Ma largoni horrin nga zemra e Tironës.

Ma largoni horrin nga zemra e Tironës.
Nga Marsida T. Najdeni
2 Maj 2019

U mendova gjatë si ta ve titullin e këtij shkrimi. Një herë thash të them “cub” veçse edhe cubi ka ca rregulla shoqërore brenda rrethit që i përmbahet. Thashë pastaj t’i them “kaçak” ama s’doja të ofendoja kaçakët e famshëm anti-osmanë të Toskërisë si Shahin Matraku, Xhelo Selca, Kajo Babjeni etj. Vetvetiu më doli nga shpirti fjala “horr”. Nga fjalori i gjuhës shqipe del kuptimi i fjalës “horr” si “Një njeri me vese të këqija që sillet keq, pi ose luan kumar; njeri pa cipë e pa nder; rrugaç. Horr i horrave horr shumë i keq. Ishte horr i madh. Mos i beso atij horri!” Bingo! Ia gjeta fiks si t’i drejtohem personazhit në fjalë. Po e tregoj…

Krejt rastësisht duke kërkuar në Google Map më del mu në zemër të Tiranës, përkarshi me rrugën e Kavajës dhe Durrësit, shumë pak metra nga Sheshi Skënderbej emri i rrugës “Kajo Karafili.” U shtanga! I dhashë faqes rifreskim sepse nuk ma priti mendja se më 2019 në zemër të Kryeqytetit të Shqiptarëve një horr dhe anonim, që përveç se kumarxhi, kurvar, nuk diti gjë veçse t’i ulej Myslym Pezës në prehër, të vriste njerëz mbrapa shpine, nuk dha kurrgjë për Shqipërinë, mbolli vec hajdutëlliqe dhe luftë civile. Çmenduritat e atdheut tim janë marramendëse. Atdheu im i hedh eshtrat e Atit tonë Gjergj Fishtës në lumë, vendos emrin e një rruge në periferitë geto të Tiranës atij që ndaloi sulmin serb kundrejt Tiranës në Krujë tiranasit Nikolla Nishku, pushkaton elbasanasin e gjithanshëm Lef Nosin, edhe na vendos në piedestal 16 vjeçarin vrasës Kajo Karafili. Ka nga ata që figurën e një adoleshenti vrastarë janë përpjekur të na e shesin me romantizëm, me nostalgji, me allishverishet e atyre që dolën maleve me zënë dashnore. Horri po të ishte trim nuk vriste shqiptarët, nuk bënte atentate gjakut të tij. Komunist e partizan ishte dhe Muhamet Gjollesha, por nuk pranoi të vriste shqiptarët, doli kundrra spastrimit të gjakut të tij. Muhameti i lindur në Lazarat, me profesion inxhinier, ndoqi Shkollën e Mesme Teknike ku drejtor ishte amerikani Harry Fultz. Drejtonte gazetën e shkollës “Laboremos” ku shkrimet e tij spikasnin për liri, i majtë i thekur, antifashist, pjestar i Konferencës së Pezës dhe Mukjes, i përjashtuar nga Partia Komuniste në janar të 1944 për shkak të kritikave në lidhje me nxitjen e vëllavrasjes (27.al). Kajo Karafili horr, pa mbaruar as 8 klasa, vrasës me pagesë, kriminel qysh 16 vjeç, nxitës sherresh, vjedhës dashnoresh, vlla vrasës, na del hero me emër në zemër të Tiranës. I mora këto dy krahasime për ata nostalgjikët e LANC-it, se mos mendojnë se jam kundrra atyre që me mish e me shpirt luftuan për atdhe si Abaz Kupi, Mujo Ulqinaku me shokë. Jo ato që luftuan me pastërti u jap nderime pa fund. Jam kundrra atyre që sajuan historinë.

Screen Shot 2019-05-02 at 8.49.02 PM.png

Çfarë ka bërë horri për të qenë në zemër të Tiranës?
Citoj një artikull botuar në shumë portale online.

Vrasja e Kajo Karafilit, asokohe rreth 22 vjeç tregon dhe një herë se më së shumti ajo që u trumbetua si luftë antifashiste kundër okupatorit, nuk ishte gjë tjetër vetëm se një luftë mes shqiptarëve. Kajo Karafili është vrarë nga Ramazan Habili ose i njohur ndryshe si Ramë Habili, në mes të kampit partizan në Lis-Patros në rrethinat e Kavajas.
Por si lindi konflikti mes Ramë Habilit dhe Kajo Karafilit?
Sipas dokumentave të sigurimit të Shtetit për rreth dy muaj Rama ka qenë antar i forcave partizane në Pezë për shkak dhe të lidhjeve miqësore kryesisht me vëllain e Myslim Pezës, Shyqyriun. Në prag të kapitullimit të Italisë , u thirr nga Myslim Peza në çetën e tij, i cili i akordoi dhe gradën e togë-komandatit, detyrë të cilën e mbajti për rreth dy muaj. Duket se Peza këtu ka qenë dhe nisja e konfliktit me Kajo Karafilin, dy figurave të spikatura të çetës. Të spikatur se njëri pra Kajo Karafili, ishte krahu i djathtë i Muslim Pezës, i cili ushqente një dobësi të veçantë për të, ndërsa Ramë Habili ishte i njohur për bëmat e tij “si njeri që sta bënte të gjatë”, dhe nishanlli i madh në përdorimin e armës. Kajo Karafili, ishte sjellë nga Maqedonia ku kish ikur në ekzil, pas vrasjes së Sejfull Agës në fshatin Bllatë, të Pogradecit. Arsyet thuhet se kanë qenë për cështje morali, por nga propaganda komuniste trumbetohej se ishin politike, pra Sejfullai shtypte e shkelte popullsinë e zonës, dhe u ngrit një 16 vjeçar sa ishte Kajan Karafili në atë kohë, dhe e vret.

Ndërsa Myslim Peza kish ikur në ekzil pas vrasjes së togerit të xhandarmërisë Osman Balit tek Ura e Tabakëve, pas mosmarrëveshjesve që kishin pasur në shitblerjen e një kali. Sipas një prej dëshmitarëve të asaj kohe Peza dhe Karafili janë njohur në një klub pokeri në vitin 1938, dhe një vit më pas pra pas pushtimit Italian vjen i pari Myslim Peza, i cili pritet në Zvezdë të Korçës nga Dem Xhepa, miku i tij i hershëm tiranas. Pas dy javësh menjëherë pas tij vjen në Pezë nga Pogradeci dhe Kajo Karafili, i cili me ikjen e Zogut i kish mbyllur hesapet me drejtësinë! Atje njihet me Myrveten, vajza e vëllait të Myslimit e cila ishte e fejuar me Qemal Deliallisin, një djalë nga Shijaku, pjesë e çetës së Pezës, dhe i njohur për qëndrimet e tij antifashiste. Kajo Karafili fillon të flirtojë me Myrveten, dhe një ditë Deliallisi do i ankohet Myslim Pezës “Babë ky tosku po sheh shumë nga gratë tona, si do e ndajmë këtë punë”. Baba nuk flet, por urdhëron ta përcjellin mikun “deri pas përroit” që për antarët e çetës ishte një urdhër vrasjeje. Por Deliallisi, e kuptoi lojën dhe arriti t’u shpëtojë ekzekutorëve. Më pas ai formoi një formacion të tijin në rrethinat e Shijakut, por nuk doli kundër luftës komuniste. Preferoi mos ngatërrohej as me ballin por të luftonte për hesap të tij.

Gjithsesi në armiqësi personale me Myslym Pezën dhe Kajo Karafilin. U shpall në kërkim nga qeveria e asaj kohe, e cila vuri si shpërblim 2000 franga ari. U vra në qershor të vitit 1942 në Sallmone, pas një kurthi që iu bë në shtëpinë e një të afërmi të tij. Kjo kohë, pra pak pas vrasjes se Deliallisit, përkon dhe me ardhjen e Ramë Habilit në çetën e Pezës. Në një atmosferë të ndërë, ku Shyqyri Peza (vëllai Myslymit) ende s’e kish pranuar prishjen e krushqisë me Deliallisët. Madje ky i fundit hezitoi deri në fund t’i bashkohej kauzës së vëllait të tij, derisa u vra në mënyrë misterioze. Qëndrimi gjatë gjithë kohës bashkë i Myrvetes me Kajon, nuk la shije të mirë as tek Ramë Habili, një burrë zakonor duke pasur parasysh dhe mentalitetin e kohës. Në një çast i thotë Myslim Pezës “Lym, grat i kemi lënë nëpër shtëpi, këtu kemi ardhë të mbrojmë vatanin”. Kjo shprehje, ashtu si në rastin e parë sërish nuk u prit mirë nga Myslim Peza, i cili nuk duronte të flitej asnjë fjalë për Kajo Karafilin.

Nga ana tjetër, Rama ishte në sinkron me Shyqyriun kur shpreheshin se nuk është udhës që kollonat gjermane të sulmoheshin afër qëndrave të banuara. Ky veprim dashakeq mund të shkaktonte masakër tek popullsia e pambrojtur. Për të gjitha këto mosmarrëveshje Ramë Habili vendos të largohet nga çeta e Pezës dhe merr kontakte me krerët e Ballit, dhe më pas caktohet komandant për Kavajën. Pra brenda një kohe shumë të shkurtër, pas mbërritjes së tij nga Maqedonia Kajo Karafili, aso kohe 21 vjec kish arritur të bënte armiq deri në vdekje dy eksponentë të njohur të zonës mes Tiranës dhe Durrësit. (Droni.al)

faksimel_i_sigurimit_te_shteti_35485
Faksemaili i Sigurimit të Shtetit ku pranohet që Ram Habili ka qënë pjesë e çetës së Pezës.

Ramë Habili i vetëm qëllon në ballë “legjendën” e atentateve.

Ardhja e Gjermanisë bëri që Çeta e Pezës, të futej thellë nëpër fshatrat e Tiranës, Arbanë, apo rrethinat e Shijakut. Duke parë se tashmë s’kishin të bënin më me një kundërshtar si Italia, me të cilët partizanët mund të luanin si macja me miun bëri që edhe aksionet apo atentatet të rralloheshin së tepërmi. Beteja e Arbanës në Tetor të vitit 1943, tregoi se përballë kishin një armik i cili nuk tërhiqej kollaj nga pozicionet e veta dhe i çonte misionet deri në fund. Në këtë betejë, duhet theksuar se çeta e Pezës u ndihmua jashtëzakonisht shumë nga trupat e divizionit Firence. Përgjatë kësaj periudhe pra të ardhjes së trupave gjermane vihet re dhe një rënie e aktiviteti nga ana e Kajo Karafilit, i cili deri më atë kohë kishte bërë jo pak atentate në drejtim të atyre që konsideroheshin si “tradhtarë”. Gjygje dhe vendime që i merrnin maleve njerëz pa shkollë e pa nivel. 20 vjeçari vendoste fatet e shqiptarëve.

Çfarë e solli Kajon në Pezë?
Si fillim në vitin 1940 vret në një atentat Neki Bej Starovën, një personalitet i njohur i rilindjes kombëtare. Më pas, organizoi një seri atentatesh mes të cilëve dhe plagosjen e Shefqet Vërlacit, vrasjen e Ramë Selimit, Ramazan Balit etj, njerëz që kishin jo pak influencë në rrethet e tyre. Shumë prej tyre, me urdhër direkt të Myslim Pezës, i cili me disa prej tyre kishte dhe armiqësi të vjetra. Si në rastin e Neki Bej Starovës, te cilin akuzonte për vrasjen e Halil Lleshit mikut të hershëm të tij. Kjo bëri që Kajo, vetëm 20 vjeç të merrte namin e njeriut që të vriste dhe shkaktoi jo pak panik dhe në mes banorëve të zonës. Nga ana tjetër dihej që ishte koburja vrasëse e Babës dhe kjo bënte që të kishte liri të plotë veprimi në zonat ku vepronte. Një arsye tjetër se përse vetë Kajo me njësitin e tij, u strehua mes maleve ishte dhe gjuetia që kish filluar ndaj tij Ramë Habili, tashmë komandant i ballit në Kavajë.

ram_habili_35545
Ramë Habili

Myslimi ia njihte trimërinë dhe e dinte që ishte i çartur dhe për këtë ia kishte frikën dhe u mundua që mos përplasej asnjëherë përballë me të. Rame Habili nuk ja falte Babës faktin që e kish bërë “hasha” për shkak të Toskut, siç thirrej Kajo në atë kohë. Nga ana tjetër, thashethemet për prishjen e fejesës së Qemal Deliallisit me Myrveten, dhe më pas vrasja e tij duke e futur në kurth ende nuk ishin shuar. Kjo histori kish bërë që Kajo përkundër atyre që thuhen të shihej me sy të dyshimtë nga banorët e zonës, duke pasur parasysh dhe mentalitetin e kohës. Nga ana e tij, Rama e kish shpallur hapur armiqësinë dhe e kërkonte me çdo kusht Kajon të vdekur, dhe për shkak të vrasjes së Neki Bej Starovës, dhe për hir të miqësisë që ky i fundit kishte me Abaz Agën, babën e Ramë Habilit.

Vrasja dhe gjetja e trupit.
Ishte janar i vitit 1944 kur një grup i njësitit të Kajos rrëmben në vendroje një ushtar Gjerman me origjinë nga Austria. E mbajnë peng për rreth një javë, në kampin partizan në Lis-Patros, dhe sipas dëshmisë së tij Kajo u angazhua personalisht në tortura. Në një moment ushtari gjerman arrin të arratiset dhe e mban frymën tek komanda Gjermane fillimisht e cila ja adreson problemin Ramë Habilit, komandant i Ballit, duke ditur dhe problemet që ky i fundit kishte me Kajon. Dhe Rama nuk mendohet dy herë. Në aksion, kanë marrë pjesë tre persona, dhe jo ushtria gjermane siç mundohet të propagandohet. Dëshmitarët dhe të afërm të Ramë Habilit shprehen se kanë qenë vetëm tre, Ramë Habili, ushtari gjermanë i torturuar nga Kajo dhe një njeri i Ramës. Më datë 10 janar 1944 ushtari gjermanë ka shërbyer si udhërrëfyes për të treguar vendin ku ishte kampi partizan. Me gjasë, Kajo me të tijët si kanë dhënë shumë rëndësi arratisjes se ushtarit gjermanë, pasi nuk denjuan as të ndërrojnë vendin e kampit. Pasi zuri vend në një lartësi ku kish fushëpamje të mirë, dallon Kajon mes tyre i shkujdesur dhe me një plumb mu në ballë e lë të vdekur në vend. Çoroditja që pasoi kampin partizan ishte e madhe, dhe filluan të qëllojnë kuturu në ajër, ndërsa Rama me të tijët u largua qetësisht. Në raportimet komuniste thuhet se janë vrarë 100 gjermanë dhe Kajo hodhi 16 bomba. Pak mbas vrasjes së Kajos, vret veten, ose të paktën kështu është raportuar dhe Myrvete Peza, e cila ishte çarmatosur më parë nga forcat partizane, por kishin harruar t’i merrnin revolverin që mbante të fshehur diku në çorape. Vrasja apo vetëvrasja e saj, thuhet se ka ndodhur dhe nga presioni i ushtruar nga opinioni i asaj kohe për prishjen e fejesës…

Por ç’ndodhi më pas?
Megjithëse gojë më gojë ishte përhapur lajmi se Kajo Karafili është vrarë sërish në komunikatën e radhës të bërë pas dy a tre ditësh, nga Partia Komuniste pretendohej se Kajo vazhdonte luftën, ndërsa Rama nga ana e tij kishte shpërndarë lajmin se e ka vrarë me dorën e tij. Në këtë situatë, kur njerëzit s’dinin kë të besonin, Ramë Habili niset sërish në Lis – Patros dhe shtrëngon të gjithë personat që ishin në dijeni të tregojnë se ku është varrosur trupi i Kajo Karafilit. Pasi e gjen e merr me vete në Kavajë dhe Shijak për ta parë të gjithë se Kajo ishte vrarë. Vetëm në këtë mënyrë Partia Komuniste u tërhoq nga propaganda e saj fillestare dhe pranoi vdekjen e tij.

Kalimi në ilegalitet i Ramë Habilit.
Me ardhjen në fuqi të komunistëve pas nëntorit 1944, Ramë Habili do kalonte në ilegalitet, për të vijuar luftën e tij ndaj komunistëve. Krijon grupin e tij dhe bie në kontakt me grupet e ngjashme nga krahinat fqinje siç janë ai i Hamit Matjanit, Sul Selimes, Shaban Shelgut etj.. Reziston për 7 vjet me armë kundër regjimit komunist. Në fakt Ramë Habili përgjatë gjithë jetës së tij nuk është plagosur asnjehëre , duke u krijuar dhe një legjendë se atë nuk e kap plumbi. Kërkimet për Ramën, zgjatën për plot shtatë vjet dhe më pas thuhet se vdiq i helmuar. Ndoshta ka vdekur dhe për shkaqe natyrale, pasi autopsia nuk iu bë kurrë, por e sigurt është që sigurimi i shtetit nuk ka arritur ta vrasë. Njëlloj siç bëri ai me Kajo Karafilin, dhe forcat komuniste e ekspozuan trupin e tij për dy ditë rresht në qendër të Kavajës.

Lufta civile
Historia e vrasjes së Kajo Karafilit është historia tipike se çfarë ka ndodhur përgjatë periudhës 1943-1944. Është periudha ku plumbat adresoheshin mes shqiptarëve dhe që jo më kot u quajt si luftë civile. Vetë ushtria Gjermane ka qëndruar në jo pak raste indiferente. Në fakt dhe në gjyqin e Nurembergut, Shqipëria nuk u klasifikua si vend i pushtuar nga Gjermania Naziste, për shkak dhe të një marrëveshje që qeveria e asaj kohe bëri me ta. Problemi është se forcave komuniste u duhej një luftë për të justifikuar ardhjen e tyre në pushtet. Në shumicën e rasteve kanë qenë vrasje për inate personale, çështje imorale banale, ose qëllime politike sepse komunistët nuk donin rivalë. Në vrasjen e Kajo Karafilit, përgjatë gjithë kohës së sundimit komunist emri i Ramë Habilit nuk u përmend kurrë, por flitej për vrasjen e tij nga një snajper gjerman. E njëjta gjë vazhdoi të thuhej nga ata të paktë dëshmitarë komunistë të mbetur gjallë. Por duket se historia është krejt ndryshe. (droni.al)

— A janë shuar personalitet me vlera në atdhe që mbeti emri i një rruge në zemër të Tiranës të mbai emrin e një mercenari? Pse nuk ka një emër rruge për Doktor Kadri Kërçikun? Qysh më 1927 ishte i pari që shkruante për sëmundjet gjenitale kur ishte ende student. Doktori famëmadh njihet për eliminimin e sëmundjes së lebrës, sifilisit etj në Shqipëri. Pse nuk ka një emër rruge për Doktor Mentor Petrelën? Një ndër 100 neurokirurgët më të mirë në botë. Arritja e tij, operacion në tru duke e patur pacientin zgjuar, për këtë arritje New York Times e nxorri në kopertinë më 2015 (mos gabofsha i pari shqiptarë historia e të cilit del në kopertinën e të famshmes NYT). Po rruga Jonuz Tafaj, Haki Mulleti, Njazi Tirana etj me qindra patriotë, intelektualë, të dalë nga gjiri i këtij qyteti prej familjesh shekullore. Përse Tirana ende mbas afro 30 vitesh është e mbushur me emra rrugësh të personazheve të dyshimta? Figura që duhen rishikuar nga historia drejtë dhe pa luhatje. Ka me dhjetra e dhjetra emra rrugësh që duhen hequr nga Bashkia dhe rishikohen. Pse xhanëm heshtet? Ndoshta sepse komunistat s’janë larguar ende me të vërtetë nga pushteti. Për sa kohë kemi ende të vetëquajtur veteranë, me ditëlindje që i bie të kishin luftuar nga 5 – 10 vjeç, kjo lojë idioteske s’do të ketë mbarim.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: