“T’kom mor me dashni!”

“T’kom mor me dashni!”
nga Marsida T. Najdeni
Feb 20, 2019

Gjyshi im ia thoshte plot krenari gjyshes këtë shprehje. “T’kom mor me dashni!” Për brezin e tyre (lindur vitet ’20) e marra me dashuri ishte utopi. Bëhet fjalë në një periudhë ku në Shqipëri nusja e shikonte dhëndrin për herë të parë natën e martesës. Martesat bëheshin pra me mblesëri (shkesllik). Fakti ishte se im gjysh u flijua për nonën. Nona për atë ishte sublimiteti i egzistencës. Kur ktheheshim nga shkolla në drekë dhe nqse nona ishte duke pushuar, baba (siç e thërrisnim ne), na priste ke porta. “Kajçik t’keqen baba se fle nona” ose “Ju bofsha baba mos boni shamot se pusho nona.” Edhe megjithatë, ne të gjithë gjatë jetës tonë thamë “Jom tu shku ke nona,” edhe jo tek baba. Kishte raste që kur dilnim nga shkolla e “Kuqe” bëheshim mbi 10 kushëri njëherazi dhe mbanim frymën tek nona. Me merhamonin era sapun dhe përparsen më të omël na priste duke na thënë “Amon veç mos boni si t’babzit se s’ka njel njëri pa u fo naiher.”  Qoftet, byrekun, tavën e dhesë, groshën, qullin etj që bëntë nona ime ende si kam ngrënë nga një dorë e dytë, edhe pse ime më dhe tezet gatuajnë shumë mirë. “Nigjo nonën se grosha ftofet me voj” edhe vu vaji mbi fasule. “Mishi pjek shuhet me gjiz safi” thoshte nona që deshte të tregonte se tironsit gjithmonë kanë patur bollëk. Nona bënte gatimin, por ishte gjyshi ai që mbante trajset nga Pazari Ri dhe prokupohesh që shtëpia mos të rrinte kurrë bosh. Thumbat nga komshitë ose njerëz të afërm nuk mungonin, por ai kurrë nuk u bezdis dhe me plot dashuri furnizonte shtëpinë. “Si s’të pam iher t’kthehesh ka puna pa trajse, o zotni Bahri…” i thoshin gratë e lagjes. “Ja se e kom Qerimen pa qef” ia kthente gjyshi me atë urtësinë tipike të një tironasi autokton. “Po pa qef njeli kjo Qerimeja jote” qeshnin gratë dhe bashk me to gjyshi gjithashtu. Kur shkojshim me bujt ke nona, baba vite ke krevati e na thoshte “Ec ke baba notën po pate fryk ose je smun, nonën mos e ngit se u ka lodh shum sot.” Nuk kishte mbrëmje familjare, dasma, ose mbledhje shoqërore, që im gjysh mos të paguante orkestrën për t’ia marrë këngës së Qerimes me dedikim për nonën. Martesa e tyre qe e shëndoshë, edhe pse jetuan me frikën e “njollës në biografi” nga ku gjyshi im bëri burg e tortura, megjithatë brenda mundësive u përpoqën t’i marrin jetës më të mirën.

Qerime Struga dhe Bahri Tufina
Qerime (Struga) Tufina dhe Bahri Tufina gjatë fejesës.


Si e kishte marrë gjyshi nonën me dashni? 

Zija Tufina ishte çuni i xhajës së gjyshit tim. Zijai qe martuar me Haxhire Struga, e bija e tregtarit me namë për kohën Hysni Struga (gjyshi i këngëtarit Pajtim Struga). Gjithë tokat nga Bërryli deri tek Hoxha Tahsim ishin të Hysniut, që kuptohet me konfiskimet komuniste doli rru e qeth. Haxhireja (teze Xhiri) kishte një motër të vogël Qerimen. Qerimeja ishte vajza e vogël e familjes, kishte shumë diferencë në moshë me motrat e vëllezërit. Ishte e përkedhelur dhe nxanëse e shkollës “Nana Mretneshë”. Nga martesa e Zijait me Haxhiren e kishte njohur dhe im gjysh për herë të parë. I kishte mbetur mendja! Ija e modhe, gjyshja e Bahriut, e cila rrojti mbi 100 vjet, e kishte kuptuar këtë mpleksje të Bahriut karshi Qerimes. “Do ta morim Qerimen për Bahriun” rrite Ija modhe duke thënë nëpër shtëpi. Gjyshit tim i vinte turp, që sekretin ia kishte kuptuar gjyshja. “Tu pa tu bo, o Ije, t’martojm Meten iher” thoshte gjyshi si për t’ju shmangur situatës. Në traditën tironase çuni shtëpisë duhet të priste sa të martonte motrat njëherë pastaj veten. Vajza kishte rëndesi madhore që t’i bëhej respekti dhe detyrimet nga dera e babës në perfektësi, prandaj daja për tironsit është njeriu më i afërt.

Ndërkohë nona ime kishte shkuar tek studio Kallfa, një nga studiot më me emër në Tiranën e asaj kohe, edhe kishte bërë një set fotografish të vetes. Familja Kallfa më 2015 i dhuroi “Marubit” 2280 objekte të reja nga arkivat e familjes. Një nga fotot u pëlqeu shumë vëllezerve Kallfa, edhe me mirkuptim i kërkuan nonës t’ia vendosnin foton në vitrinë, kështu thithshin edhe klientelë, që edhe vajza të tjera të bëshin sete fotografish tek to jo diku tjetër. Sigurisht studio tyre ishte në qendër të Tiranës, paramendoni Tiranën e vjetër me pazarin dhe dyqanet rruazë. Aty në qendër punonte im gjysh, ashtu siç kishin bërë gjithë Tufinsit me breza para tij. Sapo del nga puna një ditë duke u kthyher për në shtëpi zemra rrak-tak kur pa Qerimen tek vitrina. Aq shumë ia mori mendjen fotografia e nonës saqë filloi gjyshi të kalonte asaj rruge edhe 3-4-5 herë në ditë veç të shihte Qerimen e tij. Duke pritur Meten të martohesh, po i digjte zemra Bahriut, por Metja ende s’po kishte mend. Çdo ditë fotografia në vitrinë sikur diçka brenda në zemër seç i thoshte. Nga dashuria që e mundonte e kaploi dhe xhelozia, gjithashtu dhe frika se Qerimen dikush tjetër mos ia merrte. As vetë nuk e kuptoi si një dite hyri tek studio Kallfa, u përshëndet me vëllezerit Mehmet dhe Osman Kallfa, të cilët njiheshin me tim gjysh. Pa u menduar gjatë im gjysh kërkoi të hiqej fotoja e Qerimes nga vitrina. Përgjigja qe se vajza e kishte dhënë vetë miratimin. “Osht e fejumja ime” tha gjyshi pa e kuptuar dhe as vetë, që sapo kishte shpallur fejesën. “Ohhhh, urime mër Bahri çar far goce paske mor!”  Me atë maskilizmin padashje të gjyshit arriti që të dilte me foton e Qerimes nga studio Kallfa. Sot mbas 80 vitesh atë foto e ka ime më. Shkoi në shtëpi Bahriu dhe zyrtarisht me familjen kërkuan dorën e Qerimes. S’qe e vështirë, sepse edhe nona kishte pas qenë duke pritur Bahriun, ndërkohe që kishte rrefuzuar disa raste të tjera.

Qerime Struga Tufina
Qerime (Struga) Tufina studente. Foto Studio Kallfa.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: