N’ajri… – tregim nga Ilir Seci

E shkëputa nga blogu i mikut tim Jozef Radi (radiandradi.com)
Shkruar nga miku im, Ilir Seci, verë 2018.

Avionin e linjes Tiranë­ Romë kishim me e marrë në oren 5 të mjesit në Rinas. Ishte fluturimi i parë për at ditë. E kishim zgjedhë vetë anipse krejt herët… na u desh me u çue shumë herët, në orën dy e gjysë të nadjes, me marrë taksi për me kenë në kohë në aeroport. Sa herë udhëtoj, unë jam maniak për oraret, due me kenë në kohë, të paktën per fajim tem nuk due me kenë kurrë vonë, kompanitë e fluturimeve mund t’i shtyjnë fluturimet sa herë, por unë due me kanë ne kohë. Vonesat për kompanitë e fluturimit, janë ba thuejse rutinë, por për mue udhëtimi asht nji gja që nuk e baj përditë si e bajnë kompanitë. Prandaj bahem gati dhe mundohem me kenë në kohë çdo herë.
Ishte herët në nadje, ora pesë e mjesit kur ngjitem shkallet e avionit. Ajo, zonja e sportelit, për arsye që vetëm ajo i din ma kishte dhanë ndejsen vetëm, jo afër me gruen ose djalin, nga Tirana në Romë. Tue kenë se ishte fluturim vetëm për 55 minuta, pra ma pak se nji orë nuk e zgjata. Hip avionit e shko, s’ke ç’me diskutue! Personi që më takoi ulun ngjitun, me atë natyrën futahundëse, karakeristikë ballkanase, sa u ula, pa vndue mirë rrypin e sigurisë, më filloi intervistimin:

“Nga je, kush je, ku shkon…?”

I diftova që jetojshe në New York, që po shkojshe në Romë për disa ditë me pa “Qytetin e përjetshëm…” ­

– Aman ç’e bëni edhe ju këtë Romën! – ma ktheu ai, – Qytet rrangallash, nji grumbull vjetërsirash që vetëm turistët budallenj e hanë sikur çoç është! Kot ore, po kot fare është!

E pashë tanë habi…! Si duket habia jeme e bani me u mbledhë pak…

– Nga të kemi? – me dveti, u mendue pak e pa me dhane mundësi gjegjie nxitoi – Mos je gjë kosovar?! Unë ia aprovova, nuk ia prisha. Tek e mbramja Malsia e Gjakovës, Kosovë janë, Rrafsh i Dukagjinit me e thanë saktësisht… ia lashë ashtu si e tha… Te shohim çka po del nga kjo mendova. ­

– Po ty nga të kemi? – e dveta. ­
– Nga Tirana… – nxitoi ai me nje frymë, a thue se rrezikonte me mbetë pa atë gja. ­
– Tiranas – tiranas? – e ngava unë, – Apo i ardhun aty? ­
– Tiranas jam unë, kam lindur në Tiranë… babanë e kam nga Kuçi, por edhe ai ka ardhur në Tiranë që në vitin 1946, kur ishte fare i ri, zbriti nga malet se ishte partizan… kur çliroi Shqipërinë zgjodhi të jetonte në Tiranë. Që nga ajo kohë e kemi shtëpinë te lagjia e familjeve te dëshmorëve të Luftës. ­
– Shtëpinë e keni ble apo e keni trashëgue? – e nguca unë. ­
– Blerë apo trashëguar!? – burri qeshi me të madhe, – ore po jeni fare dhe ju kosovarët. Ç’të blerë ore lumëmadh? Plakut tim ia dha Partia shtëpinë e një tregtari kolaboracionist tiranas që e vdiqën në dru në burg deri sa i nxorën florinjtë. Si vdiq ai, familjen ia degdisën në internim dhe Partia shpërbleu babain duke ia dhënë shtëpinë e bashkëpunëtorit të fashizmit.
– Vërtet ishte bashkëpunëtor i fashizmit ai tregtari? – e pyeta vetë. ­
– Po ishte i pasur mo! – shfryu ai burri, – me se i mblodhi gjithë ato florinj ay po të mos jeshte bashkëpunëtor i fashistëve!?

Unë heshta… pashë njiherë dritaren e avionit e mendova se a thue kishte me ia nxanë kryet ba me e flake përjashta përmes xhamit…?! ­

– Rrojtëm mirë atëhere, – vazhdoi ai pa e pyetur fare, – por dhe sot rrojmë mirë. Kam shtëpinë e dyqanin në Tiranë, kam një dyqan qe e privatizoi ime shoqe në vitet 1991­‘92… E zuri demokracia shitëse buke në një dyqan afer Bankës Kombëtare… qeveria ua dha shitësve dhe e kullufitem në atë dyqan. Alamet llokme.
– Si e moret bre? – bana të habitunin unë, – si ia batë letrat? ­
– Na e dha Fatos Nanua, në vitin 1991 dhe pastaj na e ligjëroi Sali fashisti, në vitin 1992.
– Po Saliu iu paska ba nder ju? – bana të paditunin unë… ­
– Saliu është fashist, e kam zët, edhe po të më ngrije në flori prapë nuk e shoh me sy…!
– Fashist që të bani me dyqan!? – e pyeta.
– Epo s’kishte si ndodhte ndryshe, ne bëmë luftën dhe fituam, ne do jemi të parët gjithmonë! – më tha. ­
– Po çka bane me dyqanin? – e nguca unë prap… ­
– E kam ndarë në tre pjesë, kam lëshuar me qera secilën ndarje me nga një mijë e pesëqind euro në muaj dhe marr katërmijë e pesëqind euro nga qeratë. Rroj si pasha…! Bredh gjithë botën. Kam qenë edhe në atë Amerikën tënde. Ne New York, Florida, Kalifornia, Las Vegas… por s’e dua aspak atë vend. Të kam bërë një mender të madh në të…! – tha ai me nji frymë. ­
– Po a kishte pronarë trashëgimtarë ky trualli i dyqanit që privatizuat nga Nano­Berisha? — e pyeta. ­
– Kishte ca stërnipër të një tradhëtari tjetër kolaboracionist… po kush i pyet. Atyre u shkoi jeta gjykatave për troje e prona por më kot e kanë… ne kemi çunat dhe gocat tonë në kadastra e gjykata… Kot lodhen!!

Heshtje… ­

– Te pëlqen Shqipnia me sa duket? – e nguca unë.
– Përpara me pëlqente më shumë! – shfryu ai, – kishte lezet në atë kohë. Dridheshin tiranasit para nesh. Me një telefon ia degdisja familjen në internim kujtdo… Tani mirë jam e kam para sa të dua por ç’e do… s’pyet njeri. Pastaj Tirana është prishur fare, kanë zbritur shumë malokë nga anë e anës…

*** Çka i thashë kur zbritëm nuk mund e shkruej këtu…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: