Rexhep Jella, presidenti i parë i Federatës së Futbollit Shqiptarë.

Rexhep Jella, presidenti i parë i Federatës së Futbollit Shqiptarë.
Marsida T. Najdeni
4 qershor 2016

U lumturova kur më 28 prill 2016 figurës së harruar të Rexhep Jellës iu vendos sadopak nderi në vend mbas një persekutimi mbi gjysëm shekullor. Presidenti i Shqipërisë i akordoi medaljen “Nderi i Kombit “ (pas vdekjes) me nr. dekreti 9537 intelektualit Rexhep Jella me motivacionin: “Për veprimtarinë e shquar të një intelektuali të mirëfilltë perëndimor dhe kontributit e përkushtimit të pamohueshëm dhe të vyer atdhetar në shërbim të vendit dhe kombit tonë, të dhënë edhe gjatë konferencave të rëndësishme historike botërore ku u përcaktua e ardhmja e Shqipërisë”. Padyshim për mua ky zotëri është nga figurat më të dashura jo vetëm tiranase, por krejt shqiptare. Bashk me Lef Nosin, Xhemal Farkën, unë si Marsida, i kam në piedestalin e meshkujve shqiptarë, të cilët shfaqën gjatë jetës së tyre qytetari, emancipim, edhe ndershmëri.

Nga rridhte Rexhep Jella?

Familja Jella i gjenë rrënjët e veta në Tiranën qytet mbi 300 vjet tashmë, edhe mendohet se e kanë origjinën nga fshati Kus i rrethit të Tiranës. Në listën e gjatë të familjeve autoktone tiranase është pra dhe kjo familje e nderuar. Një familje që i ishte përkushtuar shkollimit dhe jo tregtisë. Zgjedhje kjo e bërë nga vetë Jellët brez mbas brezi. Ata nuk ishin të pasur, edhe pse nuk konsideroheshin as të varfër. Nga kujtimet e të bijës së Rexhep Jellës, Hatixheja, tregon se jetonin prej disa pronave të trashëguara nga të parët. Me shkollimin dhe punësimin e Rexhepit bashkë me të vëllain Ramazanin familja do të merrte një hov perendimorë. Jella, ashtu si shumë familje të qytetit, nuk e patën kurrë ves të vetlavdërohen.

1993 Shtepia e Rexhep Jelles
Kjo shtëpi nuk është më. Ndërtuar mbi të qendron një pallat i ri.

Kush ishte Rexhep Jella?

Ai u lind në Tiranë më 1895. Arsimin fillorë do ta kryente në qytetin e lindjes, ndërsa atë të mesëm në Stamboll. Në qytetin e Stambollit Rexhepi do të tregonte zgjuarsi gjeniale duke u diplomuar ndër të parët studenta të gjimnazit me nota të larta. Kjo arritje do ta bënte që të fitonte një bursë kolegjore në një nga universitetet më të forta në botë. Kështu më 1914 Rexhepi do t’fillonte studimet e larta në universitetin Kembrixh. Në Angli Rexhep Jella do të diplomohej për Shkenca Politike në Fakultetin Jurisprudencës. Nga ky universitet botëror ai fitoi jo vetëm një shkollim klasi parë, por mori dhe një kulturë anglosaksone. Gjithashtu, do të bëhej anëtarë i shumë klubeve sportive dhe ligjore. Këta antarësime ia shtuan rrethin shoqërorë me njerëz intelektualë nga e gjithë bota. Miqësira të cilat ai do t’i ruante për vite me rradhë duke i shfrytëzuar në të mirë të kombit të tij.

Rexhep Jella ne Korce
Rexhep Jella me familjen.

Si shumë intelektualë të kohës dhe ai do të rikthehej në atdhe për tu angazhuar me qeverisjen e vendit. Njohuria shumë e mirë legjislative dhe njohja e gjuhëve si anglisht, turqisht, italisht, persisht, frengjisht e bënë atë një personazh kyç të politikës shqiptare si brenda dhe jasht vendit. Kështu më 1918 do të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Më 1920 ishte pjesmarrës në Kongresin e Lushnjes. Dy herë deputet i Parlamentit Shqiptarë më 1923 dhe 1937. Po ashtu nga 1926 do të ishte prefekt i Gjirokastrës, Elbasanit, Durrësit, Beratit. Nënprefekt i Korçës. Mëpastaj do të ishte dhe prefekt i Tiranës, periudhë ku Tirana kryeqytet do të merrte një zhvillim progresiv nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Si kryetar Bashkie (1930-1933) ai mbikqyri shumë projekte rregulluese të qytetit, mori pjesë angazhuese në ndërtimin e Shkollës Teknike Harry Fultz dhe ndërtimit të Spitalit të ri të Qytetit ku mbajti dhe fjalimet inaguruese. Ky spital për kohën ishte më i madhi në Ballkan. Një tjetër fjalim i Rexhep Jellës qe dhe për inagurimin e ndërtesës së Ambasadës Amerikane. Në vitin 1937 atij do t’i jepej nga Mbreti Zog “Kordoni i Skënderbeut” si dhe më 1938 titulli “Prefekt i Klasit të Parë”.

Rexhep Jella
Rexhep Jella funksionar i lart.

Zhvillimi sportiv dhe Rexhep Jella

Si student anglosakson Rexhepi kishte luajtur futboll në ligat kolegjore të Anglisë. Kështu lidhjet e tija me botën e futbollit të organizuar ishin nga rinia studentore. Futbolli kishte kohë që luhej në Shqipëri, por nuk kishte organizim të mirëfilltë dhe as federatë. Pak veta mund ta dinë se Rexhep Jella ishte një ndër nismëtarët e Federatës së Futbollit Shqiptarë. Komisioni i Kampionatit Shqiptarë përbëhej nga 1. Rexhep Jella, 2. Mihal Sherko, 3. Ali Erebara, 4. Orresto Morra, 5. Giandomenico De Marchis, këta ishin kryesia, duke e bërë kështu de facto Rexhep Jellën Presidentin e Parë të Federatës Shqiptare. Nuk ka asnjë mëdyshje për këtë sepse në çdo dokument të Federatës Shqiptare të asaj kohe Rexhep Jella ka nënshkruar si Presidenti i Komisionit. Për këtë kërkush nuk bëzan përveç të gjithëhershmit studiuesit dhe gazetarit Besnik Dizdari.

 “Ndeshjet sportive, përveç propagandës së Sportit përgjithësisht, duhet të shërbejnë për të bashkuar shpirtët dhe për të çfarosur tendencën dëm-pruerse antagonizmesh e cilla e futur edhe në sheshin Sportiv, do të përjetësonte midis viseve dhe qarqeve të ndryshme, zëmërime dhe mërina të cillat përkundrazi duhen çdukur”.  Këtë ka shkruar largpamësi Rexhep Jella si President.

Rexhep Jella Sarande
Rexhep Jella dalë në Sarandë si organizator i Scout Albania.

Anglezi i ardhur në Shqipëri për përkthimin e rregullores së futbollit Kolonel Dayrell Oakley Hill, i cili do t’sillte dhe dy djemtë e tij si gjykues, do ta përshkruante kështu mikun e tij Rexhep Jella: “Rexhep Jella ishte një burrë me taban dhe i shkathët, me flokë gështenjë e me një sjellje të përzemërt; ai njihte çdo njeri, fliste shumë mirë anglisht, turqisht, italisht dhe frëngjisht; njihte gjithashtu persishten dhe i pëlqente të lexonte poetë të vjetër. Ngiste një veturë origjinale Ford V8”.

Ford V8
Ford V8

Në këto kushte nuk mund të harrojmë dhe angazhimin e Rexhep Jellës në organizimin e Atletikës Shqiptare, kampionat që e ka fillesën më 2 shtator 1929. Komiteti Organizues i Kampionatit të Atletikës Shqiptare, kështu quhej, përbëhej 1. Rexhep Jella, 2. Rasim Kalakula, 3. Kolonel Bellocchio, 4. Hasan Lame, 5. Giandomenico De Marchis, 6. Kol Zadrima, 7. S. Pejani, 8. Harry Fultz. Për të treguar rëndësinë e figurës së Jellës në angazhimet sportive theksoj se dhe fjalimi në ditën e inagurimit të këtij kampionati, që i parapriu shumë kampionateve të tjera sportive, do të mbahej nga Rexhep Jella.

Persekutimet nga sistemi komunist mbi Rexhep Jellën.

Me krijimin e njeriut të ri në Shqipëri dhe me marrjen në dorë të atdheut nga mendjeartët e zbritur çobançe në qytet mori tëposhtën dhe jeta e Rexhep Jellës. Partia do ta akuzonte si agjent anglez e amerikan. Në fillim do t’i konfiskohej shtëpia, makina, e çdo pasuri tjetër në emrin e tij. Do t’i vidhej një numër i madh dokumentash e librash. Do të burgosej dy herë. Vëllain e tij Ramazanin do t’ia vrisnin me tortura në birucat e pararrestit. Po ashtu dhe të birin Jusufin do t’ia burgosnin. Mëpastaj do të dërgohej me punë të rëndomtë në një fshat të thellë të Kavajës. Atje nuk kishte të drejtë as për pension e as për triskë. Kështu vetkuptohet në çfarë kushtesh mjerane u katandis ky kolos intelektual, që s’kishte bërë asgjë tjetër vetëm t’i shërbente atdheut. Shtatë vitet e fundit të jetës së tij s’mundi dot as ta shihte më Tiranën e tij sepse lufta e klasave qe e kurdohershme, edhe për çdo lëvizje të tijën ai duhej ta deklaronte në Degën e Punëve të Brendshme. Kështu për të mos vënë më në siklet miqt e tij vendosi të mos vinte më në Tiranë. Vdiq me 1974 në varfëri dhe i harruar. Lutem shumë që i nderuari Rexhep Jella të na i falë mëkatet e çmendura, të cilat mbajmë në kurriz ne si popull. Prandaj këtë Euro 2016 djemtë e kombtares tonë kuqezi në Francë të luajnë dhe për Rexhep Jellën, largpamësin dhe futbolldashësin.

venaliu
Dekorimi “Nderi i Kombit” 2016.

*****************
Falenderime:
1. Studiuesit Niko Kotherja për fotot e Jellës që ndau me mua dashamirsisht.
2. Studiuesve të Shoqatës Tirana për biografinë studentore dhe politike të Jellës.
3. Studiuesit dhe gazetarit Besnik Dizdari për biografinë sportive të Jellës.
4. Faqes së komunitetit tironas, TIRONA, për promovimin e figurës së Jellës.
5. Bordit drejtues së Shoqatës Tirana që bënë të mundur dekorimin e Jellës.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: