Mark Skurës në vitet 1640 dhe 1652-6, i përkisnin edhe këto kisha: kisha e Shën-Gjergjit në Shën-Gjergj; kisha e të Shëlbuemit në Javacessi; kisha e Shën-Mërisë në Shën-Mëri; kisha e Shën-Mërisë në Chemarda; kisha e Shën-Kuiricit në Pieci; kishët e Shën-Mëhillit dhe e Shën-Vlashit në Muner; kishët e Shën-Gjonit e Shën-Idhisë në Brusi; kishën e Shën-Barbullës në Bastar; kishët e Shën-Kollit në këmbë; të tjera gati të rrënuara; kisha e Shën-Martinit në Martanesh, motit abaci; kisha e Shën-Kollit në Ziburi e kisha e Shën-Kollit në Baderra.” (19) Të gjitha kishat e lartpërmendura janë të rrënuara dhe u ka mbetur vetëm emri i vendodhjes.

Image result for kisha katolike tirane foto vjeter
Tirana më e bukur dikur se sot.

Bamirësia e banorëve të Tiranës shumë herë thurrej nepër vargje poezish ose këngësh. Kështu shikojmë se kënga e mëposhtme përmban brenda ndër tjera dy strofa bamirbërëse të ndarjes së zekatit tek varfanjakët.

“O Gani begu more
o Gani beg Toptani
ndan zegjatin fukarasë.
O Gani begu more
0 Gani beg Tirona
ndan zegjatin fukarasë.”

Bëhet fjalë për Gani beg Toptanin, vëllai i Esat pashë Toptanit. Ndarja e zekatit një rit fetar, që më të shumtën i jepet varfanjakut të ndodhur ngusht, por që nuk e lyp. Prandaj, dhënia e zekatit sipas ritit islamik duke qenë se jipet pa e lypur personi në hall, përket me pastrimin ndaj personit të cilit i dhurohet. Po në këtë këngë, trashëguar deri në ditët tona, flitet sesi e qan populli Gani begun. Pra, një personazh i dashtur për banorët fukarenj të Tiranës.

Image result for gani beg toptani

Në të njëjtën frymë është dhe vjersha tjetër, e cila i kushtohet vëllezërve Beshiri.
“Djem të mbarë bijt’ e Haxhi Selman Beshirit,
Secili prej tyre tregtar me famë,
Ismail, Mahmudi, Hyseni, Aliu dhe Hasani
Pesë vëllezër, secili mendon të bëjë mire e të lërë emër,
I katërti prej tyre, antar këshilli, Ali agë Beshiri,
Për hatër të Zotit fort përpiqet të bëjë mirë,
Mbi Erzen rishtaz ngritën një urë të madhe,
Bënë që t’u kujtohet emri për mirë deri në ditën e gjyqit
I sigurt kalon kushdo mbi urën e Beshirit,
Zoti ua krehjtë qëllimet ndërtuesve të saj në të dy jetët.
Njëmijë e dyqin e gjashtëdhjetë e katër, në këtë vit ogurbardhë.
Me sukses ia arritën në krye kësaj vepre të madhërishme.
Kjo vepër bamirsie e madhe, Në këtë vit me ndihmë të Zotit u plotsua.
Mbi ujin të Erzenit u ngrit, sihariq, kjo urë e madhe,
Me mëshirë të Zotit u plotësua kjo urë e Ali-Hasanit,
Kush vjen e kalon këtej, këtë vjershë ta mësojë përmendësh
Me këto vargje datat e gjetën një rregullim të mirë.
O Shehidi shpjego se si dalin këto data.
Kudo e përbuzur fjala e gjatë, e lejueshme është në poezi. (20)
Kështu e lavdëronte populli familjen Beshiri për ndërtimin e “Urës së Beshirit” mbi lumin Erzen.
Shembuj të tjerë. “Nga objektet e tjera karateristike të kësaj kohe, duhet përmendur “Namazgjahu” (vendi i hapur i lutjeve) ndërtuar nga i biri i Abdurrahman Toptanit, Ahmet bej Toptanit, një shesh i gjelbëruar rrethuar me mure prej guri dhe me selvitë karakteristike.” (20) Rritja e qytetit detyroi familjet e mëdha të hapnin toka të banueshme nga xhepi i tyre. Paragrafi më poshtë vjen nga viti 1818 prej defterit të Kadiut të Tiranës. “Dëshirojmë të presim e të hapim një pyll të cilin e kemi pronëtonën… Këtë punë e kanë zanat katundarë bujq të krahinës suaj (*ndoshta Lezha).Prandaj iu lutemi të më përgatitni nja 800 ose 1000 vetë prej krahinash që keni shkëlqesia juaj, që të ndodhen këtu në fillim të shtatorit… Për prerjen e këtij pylli do të më duhet të shpenzoj 200 qese akçe. Për të nxjerrë rrënjët dhe për ta pastruar vendin për çdo dynym do të paguhet 14 dhe nganjëherë 15 grosh; nëse është vendi shumë i vështirë edhe 19 grosh… Nëse dërgoni 800 ose 1000 vetë është në dorë tuaj, por patjetër mbi 500 vetë. Sa për pagesë nëse duan, u jap rrogë mujore ose një pagë ditore prej 16 ose 18 groshë për dynym me gjithë bukë… Nëqoftëse puna rregullohet në një mënyrë ose tjetër, njoftomëni të t’u dërgoj shpejt një sasi të hollash për t’ua paguar punëtorëve si paradhënie….” (20) 
Me pamëdyshje mund të thuhet lirshëm se Tirana me gjithë peripecitë që i ofroi historia u ndërtua nga shpirt gjërësia e banorëve të saj. Tiranës nuk i vinin lekë as nga shteti fqinj Greqia, as nga Venediku dhe as nga Stambolli, siç ndodhte me disa zona tjera. Tiranës i vinin të ardhurat nga djersa dhe shpirtmadhësia e banorëve të saj. Ata përpiqeshin brenda mundësive të ndërtonin aq sa u a lejonte jorgani i tyre të shtrinin këmbët. Josef Myler e pati vizituar Shqipërinë dhe gjithashtu Tiranën rreth viteve 1830-të, këtë vizitë ai e botoi në librin “Rumelia dhe kufiri austro-malazes etj” më 1844 në Pragë. Myler e përshkruan Tiranën me 727 dyqane dhe 1000 shtëpi. Në vitet 1894-95 bëhet e ditur se Tirana kishte 31 hane. Në vitin 1927 në Tiranë kishte 14 hane dhe 12 hotele. Në vitin 1927, sipas statistikave të sakta të Teki Selenicës, Tirana ka pasur 35 kafene dhe 30 pijetore, të cilat u dy apo trefishuan në vitet në vazhdim.” (21) Gjatë viteve të para kur Tirana ishte shpallur kryeqytet ishin po këta banorë tiranas të cilët shumë nga ndërtesat e tyre i ofruan për t’i kthyher në institucione shtetërore. “Historia e legjislativit shqiptar zë fill më 27 mars 1920, datë kur Këshilli kombëtar i dalë nga Kongresi i Lushnjes u mblodh në seancën e parë në shtëpinë e Zija bej Toptanit, e cila u shndërrua në selinë e parë të Parlamentit. Gjykata e Tiranës ishte vendosur në rrugën e “Durrësit”, në pronën e Islam Angonit, një godinë masive, e ndërtuar në vitet 1931-1936. Ajo ishte Gjykata e shkallës së parë që asokohe quhej “Gjykata fillore”. Drejtoria e Përgjithshme e Postë Telegraf Telefon, në Tiranë, ka qenë vendosur në pronën e Xhelo Dibrës, godinë e ndërtuar në vitin 1928.” (21)

Vazhdon…

 

—–>>>> Dikur në të ardhmen qofsha shnosh e mirë do ta vazhdoj këtë shkrim. Deri asi kohe falenderoj miqt e mi Gazmend Bakiun, Olsi Ferrazinin, Jozef Radin, Ruben Avxhiun për mbështetjen e tyre pa kursim dhe për materialet dhe për platformat e tyre që mi vunë në shërbim. Me dashamirsi, Marsida. 12 tetor 2018.

——–Referencë:

  1. Libri “Një kinema, një familje, një qytet” nga Zenel Anxhaku. fq 43.
  2. Jam mbesë e familjes Tufina. Stërgjyshi dhe gjyshi im merrnin shpesh djem nga familje të Shqipërisë së Mesme ose Kosova, Dibra, Mati për t’i dhënë zanat.
  3. Libri “Tregimet e Tironës” nga publicisti dhe shkrimtari Bedri Alimehmeti, fq 52.
  4. Këtë histori ma ka treguar inxhinieri Ardian Llagami, i cili e ka gjysh Myhedin Llagamin.
  5. Këtë histori ma ka treguar studiuesi dhe shkrimtari Gazmend Bakiu, i cili e ka baba Ali Bakiun.
  6. Libri “Tirana e Vjetër” nga studiuesi Gazmend Bakiu, fq 116.
  7. Artikulli “Shën Prokopi i Tiranës – shembull modernie europiane” nga Artan Shkreli botuar më 2012, Gazeta Shqip.
  8. Libri “Kodiku i Kishës së Shën Prokopit të Tiranës (1818-1922)” nga Dhimitër Beduli, fq 90-97.
  9. Libri “Tirana dhe rrethinat e saj” nga studiuesi Dom Mark Dushi, fq 43.
  10. Histori familjare treguar tim eti Xhevat Najdenit nga im gjysh Vehbi Najdeni.
  11. Libri “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët” nga Edith Durham, përkthyer nga z. V Shtylla, faqe 91-93.
  12. Libri “Rescue in Albania” nga Dr. Harvey Sarner, fragmentet përkthyher nga unë fq. 49-50, 52.
  13. Artikulli “Atif e Ganimete Toptani, dy engjëjt e kreyqytetit” botuar tek Tirona.Website e Olsi Ferrazinit.
  14. “Rrëfimi i Frashërit: Si u bë Tirana kryeqytet” intervistë në Gazeta Mapo, 2012.
  15. Marrë nga faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës. http://www.tirana.gov.al/repository/docs/Politika_e_Zhvillimit_te_Territorit_2012_6008.pdf
  16. Libri “Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti, përkthyher nga S. Prifti. Lib I. fq 75.
  17. Libri “Tirana e Vjetër” nga studiuesi Gazmend Bakiu, fq76-80, fq 76-80.
  18. Libri “Kodiku i Kishës së Shën Prokopit të Tiranës (1818-1922)” nga Dhimitër Beduli, fq 90-97.
  19. Libri “Tirana dhe rrethinat e saj” nga studiuesi Dom Mark Dushi, fq 79, 143, 144.
  20. Libri “Historia e Tiranës” nga historiani Kristo Frashëri, Vëll I, fq 175-77, 271-72.
  21. Libri “Tirana e Vjetër” nga studiuesi Gazmend Bakiu, fq 176, 194.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: