“FENOMENI” Shaban Qosja dhe port(h)alet e sotshme! – Nga Olsi Ferrazini

“FENOMENI” Shaban Qosja dhe port(h)alet e sotshme!
– I detyruar të lexohet

Nga Olsi Ferrazini
19 qershor 2018

Botuar për herë të parë tek Tirona.Website e Olsi Ferrazinit nga ku dhe e mora (pa leje). 
Kopertina punuar po ashtu nga Olsi Ferrazini

Të dashtun miq, morëm shkas të shkruajmë këtë artikull dhe të reagojmë mbi disa shkrime që shpesh degjenerojnë herë pas here në portale dhe gazeta.

Përse e titulluam “FENOMEN”?

Shpesh nëpër gazeta online që në fillimin e viteve 90 pas rënies së sistemit 50 vjeçar, na ka ndodhur jo pak herë të lexojmë për personazhe apo njerëz të cilët në kohën e sistemit komunist “talleshin” ose ishin në qendër të opinioneve publike, për shkak të ngjarjeve që kishin përjetuar apo dhe ngjarje të sajuara jo në pak raste.

Ndër shumë personazhe “të vënë në lojë” në atë kohë dhe si shembull zgjodhëm njërin prej tyre, Shaban Qosja, që valvitet cdo 3­4 muaj nga gazeta e gazetarë si flamur i talljes me qytetarinë Tironase, dhe kjo vetëm për të bërë lajm, për klikime, dhe në shumë raste për të ulur figurën e qytetarisë Tironase.

Me një kërkim të thjeshtë në internet me emrin Shaban Qosja, mund të gjeni me mijëra shkrime, të cilat tregojnë talljen që i bëhej Shabanit, me mijëra gazeta edhe nga ato që quajne vehten “SERIOZE” për të prekur sadopak nostalgji, ndryshojnë vetëm titullin e lajmit dhe në brendësi është po i njëjti lajm, po i njëjti refren që përsëritet me tallje dhe ofendime nga më të ndryshmet. A e kuptoni ku arrin injoranca të depërtojë? Dhe hajde bjeri ti bim… Gazetarë që s’ia kanë idenë se kush ka qënë në të vërtetë Shaban Qosja. Pa pyetini nëse ia dinë historinë e jetës? Jo asnjë nuk e di nga këta që marrin përsipër të fitojnë 1 euro nga lajmi që bëjnë, dhe që ja ndryshojnë titullin e lajmit herë “Nostalgjitë e Tiranës” e herë “Njerëzit që ngulitën shprehje”.

PO kush ishte Shaban Qosja? Shpresojmë dhe urojmë ta lexojnë ata…

Shaban Qosja lindi në Tironë në 1892 dhe ka qenë nji nga shumë e shumë tregtarët e Tironës, i cili gëzonte respekt në komunitetin e tij në Tironë, por gjithashtu gëzonte respekt edhe në Itali, vendi në të cilin Shabani shkonte pët të blerë mallra të ndryshme, por gjithashtu kishte edhe shumë miq Italianë, që e respektonin sa herë shkonte.
Po, Shabani ishte bir i një familje të vjetër Tironase dhe të respektuar nga të gjithë, bir i këtij vendi si unë, ti apo kushdo Tironas tjetër.

Shabani, nuk ishte injorant dhe i paditur siç duan ta tregojnë, Shabani kreu shkollën tregtare në Itali, rreth viteve 1915-­1916, më pas kthehet në Tironë ku meret me aktivitete të ndryshme tregtare, aktivitete që i ecin dhe fuqizohet, për kohën nji tregtar me emër në Tironë, por gjithashtu sipas tregimeve të më të vjetërve edhe shumë human me njerëzit në nevojë.

Me ardhjen e pushtetit komunist në vitin 1944, i sekuestrohen të gjitha pasuritë tregtare që i kish vënë me shum punë e mundim, i merren në mënyrë të dhunshme të gjithë vlerat monetare që kishte ai apo dhe familja e tij sepse u cilësua “Familje Kulaku” që kish vënë pasuri në kurriz të popullit të varfër. Më pas arrestohet dhe dënohet në vitin 1947 me 7 (shtatë) vite burg, lirohet në vitin 1951, pa asnjë pasuri me rreth 60 vite jetë në kurriz dhe me asnjë kacidhe për të jetuar.

Më pas vjen ajo për të cilën të gjithë e kujtojnë dhe shkruajnë pa pikën e turpit, “Tallja Publike”, a e kuptoni të jesh dënuar me 7 vite burg, të t’i ken mor t gjitha, mos të t’ken lon gromin në xhep, dhe të jesh etiketuar si “KULAK”, normalisht do përbuzesh, do tallesh, do përçudnohesh nga njeri!

Shpesh herë kur lexojmë histori të tilla, të rrënqethet mishi, mendon me vete, si kanë jetuar në atë ferr, si nuk kanë vrarë vehten? Pra i bie të mos kenë qenë personazhet që tallen rëndom nëpër port”h”ale, por të kenë qenë njerëz të fortë, me zemër më të fortë se guri, lusim Zotin tu ket dhënë xhenetin, për vuajtjet që kaluan, për sikletet e një jete që i mbyllën me varrin dhe njerzve të tyre s’ja treguan, për fajet që fajtorë nuk ishin. Amin!

Shabani ishte vetëm nji nga personazhet e asaj kohe që pushteti ju shkaterroi jetën, ju dënoi shpirtin, shum ishin të fortë e durun, përveç barbarizmave të sistemit edhe talljet publike në shum raste, shum të tjerë zgjodhën vet­vrasjen përballë torturave të përjetshme të asaj kohe siç ishte rasti i Dem Xhepës, që nuk po i përballonte mo torturat në hetuesi dhe zgjedh të hidhet nga kati i tretë, ku gjen edhe vdekjen.

Pra, të nderum gazetar, përpara se të mereni e të shkruni për personazhe, mundohuni ti lexoni njiher jetshkrimin, dhe të msoni se cilat ishin shkaqet që çuan një njeri në atë gjendje!

Miq të dashtun, ju ftoj të mos lexoni të tilla shkrime me nofken “Nostalgjike të Tiranës”, si dhe t’i komentoni me përbuzje kujtdo që mundohet të ulë vlerat e qytetit dhe qytetarëve Tironas, nuk jon aspak nostalgjike, jon veçse denigruse për Tironën dhe Tironsit. E vetmja faqe që sjell me gjith men nostalgjinë, që i osht dediku Tironës, osht faqja Tirona në FB dhe webfaqja jone Tirona.website.

Me respekt Olsi Ferazini

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: