Prona është mbas shpirtit

Prona është mbas shpirtit
24 Maj 2019

“Prona o mas shpirtit” kam dëgjuar shpesh ta thonin të rriturit kur isha fëmi në Shqipëri. Si rri kjo pronë mendoja mbas shpirtit?! Nuk rri plaçka mbas shpirtit jo më prona. Po si e merr pronën tjetri dhe e fut në shpirt xhanëm?! Ehu, kot dhe këto të rriturit, robi mezi e ka atë shpirt këta duan ta ngopin me prona. E kështu bluante truri im në formim e sipër teksa jetoja rritjen time në një periudhë tranzicioni, frike, rrëmuje të viteve 90-të. Ama vazhdimi ishte “Prona o mas shpirti kur e ke hak” dhe me këtë shtesën i jepnin kuptim si pronës, si shpirtit, ashtu edhe moralit.

Si e ka hak dikush një pronë? – lind pyetja. 
Normalisht e para dhe kryesorja është kur e ke fituar me djersë, të ka rënë bretku për ta patur tënden. Djersë pune dhe jo djersë kriminele. As nuk të quhet e jotja kur djersën e tjetrit ia rrëmben dhe bëhet ligji si shkopi Maliqit. Jo i nderuar bashkombas, pse tu tek ta zaptosh një tokë se e pe fushë a kodër boshe, nuk e bënë tënden. Le të ta legalizojë shteti sa të dojë për të t’blerë votën, por s’e ke hak dhe e pamundur ta kesh ndonjëherë. Sado ta punosh, tjetërsosh, zhvillosh pronën e tjetrit, por s’e pate marr me nder e me hak, s’ke për ta patur kurrë tënden dhe nuk e di sa e begatë do t’jetë. E kuptoj, i dashur bashkombas, që migrimi jot ishte sa ekonomik dhe gjeopolitik, por jo kur në pronën e tjetrit pa asnjë lidhje genetike çohesh e bëhesh milioner me pallate e godina marramendëse. As kur lidhesh me atë të fortin ose me atë politikanin nuk ta bënë atë pronë tënden. Edhe kur përpiqesh që ta dëmshpërblesh pronarin legjitim me çmim tregu 5 fish më pak s’tu ka bërë ende hak. Përpiqu ta dëmshpërblesh 5 fish më shumë se ça është çmimi tregut sepse ke 30 vjet që ia gllabëron, që e lodh. Atëhere edhe mund të ta quaj hak. A ta fitoi gjyshi a stërgjyshi jot me djersë? Këtë pyete veten, edhe do t’kuptosh se ke kryer akt hajdutërie, vjedhje prone, që në tërë botën e civilizuar do t’kishe ngrënë burg për një akt të tillë.

Prona kur nuk fitohet vetë asikohe trashëgohet nga prindërit e gjyshërit, edhe stër e stër gjyshër, për aq kohë sa ai haku i trashigimisë nuk cënohet. Këtu lind një problematikë tjetër. Sa di sot shoqëria shqiptare të zbatojë hakun e moralit? Sot zihen cuna hallash e dajash, edhe pse daja e halla e kishin pre fjalën si e ndanin atë pronë të trashëguar, që nga shpirti të kalonte me hak tek shpirti pasardhës. Zihen pillonjët kur hisa (pjesa) mund të jetë ndarë me zemër e me besim një brez më parë. Di raste që vëllai i ka dhënë motrës pjesë njësoj pa asnjë cm më pak, paçka se baba patriarkal s’ka dasht. Ama çohet fisi dënon vëllanë. Në këtë rast e ka hak vëllai çka ka marr, i lumtë! Di raste kur motra ka hedhur me letër me shkrim dore tek noteri se nuk do pjesë fare tek shtëpia babës, por nëse ka prona tjera jasht banesës së pleqërimit atëhere do pjesë njësoj si vëllai. Çohen fëmitë e vëllait (ose dhe vëllai) e marrin testamentin e bëjnë çorap me miqësira, me rryshfete, edhe del motra rru e qeth. Kjo pronë nuk është hak. Prishet harmonia, s’ka me shkueshmëri… ju rrofshin pronat. Nuk e di kush i mori pronat në varr që mendojnë këta të sotmit se do arrinë t’i marrin këta. Prandaj prona është mbas shpirtit, sepse gjëja më e moralshme aspak materiale është shpirti. Dhe nqse ti e le pronën të ta prishi shpirtin, nuk e ke hak. Po ia vodhe gjakut tënd, çfarë kuptimi ka më ajo pronë?!

Si e mori baba im pronën mas shpirtit me hak. 
Baba i babës tim, një Zogist i thekur, sepse thoshte në kohë të Zogut fitonte para për veten, ndërsa në komunizëm e ndante fitimin me Partinë. Kuptohet ndarje e detyruar. Nuk u ka marrë kurrë me politikë sepse ishte njëri i thjeshtë, puntorë. Po të qe gjallë sot do t’ishte 107 vjec dhe ka vdekur prej 36 vitesh. Deri momentin kur vdiq mbante foton e Zogut mbrapa pasqyre. Kur u erdhi plani për parafabrikate, ai u bë keq. Ishte lindur e rritur me shtëpi me bahçe dhe oborr. Ai donte odën dhe jo parafabrikaten. Kështu ra në ujdi me vëllanë e vogël. Blenë një tokë me kredi bashkarisht karshi rrugës, po në atë lagje, edhe ndërtuan shtëpitë ku jemi dhe sot, dy vëllezër me një kulm, me një oborr. Dy vëllezër me besime politike krejt të kundërta. Vëllai i gjyshit kishte studiuar në ish Bashkimin Sovietik. Ama, ata panvarsisht çdo gjëje fëmitë e tyre i rritën bashkarisht, si një shtëpi, çuna xhajesh e goca xhajesh nën një votër. Im atë është 75 vjeç. Ka qenë më i vogël se 12-13 vjeç kur ndihmonte familjen të merrte gurat nga Lana për themelet e shtëpisë, edhe derisa u plak nuk iu ndan kurrë suvatimet, meremetimet, çatia, oborri, tulla, etj. Mbizotëroi ndjenja e familjes mbi çdo gjë. Çdo hall që pati ai kulm me dy familje u nda bashkarisht. Vitet kaluan, dy vëllezërit vdiqën, sistemet ndërruan, trazirat ndodhën, erdhi mileniumi i ri, derisa një dite në portën e oborrit trokiti firma për pallat.

Kërkujt deri atë moment nuk i kishte rënë mendja tek ndarja, tek prona, tek hisa. Aq në harmoni kishin kaluar dy dyert e çunave të xhajave (se pleqt vdiqën). Këtu u bë dhe zbulimi i madh që asnjë nga fëmitë e dy vëllezërve nuk e dinte. Im gjysh me mirbesimin më të madh e kishte vendosur blerjen e pronës me kredi në emrin e vëllait të vogël. Ky i fundit në atë sistem mund të merrte kredi, gjë që gjyshit tim s’do t’ia kishin dhënë kurrë. Pagesën e kryenin të dy vëllezërit karshi kredisë, por emër kishte vetëm njëri. Pra, im gjysh e ime gjyshe, im atë (djalë i vetëm), hallat, s’kishin asgjë në emër të asnjërit. I vetmi emër në hipotekë qe i xhajës së babës, vëllait të gjyshit, i cili ka lënë dy çuna e tre goca. E imagjinoni dot çfarë bese kanë patur ata të dy dhe çfarë burrnie. A gjendet sot kjo? Nuk po them të shkojmë në anarkinë e pronës që solli sistemi totalitar, por jam duke parë anën morale, hakun. Fëmitë e xhajës direkte u angazhuan sesi t’ia dhurojnë gjysmën tim eti. Nga Greqia, Italia erdhën për ta firmosur aktin e dhurimit, sepse e dinin qe s’e kishin hak. S’mund t’ia merrnin xhajës, paçka se me ligj ishin krejtësisht në rregull, mund ta mbanin. Nuk kishte gjygj që do t’i jipte gjyshit tim pjesën, sepse s’figuronte në asnjë cop letër. Im atë i frenoi dhe u tha, që xhaja juaj s’më ka lind vetëm mua, mblodhi motrat dhe të emën dhe ua sqaroi. Hallat nuk e quajtën pronë atë shtëpi ku vëllai jetonte me familje, ku pleqëronin prindërit (gjyshja vdiq 92 vjeç më 2018), se ato kishin shtëpiat e veta. Atëhere më i qetë moralisht im atë pranoi t’ia dhuronin gjysmën e pronës fëmitë e xhajës me të cilët qe rrit në një votër. Edhe ashtu ndodhi. Edhe imagjinoni që dhurimi u bë mbasi tim eti i kishte rënë paralizë, pra po të donin e shfrytëzonin, por jo. Dhurimi u krye! Firma siç erdhi iku, pallat su ka bërë kurrë, as ka për tu bërë. Ne fëmitë e tij prej dekatash jetojmë larg. Prona u nda me hak e me njerëzillik. Familja nuk humbi harmoninë dhe as gjënesën. Secili në shtëpia të veta me nder. Dhe im atë ka të drejtë të thote “prona është mbas shpirtit kur e ke hak”.

Uroj ky blog të lexohet shumë nga ato që për 1 metër më pak a më shumë janë prishur me vëllezërit. Ata që nxorrën motrat pa pjesë kur vetë kanë marrë nga 17 hyrje, ose kanë shitur toka me kuintal dhe si dhanë vëllait a motrës asnjë dhurim nga fitimi. Ata komshi që i kishte ndarë gardhi 200 vjet dhe sot janë allnuar se firma ua ka bërë projektet çorap. Bosi firmës bën’ qef me vilë marramendëse me lulishte, juve ju rrofshin pallatet pa hapësira 3 metra ndër vete nën smogun e ndërtimit. Pretë pemët, zhdukët bahçet, hoqët deriçkat, plasën sherret, gjygjet. Uroj të lexohet dhe nga ata që vodhën tokat e tjetrit. Ata që zbritën të ardhur dhe me hunj e me dhunë rrëmbyen tokat. Nga ata që me kallashnikova vriten për vijën e ujit te tokat e zaptuara që i kanë pa hak. Nga ata që 70 vjet jetuan qyl në shtëpiat e huaja ku i futi Partia me mik. Edhe sot kan çuar pronarët legjitim (ato të hakut) në gjygje. Mësoni tolerancën, mësoni të thoni më fal, mësoni se njeriun nuk e bën prona. Prona mund të jetë mbas shpirtit vetëm kur pronari s’ka karakterin e ndyer. Mësoni të duheni!

*Foto kopertina: 25 dhjetor 1939 (majtas) im gjysh Vehbi Najdeni dalë tek berberhania ku punonte bashk me djalin e hallës Fuat Tominin.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: