Si e zbulova poemën më të bukur dedikuar Tiranës?

Si e zbulova poemën më të bukur dedikuar Tiranës?
22 qershor 2019
Nga Marsida T. Najdeni

PARASHTRIM
Gjërat e veçanta, ato që hyjnë në jetë nga mrekullia e një rastësie, aq papritur e aq ëmbël, gjehen gjithmonë sepse e deshte fati-kismeti. Kështu mendoj se zbulova me ngulmimin e pasionit gjurmues poemën më të bukur shkruar vendlindjes nga një tiranas i shpirtëzuar. Por si arrita deri tek poema?
Teksa qëndroja ulur në errësirën e një dhome spitali, aty ku dergjej e dashtuna fryma e frymës time, ime më, për tu larguar nga dhimbjet e realitetit teksa ajo dremiste, unë me kufjet në vesh krejt nga kureshtja klikova mbi vidion e botuar në youtube një vit më parë me titull “Alma dhe Merita, sfiduan regjimin me miqësinë e tyre” nga emisioni Dosja K. Mu duk pak aforfe, edhe komunizëm edhe miqësi në të njëjtën fjali. Historia u shpalos me aq shumë butësi nga dy zonjat dhe përjetimin e bënë aq të prekshëm sepse mënyra e shprehive ishte aq origjinale. Alma Liço dhe Merita Sauku u takuan ditën e parë të shkollës në Tiranën komuniste. Lindi dashuria midis dy vogëlusheve, që sot mbas gjysëm shekulli quhen motra, me një shikim dhe me një buzëqeshje ashtu si çdo fëmi me naivitetin e botës ku rrezaton. Alma dhe pse fëmi konsiderohesh e prekur politikisht, vinte nga ato familjet e kohës me “njoll në biografi”. Gjyshi i saj, Muhamer Liço nga Korça, ishte shkolluar për jurisprudencë në të famshmen shkollë amerikane të Universitetit Harvard. Ai kishte dalur hapur kundrra regjimit dhe për këtë ishte pushkatuar. Meritës aq ia bënte nga këto histori luftëra klasash, as donte t’ia dinte, jo vetëm se nuk arrinte ta kuptonte, por edhe kur u rrit, nuk e mohoi kurrë shoqen.

Screen Shot 2019-06-23 at 12.35.33 AM

Po shkëpus nga libri “Krahë të këputur” me autore Alma Liço.
“Teksa shtrëngoja dorën e mamës dhe vështroja e përhumbur fëmijët e tjerë,
m’u afrua një vajzë çamarroke, edhe ajo me një fjongo të bardhë, që

mbante dy tufa lulesh në duar. Ashtu si unë, dhe ajo shoqërohej nga mama
e saj. Në krahasim me mua, që isha fëmijë e zhvilluar mirë dhe e
shëndetshme, ajo dukej shumë e vogël dhe e brishtë. Më pyeti se në
ç’klasë isha, dhe kur mori vesh se edhe unë do të frekuentoja klasën e
parë, i shkëlqyen sytë. Ndjeva që ata sy të blertë dhe me shkëlqim të
veçantë kërkonin mbështetje, kërkonin mbrojtje nga misteri i një rruge të
pashkelur kurrë më parë. Ndërkohë më kapi dhe më shtrëngoi fort dorën
time dhe pas kësaj, asnjëra nga ne nuk e pati të vështirë të ndaheshim
nga mamatë tona. I harrova ndrojtjen dhe pasiguritë e mia. Pasi më dhuroi
një tufë me lule që sigurisht ishin për mësuesen, ashtu për dore u futëm
në klasën që na caktuan. Dashuria e kësaj vajze të vogël do të më
shoqëronte gjithë jetën.”

Tragjedia e Almës fillon në vitin 1968 kur ajo ishte vetëm 10 vjeçe në klasën e katërt. Familja e saj internohet në një fshat të zonës së Belshit të Elbasanit. Merita përlotet kur kujton sa tragjike ishte shkëputja nga shoqja më e ngushtë. “Ditët e mia u bënë të zymta” – thote ajo fort e emocionuar. Vuajtiet e Almës janë një rrugëtim i dhimbshëm. Duke qenë se ligji i persekutimit nuk kapte minorenët Almën e kthejnë tek gjyshja në Tiranë, e cila vdes kur Alma ishte vetëm 14 vjeçe. Për mos tu kthyher në internim tek prindrit ajo merret në shtëpi nga familja e Meritës.

Ndaloj vidion.
Rikthej intervistën.
Truri më thoshte: “Vej bast po s’qen tironas kto ke Merita.”
Ndaloj vidion ku del mbiemri i Meritës në ekran.
Merita Sauku-Bruci.
Bingo!

Të merrje në gjirin familjar fëminë e të deklasuarëve ishte rrezik i madh. Kërkonte guxim, kërkonte shpirtmadhësi, kërkonte botë. Nëna Meritës do t’i thoshte të bijës: “E bëmë, të dilte ku të dilte!” Tipik mentalitet që mban vulën Tirona kryekëput. Me gjithë përkushtimin dhe dashurinë nga familja e Meritës Alma nuk i shpëtoi internimit, ku e detyruan të rikthehet në moshën 16 vjeçare e deri në vitin 1991. Ndjej respekt karshi Almës, e cila ka kuptuar drejtë sa e nevojshme është të bëhet një zë i fort i viktimave të komunizmit. Gjithashtu një person që dhe pse i vunë aq shumë pengesa di gjithmonë të dalë në krye.

NJOHJA IME ME MERITËN
Aq e mahnitur isha nga historia që sapo kisha dëgjuar e parë. Doja me ngulm ta vërtetoja Meritën, më saktë identitetin e saj dhe nëse truri im e kishte patur gabim. E gjej në Facebook, Merita Sauku-Bruci dhe miqësisht i komentoj në një foto të babait të saj këto fjalë: “Mbiemri Sauku, mos ka qen gjë tirons?” nga ku më vjen një zemër e kuqe dhe një përgjigje “puro tirons”. I shpjegoj dashamirsisht me një mesazh se kush jam dhe si e gjeta Meritën dhe sa vite kisha pa vajtur në Tiranë. Ajo u befasua mjaft. Sigurisht e sjellshme dhe e dashur Merita më flet për veten. Është Prof. as. Dr. dhe Kërkuese shkencore në Akademinë e Studimeve Albanologjike ku ka botuar disa libra. Më tregoi për familjen e saj. Është e bija e pediatres mjaft të njohur Hana Sauku, e inxhinierit profesor Haxhi Sauku. Më bënë mua pyetjet e rradhës, nga ku dalim komshie shekullore. Mbas një bisede që zgjati disa ditë njihemi me far e fis dhe në fund të bisedës Merita kuptoi dashurinë time t’pashtershme për Tironën dhe tironsit. Nga kjo dashuria ime mori dhe forcën të ndante me mua një poemë nga viti 1994 shkruar nga i ati, Haxhiu. “Si është puna, babai ka dashtur ta botoi disa herë, por ia kanë rrefuzuar, mbase kështu e deshti Zoti ta zbuloje ti vajza mëhallelie e tij”. I dolën nga shpirti këto fjalë dhe qenë mjaft për mua të kuptoja sa e donte Merita kujtimin e babait. Aq me kujdes ka ruajtur ajo çdo material të tijin sa kur ma dërgoi ta shihja me shkrimet origjinale më mbeti mendja. Po aq me dashuri bashk me Olsi Ferrazinin ia paraqitëm tek faqja “Tirona” në Facebook. Një faqe me mbi 65 mij antarë.

Screen Shot 2019-06-23 at 12.32.28 AM


KUSH ËSHTË NJERIU I CILI KA SHKRUAR POEMËN MË TË BUKUR PËR TIRANËN?

Prof. Dr. Ing. Haxhi Sauku lindi në Tiranë më 1928. Që në fëmijëri shfaqi një dëshirë të fortë për shkollim. Rrethanat familiare e pengojnë vazhdimin sistematik, megjithatë përfundon rregullisht liceun më 1947. Po atë vit fiton të drejtën e studimit në Çekosllovaki, ku diplomohet më 1952 si inxhinier miniere dhe kthehet në atdhe. Caktohet si mësues në Politeknikumin e Tiranës, dega minerare. Gjatë viteve 1961-1963 vazhdon në teknikumin e ri të Prrenjasit detyrën e drejtorit të shkollës. Në vitin 1963 transferohet pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, Fakulteti Gjeologji-Miniera, ku punoi si pedagog deri në daljen në pension.

Prof. Dr. Haxhi Sauku, krahas fondit të madh të shkrimeve të botuara në fushën profesionale të xehtarisë dhe ndihmesën e saj në zhvillimin e qytetërimit njerëzor, ka botuar edhe një sërë librash mbi tejlashtësinë e panjohur të të folurës njerëzore. I dashuruar pas letërsisë dhe poezisë ka shkruar e botuar edhe albume shkrimesh e vjershërimesh të viteve 1943-1996.

Ing Haxhi Sauku
Prof. Dr. Ing Haxhi Sauku

 

PËRSE I DEDIKOI NJË POEMË TIRANËS?
Më qartë seç e ka shpjeguar ai vetë. Citoj nga kujtimet e Prof. Dr. Ing Haxhi Sauku:

Një dhimbje shpirtërore

Jam lindur e zhvilluar si pjesëtar i një familjeje të Tiranës, me prejardhje stërgjyshore nga kjo trevë e Shqipërisë së Mesme. Problemet e jetës i kam kaluar si të gjithë, por nga ajo, si mua dhe të gjithë qytetarëve autentikë të Tiranës, më ka mbetur thellë në shpirt një pakënaqësi: trajtimi i pakulturuar për një periudhë të gjatë, mbas bërjes së saj kryeqytet, i të gjithë mjediseve të saj nga pushtetarë të ndryshëm, kryesisht qytetarë të ardhur, që pak njihnin në thellësi karakteristikat e këtij vendi. Qytetarët e Tiranës, ashtu si edhe të fshatrave që e rrethojnë, përgjithësisht janë njerëz të punës me natyrë të butë, tolerantë e të respektueshëm, qoftë edhe në mjedisin e të thjeshtë e të varfër që kanë patur. Ndërhyrjet në qytet dhe tek qytetarët e tij, shpesh tepër brutale, në fakt nuk kanë patur reagime të egra prej tyre dhe më tepër janë kundërshtuar me qortime të heshtura. Dëmtimi i qytetarëve të Tiranës është bërë kryesisht gjatë viteve të diktaturës komuniste, por edhe tani në tranzicion; pasuesit e tyre shpesh nën petkun e “demokratit” e kanë cënuar dhe dëmtuar më tepër atë. Kësaj dukurie i kam kushtuar shkrime, por që nuk kanë dashur t’i botojnë ose i kanë botuar me cenzurime të palejueshme. Më kryesori mbetet shkrimi poemë për Tiranën si më poshtë.”


POEMA ME TITULL
“PSE HESHT TIRANË?!”

I
Kush e din se kur linde
Ti Tiranë
Në kryqëzim udhësh për karvanë
u ndodhe.
Oaz i vërtetë rrugëtarësh
nga çdo anë.
Udhëtari i huaj
bukurinë tënde vlerësoi
e të çmoi
pllajë bukuroshe lulëkuqesh
në maj.

II
Dikur, një kalorës, shpatullgjanë
në një hije mani, pyeti një nanë
kur e gjet më lëmsh pambuku pranë,
ndërsa tirrte fije të bardha
si flokët e saj:
“Më thuaj nanë,
ç’po ban këtu n’anë
krojit të kulluar?”
I huaji nga xhepi nxori
nji vegël dhe shenjë mori.
“Tirr’anë, nana, tirr’ anë…”
“Po me kët’ ujë prroji
shëndritës, ndër peta guri,
e bardha zanë, këndon apo qanë?!”
“Ah, goca! Po lanë…, lanë…”
Dhe i huaji diku shkroi:
“Ish një vend, me hije shumë,
me një prrua e, jo lumë,
me emra Tiranë
dhe Lanë…”
Kish pyetur po ai burrë
plakën, që s’lodhej kurrë:
“Pa më thuaj, kësaj here,
si ju zbardhen k’to lëvere
e ato mure, pranë çdo dere?!”
“Botë, fijë e gëlqere
Zoti na dha plot,
për sot dhe për mot.”
“I bardhë mali, i bardhë guri
e bardhë rruga, i bardhë muri,
në të bardha vishet burri
e bardhë lija, këmishlehta
e bardhë dita, e bardhë jeta
të bardhë zemrën n’troje t’veta
në Tiranë seç e gjeta…”
Tha i huaji larg kur shkoi
dhe këtë vend e përshkroi.

III
Ah! Ti zonjë Tiranë!
Në kohët që vanë
ç’kroje e puse, gjithëfarë,
kishe, ngado, vendit mbarë.
Njerzit, si sytë për të parë
t’i çmonin ndër vite.
Diku tutje, mes lëndinës
shpërthente Kroj’i Shëngjinës.
Ti, aty faltore ngrite.
Dhe kur Hyjnia shkoi,
kisha të qëndroi
E gjurmë lëshoi.

IV
Oh! Sa vizitorë,
ftuar e pa ftuar
n’troje tuaja shkuan.
Me dëshirë provuan
çka puna e Zoti
ty të kish dhuruar.
Miqësi Ti mbolle,
kur prite përcolle
si, më lart, ndër stane,
ashtu poshtë, në hane.
Shumëkush dhe të shau
shpesh edhe të vrau,
por s’e pat të lehtë
të të prishë… përjetë.
Se kudo te Ti gjeti
fllad e shije xheneti…
Kush prej tyre qe me mend
e me zemër… pa me vend
Të ndërtojë, si më parë
faltore mbi faltore,
Për qetësinë shpirtërore e trupore,
që Ti falje,
në çdo gurë, çdo arë…

V
Ty, qyteti im, si timen nanë,
Sa të ëmbël, aq njerëzore,
sa të pjekur, aq fëminore,
gjithkush, të desh pranë.
Dhe ky fillim shekulli
bukurinë ta lavdroi.
Kush pranë teje kaloi
mbi qytete tjera të çmoi,
të përshkroi e të vlerësoi
si vajzë “koketë” (1)
që e don Zoti vetë.
Çanë vitet nëpër luftra,
Tiranë
Shpesh, mbi Ty, të ashpra putra
ranë
E, kur Ty, të qetë e njerëzore
të panë,
Prap me lakmi deshi, kushdo
të të jetë pranë.
Edhe Kuvendi i Madh të gjeti
Si qendrën e një shteti (2)
të ri, shqipëtar.
Por kësaj rradhe, vërshuan ngado,
si asnjëherë më parë.

1. Përshkrim i shkrimtarit çek, Stanislav Neumann, në vitin 1916.
2. Kuvendi i Lushnjes

VI
Më parë, Ti shihje
miq e armiq, gjithëfarë,
që turreshin mbi Krujë, Arbanë…
Por sot, te Ti po vijnë
Valë me njerëz, që lenë malësinë,
lenë krahina, muhaxhirë,
ca të mirë, ca të nxirë
dhe, ndër troje Ty t’u shtrinë…
Si s’e humbe qetësinë
e s’prishe zemërgjerësinë?!
Me at tënden bujari
i strehove e, pranove
bashkë me ta të jetosh.
Zemër Krishti pate
e simbol paqe mbete
edhe kur të tjerë,
thonjtë t’i ngulën në trup.
Ti vështrove e, prap, heshte
me sy vetëm, sikur u the:
“Të kini turp!
jeni mysafirë
e miq të lirë,
pse me ligësi, çdo të mirë
doni ta vrisni?!”
Si hibrid, këtu, kush të jetë
le t’kuptojë se kjo jetë
të keqen nuk e duron.

VII
Të mbretnisë a t’republikës
prap, Ty fort të qëlluan.
Humbën ndjenjën e etikës
bashkëjetesën keq ushtruan.
Dhe Ti, prap, heshte Tiranë.
Mendove si qëmoti:
të padrejtët i vret Zoti.
Si Krishti, ktheve faqen tjetër
tashmë t’ rreshkur e të vjetër.
Por i Keqi t’u bë ferrë
në çdo portë, në çdo derë
si murtajë të puçrroi trupin
me gota e piu turpin.
Shumëkënd shkatrroi e vrau
Dhe kokën fare s’e çau.

VIII
Të grabitën toka, troje
pa pikë mëshire e droje
se të gjetën të urtë, të butë
pullumbeshë që s’njeh skifterë.
Mbi kokë, si Krishtit të ndjerë,
kurorë gjembash për të therë
të vendosën, t’bënë të mjerë.
E, Ti heshte dhe prap hesht,
kur pe se n’theqafje ranë
ata, që i mbajte pranë
si miq e mysafirë,
shpifarakë, aspak të mirë.

IX
Por, prap sot turren n’bashkësi,
trupin më tej me ta gri
bashkë me hibridë të ri
gjithçka shqyejnë n’pabesi.
E, Ti prap hesht.
Hesht se të kanë mbyllur gojën,
se n’kurriz Tand luajnë lojën
e “njeriut të parë,
të mençur e të mbarë”.
Dreqit, që Zotin paska parë
e i paska thënë:
“Vazhdo! Grijë e copto!
Ku të mundesh vidh e shkatërro!”
Hesht Tiranë
edhe pse t’linjtat t’i hoqën
kopshtet, lulishtet t’i dogjën
t’veshën n’rrecka ngjyra-ngjyra
që t’ndryshojë trupi…, fytyra.
Koketë ishe e më s’je
Se vehten SFINKSIT ia le.

X
Por, thonë: “Jeta i ndrron vallet
e zjarri djeg mëhallet.”
Ndoshta, do të vijë një ditë,
që Ti ke me u përtritë,
dhe, si Krishti, që ringjallet.
do t’i fshijë të zezat, hallet.
Do t’hapet dhe gojë e thatë
e s’do ndihesh më e ngratë.
do lulzosh me blerim pranë
si kryeqytet…, Tiranë.
Do pastrosh vehten nga morrat,
që, ndër vite sollën horrat.
do kullojsh, në qytetërim,
ujrat që ke në vërshim.
I shtrenjti, qyteti im!

Mbase do bëhesh prap zonjë
Veshur në t’linjta ilire,
Mbush me bukuri e hire.

Epilog
Sot kjo zemër dhe kjo nanë
që kam me Ty, këtu pranë,
më thotë: “Më fort ngrije zanë!
Mos rri e heshtur, TIRANË!

Nëndor 1994
Prof. Dr. Ing Haxhi Sauku


PËRFUNDIMI

Historia më lart na mëson se idealet e partive nuk janë idealet e duhura për të jetuar jetën. Një popull po humbi humanizmin ka humbur çdo gjë. Prandaj për aq kohë sa do t’egzistojnë miqësira si e Almës dhe Meritës kjo botë do t’vazhdojë të ecë përpara paçka peripecirave.

Ndërsa poemën kur e kam lexuar për herë të parë mu mor fryma nga madhështia e saj. E kam rilexuar me dhjetra herë dhe për çdo herë më bien buri në kokë kur e mbaroj. Aq fort më emocionon! Cilido që vërtetë e do qytetin tonë me dhembshurinë e një nëne duhet t’i bulçazë kjo poemë. Si ndodh që mbas 25 viteve kjo poemë është më e gjallë se kurrë? Sepse problemet mbi Tiranën u shtuan. Poema të merr përdore si një fëmi dhe të shfaq vendlindjen në trajta dhe kontekste të ndryshme. Lind poema siç lindën bash dhe legjendat mbi Tiranën. Shtrihet poema bash siç u shtri jeta e Tiranës ndër shekuj e ëmbël dhe e qetë me banorët e saj autoktonë qelibar. Lëngon poema bash siç lëngoi dhe lëngon Tirana. Shpërthen poema, tronditet poema, por Tirana hesht. Lutet poema, digjet ndër vete poema, por Tirana hesht. Poemën ta lexoni më nostalgjinë e Tiranës ku u rritëm, në fund të saj do të ndjeheni keq si e lamë të vetme.

*Falenderoj Prof. as. Dr. Merita Sauku-Bruci për poemën që ndau me mua, për çdo material që nuk kurseu, edhe për bisedat mjaft të këndshme. 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: