Si u bënë dibranët bijt e Tironës?

Si u bënë dibranët bijt e Tironës?
Nga Marsida T. Najdeni
15 Mars 2019

Mbas shiut del gjithmonë dielli, pra mbas çdo të keqeje ka gjithmonë një të mirë. Kur digjej Dibra karavanët me rrefugjatë lufte s’kishin të sosur. Ishte kalimi i Shkallës së Tujanit si një arterie i dërgonte dibranët në zemër të Tiranës. Prandaj dhe ajo rrugë është pagëzuar “Rruga Dibra” sepse nga qendra të çon drejt Tujanit. I largoi e keqja nga tokat e tyre dhe nga shtëpitë e djegura, por gjetën mirësinë dhe patriotizmën e vëlladashurisë nga tironsit.

Familjes Najdeni i është djegur shtëpia disa herë… nga bullgarët, osmanët, serbët dhe çdo zgjedhë tjetër që s’e bënë kurrë Dibrën me fol gjuhë tjetër përveç se Shqip. Shkollën e parë Shqip në Dibër më 1888 e hapi patrioti i madh Hoxha Said Najdeni ose siç njihet Hoxhë Vokrri. Ai me paratë e familjes botonte abetaren shqip në Sofie të Bullgarisë, abetare që e pati shkruar vetë me alfabetin e Sami Frashërit. Abetarja e Saidit quhet “Abetare e gjuhës Shqipe ndë të folun gegnisht”. Aktivitetet e tija për mëvetësim bënin që shtëpia e Najdenëve të qe gjithmonë nën sulme. Ai ishte një nga miqt më të mirë të Refik Toptanit, prandaj dhe buajtiet në Tiranë kanë filluar qysh në shek. 19. Dhe kështu çdo familje dibrane e ka nganjë histori sesi sulmoheshin, vriteshin, digjeshin nga të katërta anët.

Hoxhe_voka
Pikturë e Said Najdenit në Sofie, në duar mban abetaren.

Disa familje u larguan herët dhe nuk e humbën pasurinë ose kursimet, por shumë prej tyre humbën çdo gjë dhe kur zbritën në Tiranë ishin me “teshat e trupit”. Me çkam dëgjuar në familje shumë qytete nuk i pranuan dibranët në form aq masive sa bëri Tirana. Kjo për arsye se të përballoje asikohe dyndje rrefugjatësh do të thoshte ta kishe jo vetëm shpirtin e madh, por edhe xhepin e mbushur mirë. Falë Zotit tironsit i kishin të dyja. Tirana e përballoi dyndjen mirë sepse gjithkush hapi shtëpiat. Gjithkush e shtroi një votër të ngrohtë. U mobilizua i madh dhe i vogël. Tironsit falën dashuri, por edhe dibronët ia kthyhen mbrapsht. Nuk erdhën me prepotencë siç bënë ata të mbas 1944. E respektuan të Zotin e shtëpisë duke ia vlerësuar zakonet, pronën, qytetin, e gjithçka. Lindën ortakërirat e para, krushqitë e para, edhe në tavolinën e qytetit u ulën bashkarisht të barabartë. Shtëpiat i ndërtuan si ato të tironsave. Jetesën e bënë si tironsit. Dasma, martesa, vdekje, e çdo traditë i ndanin si tironsit. Punuan po aq fort sa tironsit pa shamata dhe pa ligësira.

Respekti reciprokë solli vetëm harmoni. Dibranët kurrë nuk harruan humanizmin e Tiranës, edhe Tirana nuk harroi kurrë dashurine e dibranëve. Ata u bënë me mëhallë në Tiranë, paçka se ka shumë familje dibrane jasht kësaj mëhalleje. Ata u bënë me prona, kujtoj vetëm familjen Tomini me prona të shumta në qytet e deri në Sauk. Kjo tregon qart shkrirjen e këtij komuniteti në gjënesën e Tiranës. Dibranët të pranishëm në Bashki e në prefektura. Nuk ka fushë të jetës në Tiranë me të cilën dibranët nuk u shkrinë dhe nuk e bashkëzuan. Kanë dhënë kontribute kudo. Edhe KF. Tirana ndër nismëtarë të saj ka dhe dibronë Tirone. E ku ka formë më të lartë qytetarie? Integrimi me besim dhe njësimi me dashuri hap horizonte të reja, një të ardhme të sigurtë. A ka sot dibranë Tirane që nuk kanë mbase një prind ose gjyshër puro tironas? A ka sot tironsa që s’janë të mleksur me dibranët e Tiranës?

dibra
A e dini se në Dibër të Madhe është ndërtuar Sahati në shenjë dashamirsie për Tiranën?

Shokohem kur lexoj sesi Artan Fuga, njeri i akademisë në Shqipëri, mendon se është ofenduese kur thotë “disa tironca po t’i gërvishtës pak dalin dibranë.” Kjo pra është bukuria e të ëmblës Tiranë, që ato që e deshtën si nonë i bëri bijt e vetes. I përqafoi dashamirsisht, u fali shumë dhe si dhuratë mori jetëgjatësinë. Prandaj kjo Tirona jonë është e pavdekshme. Ato që s’e deshtën si nonë jo e jo, por as dhe sa për sy e faqe e bombardojnë për ta ulur. U vjen inat pastaj që Tirana s’ia begenis sojin. Përse Amerika sundon botën? Se mblodhi botën aty në gjirin e saj dhe me breza i bashkëzoi në ADN-në e saj. Përse dibronet janë bijt e Tironës? Sepse u lindën, rritën, burrnuan e vdiqën në gjirin e saj. Im gjysh Vehbi Najdeni s’e pa ndonjëherë Dibrën e Madhe nga ku kishte ardhur i ati rrefugjat. Gjithmonë i thoshte tim eti “Rrefugjati kudo n’bot me shku ka me mbet dheh i hudhun, e merr era e shuhet, kurse ne dibronët zum rronj n’Tironë fal dashtunis së tironsave. Pranej mallku njaj dibron Tirone që s’bo për kët non t’modhe.” 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: