JETA NË KATUND
TRANSMETIMI I KONCERTIT TASHKO-PALUCA NË KATUND
Nga Hasan Farka (Bulk Përparimtar) gazeta “Java” 1938-39.
JAVËN e kalueme, posa që mora vesht se koncerti i zonjushavet Tashko dhe Paluca do të transmetohesh me radio, me gëzim thirra katundarët fqinjë të ndigjojnë nga radio e jeme që punon me batteri, se edhe ata më ndihmojnë si bujk i ri që jam.
Në dhomë, përveç Dullës plak i motshëm dhe krejt i thij qenë edhe nj’a dy-tre pleq të tjerë, dhe katër a pesë të rijë, të cilët i qëndrojnë lodhjes së ditës prendverore plot punë, po sa për tjerët, të lodhur e të këputun, nga puna e randë kishin ra me fjetë.
< Hô mrê, > tha Dulla tue çelë bisedën, < Ç’thonë kaurrit? > tue vështrue radion me kureshtje, kur unë po gjejshe stacionet.
< Kaurrit a? Aaa! Ata bâjnë qejfë o Dullë > i thashë, < s’janë si na qi punojmë gjithë ditën dhe në mbramje bijmë me fjetë përnjiherë me pulat. Ata e kanë regullue kohën e punës. Punojnë 8 orë në ditët dhe mbasandaj lahen e shpërlahen, vishen edhe ikin me bâ qejfë në kino të katundit apo në ndonji vend tjetër. Edhe rrojnë mirë qe rratallarët! Han’ e pinë mirë dhe dreka e tyne s’shkon pa nji poç me venë…
< Allahallaa! Kina shku kot vallahi! > tha Djaloshi, qi po rrinte prânë Dullës.
Në bisedim e sipër, tue luejtë shtizën dëftuese të stacionevet, befas ndigjuen:
< Hallo hallo, Radio kinema Gloria Tiranë > dhe fëtyrat e katundarëvet u çelën kur ndigjuen fjalë shqip nga <ai alet dreqi> sikundër e quen Dulla radion! Mandolinata e Strehës filloi Hymnin Mretnuer kur befas Câni, nji djalosh i ri, briti me të madhe, po pak si me turp: < Rroftë Mbreti! > < Rrooft! > ia pritën pleq e të rijë bashkë.
Kur filloi kanga e dytë, kangë kombëtare qi mësohet në shkolla e kazerma, nj’a tre katundarë qi kishin krye shërbimin ushtarak e që s’kishin çelë gojë deri atëherë, filluen me e imitue kangën me mburrje si me dashë me thanë se edhe ata kanë bâmë dishka.
E ndijet veten të lumtur tue i pá katundarët aq të kënaqun pranë zjarrit e pranë radios tue ndigjuem me vërejtje dhe disaherë sa memzi mereshin frymë për të mos prishë qetësinë.
Tash këndon Zonjusha Paluca, edhe më tepër me kërthëri u them: < shët! > dhe me të vërtetë Maria, me zanin e saj e ambël i dehu katundarët e mij, të shkretët që dehen edhe pa pí fare me kto punësh, dhe njani s’u mbajt mâ po bërtiti: <Of of aman qejfim tamam. > Përshtypje të madhe bâni ndër katundarë edhe kanga shqipe e zonjushës Tashko:
Ishin dy kunata moj zoje
shkojshin si dy motra.
Kjo kangë këndohet shumë ndër këto ana, sidomos prej < Sufit > qi âsht tenori i katundit. Kur Zonjusha Tashko po i epte fund kangës < Ta Bacci > (mezi lexohet) dhe zâni i saj mbërrinte kulmin, < paa paa pa! ku u shkëlye > ia bânë katundarët!….
Shumë i mallëngjeu katundarët edhe dialogu < Nana e Djali > dhe themë a do ta hekin benë e keqe qi bajnë kur thonë < Nje Turk! > < Pse mer jahun s’ká përherë shqip! > më pyetshin katundarët, sepse muzikën europjane s’e duen fare, i zen gjumi kur ndigjojnë. Unë u thashë se edhe ajo ditë do të jetë e afërtë.
< Si t’bôj emër Mreti, se ç’sen bôhet fët fët > thanë me plot besim. Dhe me të vërtetë katundarët e adhurojnë me fanatizen Prijsin e tyne, dhe na duhet të mburremi për këtë nderim qi kanë ata ndaj Mbretin, sepse âsht e vetmja mënyrë me i futë në rrugë të përparimit.
Këtë përfundim pati koncerti Vokal Tashko – Paluca në katund.

Leave a Reply