Tirana intelektuale: shkrimtarët tiranas të përvojtur.

Tirana intelektuale: shkrimtarët tiranas të përvojtur.
19 shtator 2019
Nga Marsida T. Najdeni

Që shkrimtarët tiranas janë lënë në harresë me vetëdije nga një sistem krahinor qeveritar është e thjeshtë të kuptohet. Edhe harresa një form persekutimi është në vetvete, por këtu gjithësesi do flas për vuajtie fizike, shpirtërore, humbje njerëzore. Mund të themi se poeti i shek. XVIII-XIX Zenel Bastari është i harruar, persekutuar me harresë si poet. Botohet puna e tij e plotë vetëm në vitin 2003, gjithësesi jo i përvojtur vetë. Ndërsa heronjtë e shkrimit këtu janë të tillë. Ibrahim Dalliu i torturuar, i burgosur, i përndjekur. Ibrahim Hasnaj i burgosur 10 vite dhe internuar 5 vite, i përndjekur dhe i pambrojtur. Fiqri Llagami i burgosur, i përndjekur dhe i vrarë në burg. Xhemal Farka i burgosur dhe i pushkatuar, pa eshtra dhe pa varr. Mustafa Greblleshi i burgosur dhe i përndjekur. Xhemal Kusi kreu diku tek 8 vite burg nga 15 vite dënim, u sëmur burgjeve, i përndjekur dhe lënë mënjanë. Po kush ishin këta shkrimtarë, kërkues e gazetarë tironsa?

Ibrahim Dalliu 1878 – 1952
Lindi në Tiranë në një familje qytetare. Ai ishte teolog, përkthyes, poet, publicist, mësues dhe aktivist shqiptar. Një nga mësuesit e parë të Normales së Elbasanit. Shkollë që pa kontributin e tiranasit s’do të hapej kurrë. Ja çfarë shkruante Aleksandër Xhuvani “Normalja ka në themelin e saj djersën dhe kontributin e Hafiz Ibrahim Dalliut.” Nuk do të ndalej me kaq. Ishte lufta dhe puna e tij e pandalshme, që bënë të hapej shkolla e parë shqip femërore laike në Tiranë më 1908. Mësuesja tiranase Servete Maçi ishte e para e këtij lloji. Ishte ndër të parët që nguli këmbë se feja islame duhej studiuar e njohur vetëm në gjuhën shqipe. Prandaj, ai është shqiptari i parë që e përktheu Kuranin nga gjuha arabe, pra direkte nga origjinali. Ky Kuran është shtypur më 1929 në shtypshkronjën “Ora e Shkodrës” në format 23×15 centimetra.
Publicist në disa gazeta në vend si ato të Tiranës, Shkodrës, Korçës ku shkruante me pseudonime të ndryshme. Satirist i lindur dhe kalorës i të drejtave sociale. Opozitar i çdo qeverie dhe partie, sepse besonte në idealin se atdheut i shërbehet vetëm po të jesh gjithmonë në opozitë. Disa nga publikimet e tija:

  • Grenxat e kuqe të Tiranës, poem satirike në vargje, 1915.
  • Poema “Një andërr e imja” me 681 vargje, 1921.
  • Dokrrat e hinit, satirë në vargje, 1922.
  • Patriotizma në Tiranë, botuar më 1930.
  • Texhvidi (Rregullat e leximit të Kuranit), botuar më 1921.
  • Dhanti e Ramazanit, botimi i parë 1921.
  • Ç’është Islamizmi, 1935.
  • Besimet e muselmanëve, në vargje. Botimi IV më 1937.
  • Libri i së falmes, botuar më 1937.
  • etj, etj.

Jeta e Dalliut ka qenë me peripecira sepse ai jetoi vetëm për fe-atdhe. Si patriot i orëve të para ku më 25 Nandor 1912 shpalli Pavarësinë në Tiranë bashk me parinë e qytetit. Ai kishte vojtur burgjet e pushtimit osman dhe vuajtiet e atij pushtimi si atdhetar. Por, një burg tjetër i rëndë qe ai i komunistëve, të cilët e burgosën dhe torturuan në moshën 70 vjeçare. E dënuan në vitin 1948 me 5 vite burg për “agjetacion e propagandë”. Doli nga burgu para kohe i sëmurë dhe vdiq më 1952. Kështu fill mbas daljes nga burgu vdiq i sëmurë, bashk me të u harrua dhe vepra e tij, e cila do të publikohej mbas viteve ’90.

maxresdefault
Patrioti tiranas Ibrahim Dalliu me sfond Tiranën.


Xhemal Kusi 1900-1970
Lindi në Tiranë në një familje qytetare. Krysekretar i Ministrisë së Drejtësisë, nacionalist, përkthyhes dhe studiues. Ditëlindja 1900 është e verifikuar nga gazetari Petrit Kusi, nip i Xhemalit, i cili ka shkruar gjatë për z. Kusi. Megjithatë, kujto.al e ka ditëlindjen e Xhemalit më 1901. Me vdekjen e parakohshme të t’atit, Xhemal Kusi u rrit nga gjyshi Zyber Hallulli, klerik patriot, humanist, themelues i së parës Strehë Vorfnore. Studimet plotore i ndoqi në Tiranë, gjimnazin e kreu në Medresenë e Stambollit dhe vijoi studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Vjenës, në Austri. U emërua menjëherë Kryesekretar i Ministrisë së Drejtësisë, detyrë, të cilën e mbajti deri në vitin 1939. Në kohën e luftës qe lidhur me Abaz Kupin dhe, për ndihmesën që kishte dhënë, arriti të bëhej anëtar eksponent, deri në Këshillin Qëndror të Lëvizjes së Legalitetit. Me këtë përgjegjësi ai mori pjesë në Konferencën e Mukjes dhe në atë të Zall Herrit në vitin 1943 përkrah forcave nacionaliste. Në vitin 1945 arrestohet dhe dënohet me 15 vite heqje lirie, ku kreu 8 vite burgim në Burrel dhe Kavajë. Duke qenë se Xhemali ishte poliglot ishte marrë me përkthimin e shumë veprave artistike, të cilat nuk iu botuan kurrë. Duke pasur kujtesë të fortë e të saktë për ngjarjet historike të jetuara nga vetë Xhemali dhe nga materialet që lexonte, ai hartoi një monografi historike prej rreth 200 faqesh dorëshkrim ku vihen në dukje ngjarje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare në Shqipërinë e Mesme në vitet 1913-1925. Ky material ndodhet i arshivuar në Institutin e Historisë dhe ka tërhequr vëmendjen e historianëve tanë për ngjarjet që paraqet dhe tezat që ngre. Një nga të interesuarit për botimin e këtij studimi mjaft serioz është dhe albanologu Hasan Bello. Me Hasanin jam në komunikim dhe shpresoj se do t’arrijmë t’ia nxjerrim në dritë këtë studim. Xhemal Kusi pasi studioi “Fjalorin e Gjuhës Shqipe” të vitit 1954, ka nxjerrë nga ky fjalor të gjitha turqizmat që janë huazuar nga gjuha turke në gjuhën shqipe dhe i zëvendësoi këto fjalë me ato të gjuhës tonë. Studim voluminoz nga ana e tij. As kjo punë e vyer nuk e ka parë ende dritën e diellit. Ndjej vërtetë keqardhje që njerëz të tillë i mbulon harresa dhe në një farë mënyre ende përndiqen nga shoqëria jonë. Falenderoj të ndjerin Petrit Kusin për informacionin mbi Xhemal Kusin.

Xhemal Kusi
Intelektuali tiranas Xhemal Kusi


Ibrahim Hasnaj 1912-1995
Lindi në Tiranë në një familje qytetare. Ai ishte poet, shkrimtarë, përkthyhes, publicist, gërmues, fetarë dhe patriot. Ibrahimi shkruante me pseudonimet Hima, Bardhyl Nizami, Fatmiri, Linveriu, Cen Qytyku. Ai ishte sekretar i përgjithshëm i paraluftës për gjithë Komunitetin Bektashian dhe kryeredaktori i periodikut Bektashianë që botohej nën emrin “Djersa”, nga të cilat u botuan tetë botime deri në vitin 1947. Një studiues i kategorisë së parë. Ndër vite pa u lodhur mblodhi me përkushtim gjithë punën e poetit tiranas Zenel Bastari me ndihmën që dikur i kishte dhënë dhe tiranasi Ibrahim Dalliu. Gjithë punën kërkimore ia dhuroi Katedrës së Letërsi – Gjuhësisë në  Universitetin e Tiranës në vitin 1959. Hasnaj vazhdoi të mblidhte punën e Zenel Bastarit deri më 1970, edhe pse me dekada dhe deri vonë nuk mori ndonjë farë respekti dhe njohje për këtë punë. Studioi dhe mblodhi gjithashtu punën e mikut të tij, kompozitorit dhe muzikantit elbasanas, mjeshtrit Jusuf Myzyrit. Jusuf Myzyri periudhën që rrinte në Tiranë e kalonte në shtëpinë e Hasnajve. Po ashtu Ibrahimi shkruajti dhe përmblodhi gjithë jetën e patriotit, shkrimtarit, e mikut të tij, Ibrahim Dalliut. Mos të harroj punën e tij publicistike tek revista “Njeriu” përkrah tiranasit tjetër Fiqri Llagami. Në vitin 1947 do të dënohej me 10 vite burg. Aty do të vuante burgun bashkarisht me Mitrush Kutelin, Petro Markon, Mirash Ivanaj. Mëpastaj do të dënohej me 5 vite internim. U mbajt gjithë kohës nën mbikqyrje prej Sigurimit te Shtetit. Nuk u vlerësua kurrë për intelektualizmën e tij. Ibrahim Hasnaj është autori i tre punimeve voluminoze: “Unë dhe ndiesitë e mia”, 1939. “Lot skamnorësh”, 1940. “Rreze të zjarrta”, 1980. Këto punime mistike, sociale, nacionaliste, fetare, nuk e panë dritën e diellit me vite e vite. Ende nuk e di a janë botuar të gjitha. Vetë autori vdiq pa i parë të publikuara. Më 27 janar 1991, direkte mbas rrëzimit të rregjimit, ai u vendos Kryetar i parë për komunitetin bektashianë.

Ibrahim Hasnaj copy
Fiqri Llagami 1913-1978
Lindi në një familje qytetare. Ai ishte gazetar, publicist, analist, kritik letrarë. Janë me qindra artikujt e tij në shtypin shqiptarë të viteve ’30-’40. Ka shkruar me emrin e tij dhe pseudonimet Fllami, F.Ll, Tiranasi, Shok tiranasi, etj. Nuk ka gazetë që nuk ka një shkrim të Fiqriut. Disa nga gazetat ku ishte i rregullt ishin Drita, Besa, Shqiptarja, Shekulli i Ri, Ora, Shqipnija, Njeriu, Tomori, Java, Kuvendi Kombtar. Ia vlen të theksoj, se mbas një bisede personale timen me Viril Llagamin, djalin e madh të Fiqriut, mësova se revistën Shqipnija e kishte mbajtur me financat e veta. Unë e dija se Fiqriu ishte krijuesi dhe drejtor i saj, por paska pas qenë dhe pronarë i saj. Sipërmarrje mbresëlënëse. Revista Shqipnija ishte me tone kombëtare, anti pushtuese, ku kërkohesh mirqënia e popullit shqiptarë në Ballkan dhe viheshin në dukje shfrytëzimet e burimeve shqiptare. Për të kuptuar gjamën e larmishme të shkrimeve dhe njohurive të Fiqriut, po përmend një pjesë të vogël publicistike tijën:

  • “Gjëndja e përgjithshme e artit. (Edhe mbi mundësitë e zhvillimit të artit në Shqipëri)”
    – Besa, 1932, nr. 433, 21 dhjetor, f. 4.
  • Bashkimi i studentave: (Mbi mundësitë e krijimit të një organizate)”
    – Ora, 1931, nr. 327 – nr. 329, mars f. 2.
  • “Vjeti i ri dhe Djelmënia e Goethes. (Domosdoshmëria e pregatitjes së një brezi të ri të kulturuar për të ardhmen e vendit)”
    – Besa, 1932, nr. 441, 31 dhjetor, f. 3.
  • “Cili asht gazetar? (Mbi profesionin e gazetarit)”
    – Besa, 1934, nr. 926, 14 gusht, f. 3.
  • “Randsija e turizmit dhe nevoja e nji organizimi për Shqipnin.”
    – Kuvendi kombtar, 1934, nr. 22-23, 28 qershor, f. 5.
  • “Këshilla për Djelmnin Shqiptare. (Ç’asht koha. Si mundemi me e përdorue)”
    – Shekulli i Ri, nr. 95, 18 tetor, f. 3.
  • “Lirija. (Mbi konceptin e lirisë dhe lirija në formacionet e ndryshme shoqnore)”
    – Shqipnija, 1944, 15 maj.
  • “Italija kërkon prap Shqipnin: (Mbi pushtimin e Shqipërisë nga Italija fashiste dhe shfrytëzimi ekonomik)”
    – Shqipnija, 1944, 17 prill.
  • etj, etj.

Ndër të parët që i doli përkrah gazetares Selfixhe Ciu, e cila shkruante me pseudonimin Kolombja. Poezitë e saj për emancipimin e gruas prekën opinionin publik të asaj kohe. Ndërsa Fiqriu do ta mbronte duke shkruar “Kjo vajzë është flamurtarja e revolucionit tonë, që me punën e vet don me rrëxue nji shkamb, që ka tabelën e veseve të këqija shqiptare.” Mjafton kaq për të kuptuar se Fiqri Llagami ishte dera ku përplaseshin shumë shkrimtarë e gazetarë të rinj të periudhës ’30-’40. Ai kishte mbaruar për gazetari në një nga universitetet më me emër të Europës, në Sorbon të Parisit. Domosdo dhe pozitat e tija në atë periudhë ishin të një personazhi që në botën e gazetarisë dhe publicistikës vlerësohej shumë. Një tjetër punë madhore është libri me 3 vëllime “Studime kritike mbi njerzit e mdhaj” botuar më 1933 kur ai ishte vetëm 20 vjeçar. Familja e tij fatkeqsisht ka 1 nga 3 vëllimet, kështu mundësia për ribotim është minimizuar. Lutemi që puna e këtij vigani publicist të njihet e plotë një ditë. Mendoj se populli shqiptarë i ka një borxh të madh. Ai vdiq në burgun komunist dhe u varros pa u lajmëruar familja, që në vitin 1978 e mori vesh krejt rastësisht vdekjen e tij.

Fiqiri Llagami1
Gazetari tiranas Fiqri Llagami me të shoqen pak para se të burgosej e përndiqej.


Xhemal Farka 1913 – 1948

Lindi në Tiranë në një familje qytetare. Ai ishte satirist, kritik, hulumtues, gazetar në Zërin e Amerikës në Jeruzalem dhe gazetar në Radio Bari. Përsos se shkruante me emrin e tij të plotë përdorte pseudonimet si Sula i Fajes, Xh.F, Xhefar etj. U shkollua në shkollat fillore dhe 8 vjeçare të Tiranës. Ndoqi studimet pranë Institutit Amerikan Harry Fultz po në Tiranë. Xhemali shkëlqeu si student, u diplomua me rrezultate të larta dhe tregoi përgjatë gjithë jetës studentore në Tiranë një zgjuarsi të hollë. Prandaj dhe intelektuali Sotir Kolea do ta dërgonte me bursë shtetërore në Universitetin Amerikan të Beirutit me detyrë që Xhemali të studionte koloninë e shqiptarëve të atjeshëm. Këtë e vërteton dhe Musine Kokalari në librin “Si u krijua Partia Socialdemokrate” ku në faqe 47 shkruan se “Xhemal Farka (emri i pendës “Sula i Fajes”) kishte qenë student i Sotir Koleas dhe që shkruante qysh nga koha e gjimnazit”. Mik i afërt me Lef Nosin, Mirash Ivanaj, Branko Merxhani etj. Kryesisht shkruan për problemet sociale që kalonte shoqëria shqiptare.  Xhemali ishte me bindje perendimore social demokrate, prandaj shkruante shpesh kundrra kushteve me të cilat jetonte popullata, ose gjendjen e dobët ekonomike me të cilën ballafaqohej fshatari shqiptarë. Një nga shkrimet prekëse të tijat “Fëmijë të natës” ngre lart problemin social të lypësëve të rrugës. Edhe pse shkruar më 1936 fatkeqsisht aq real dhe sot.

Citoj: “Kemi vue ré shpesh herë se fëmijë të vegjël të vobegët shëtisin natën rrugë-më-rrugë e kafe-më-kafe tue lypë lëmoshë. Mërrinë mes-nata dhe ata, të këputun për gjumë, këmbë-zbathun, të pa-veshun mirë dhe tue mbërdhifun vazhdojnë të lypin. Tashti lene se ditën lypin, po natën, që gjumi për fëmijët asht aq i domosdoshëm, pse pa-gjumësija u a shkatrron shëndetin, natën s’duhen lanë. Ata nuk dalin me lypë me vullnet të vet, prindët e tyne i dërgojnë me zor, për me jetue në kurriz të të vegjelve të tyne! Asht tragjike puna!…” 

Ndërsa shkrimet me pseudonimin Sula i Fajes i ka në dialektin tiranas dhe me një llogjistikë të goditur. E bënte të gjithën këtë me një humor të hollë e të butë qytetar tiranas. Mbështeste emancipimin e femrës shqiptare, jo më kot motra e tij është nga të parat studente femra të ekonomisë në Instituin Amerikan të Tiranës. Luftonte fort patriarkalizmat e mashkullit shqiptarë dhe ëndërronte për një Shqipëri intelektuale, ekonomike, humane. Aq i dashur u kthye “Sula i Fajes” për lexuesit sa gazeta “Arbënia” do t’i kushtonte atij një kollonë javore në gazetë me siglen “Muhabet tirançe”. Kryekëput shpikje e tija kjo kolonë gazetarie. Ai kryente hulumtime folklorike në trevën e Tiranës. Ai mblodhi proverba gojore t’harruara dhe i botoi ato në një rubrike letrare që e titulloi “Nga Folklora e Tiranës” të vitit 1934. Këtë ia kishte vënë re dhe Sotir Kolea prandaj dhe e dërgoi për studime kërkimore. Disa nga shkrimet në shtypin e kohës:

  • “Muhabet tirançe: Çere do me thônë dallkauk?”
    – Arbënia, 1936.
  • “Nderimi ndaj babës, cilësi burrnore e Shqiptarit”
    – Arbënia, 1936.
  • “Natën nëpër rrugët”
    – Arbënia, 1936.
  • “Muhabet tirançe: Mô mire t’kishe qenë… gocë!…”
    – Arbënia, 1936. 
  • “Muhabet tirançe: Çuni pri Avrope”
    – Arbënia, 1936. 
  • “Fëmijë të natës”
    – Arbënia, 1936.
  • etj, etj.

U rikthye në atdheun komunist bashk me miqtë e tij me shpresën për të ndërtuar vendin, por u dënua me gjygje qesharake pa bërë kurrfarë faji. Mbi të gjitha nuk i tradhëtoi kurrë miqt paçka keqtrajtimeve. I pushkatuar dhe ende pa varr ama miqt nuk i la në balt. Citoj nga ditari i Musine Kokalarit: “Tre muaj më vonë, më futën në izolim në një qeli nën shkallët që çonin në zyrën e drejtorit. Një nga të burgosurit, të cilin e pashë përmes dritares sime të vogël në oborrin e burgut, më tha se ata po merrnin në pyetje Xhemal Farkën për mua. E kuptova. Ai nuk tha asgjë për mua dhe unë nuk thashë asgjë për të.”

Xhemal Farka3
Gazetari dhe publicisti Xhemal Farka


Mustafa Greblleshi
 1922 – 1986
Lindi në Tiranë në një familje qytetare. Ai ishte publicist, gazetar, shkrimtar dhe përkthyes shqiptar. Ndër të parët autorë që shkruajti një roman dashurie në letërsinë shqiptare. “Greminat e dashunisë” botuar në Tiranë më 1944 nga shtëpia botuese “Ismail Mal’Osmani”, edhe pse si datë e përfundimit shënohet prej autorit data 1 janar 1942. Shtysën për ta mbaruar këtë roman sipas Bedri Alimehmetit, treguar atij nga Ibrahim Hasnaj, ia ka dhënë Fiqri Llagami dhe vetë Ibrahimi. Libri u shit në kohë rekord. I dha një sukses të bujshëm e gjithëpërfshirës autorit duke i dhënë një post të artë në letërsinë shqiptare. Censura komuniste s’do t’ia ribotonte kurrë më, ndërkohë që në Prishtinë është ribotuar disa herë duke e bërë Mustafain ndër shkrimtarët më të lexuar shqiptarë në Kosovë. Mustafai e filloi botën e shkrimit në moshë fare të re. Kjo nuk ishte rastësi. Kryeredaktori Gjergj Bubani i “Bashkimi i Kombit” e kishte kuptuar talentin e të riut tiranas. Kështu më 1942 Mustafai vetëm 20 vjeçarë punoi në këtë redaksi me mjeshtra të gazetarisë si Bubani dhe Fiqri Llagami. Pas Çlirimit është redaktor i gazetës “Bashkimi” nga dita e parë e botimit të saj deri në vitin 1946, kur u arrestua si “armik i popullit”. I kishin pushkatuar babanë. E burgosën 19 muaj. Për vuajtiet e tija i ka treguar mikut, gazetarit tiranas, Skifter Këlliçit në vitin 1980 si më poshtë.
[Kisha kaluar 19 muaj në qelitë e burgut të Tiranës, kisha provuar mbi trupin tim tortura nga më çnjerëzoret; për ditë të tëra duarlidhur, me një zinxhir të ngulur në tavan, pezull e këmbë që nuk më hasnin në dysheme, aq sa një mesditë, kur torturuesit më zgjidhën, u këputa në dyshemenë e ftohtë akull të qelisë dhe mbeta pa ndjenja deri të nesërmen në mëngjez; kisha parë një politikan të njohur nacionalist, të dergjur në dyshemenë e ftohtë të qelisë  dhe  të përgjakur nga rrahjet, të kërkonte një gotë ujë, që hetuesit e përbindshëm nuk ia kishin dhënë, deri sa kishte dhënë frymën e fundit… Dhe ja, po lirohesha. I pafajsëm, si disa të burgosur të tjerë që na kishin reshtuar në oborrin e burgut, midis të cilëve edhe miqtë e mi gazetarë në gazetën “Bashkimi”, Petro Marko dhe Andrea Varfi, të burgosur  dhe torturuar, kinse për faje shumë të rënda që i ngjesheshin vetëm  Koçi Xoxes, që tashmë ishte shpallur armik i Partisë dhe i popullit. Pafajësinë na e kumtonte Mehmet Shehu, ministri  i Brendshëm që u tregua më xhelat se i mësipërmi. Por më pas, një vartës i tij më pati thënë: “Sidoqoftë, një faj e ke bërë: kur më 1944 rinia kërkonte të lexonten vepra revolucionare, ti botoje “Greminën   e dashunisë”, roman që rrëmbeu mendjet dhe ndjenjat e të rinjve të asaj kohe”.]
Skicat letrare e tregimet i botonte me pseudonimet Mustafa Mustafai, Memli, Mano dhe me emrin e tij të vërtetë, ndërsa shkrimet satirike me pseudonimin Liu i Cakut. Gërmon, studion, shkruan, tri monografi për Haki Stërmillin, Fan Nolin dhe Omer Khajamin. Boton tregimet “Kuklla” dhe “Tut Huqi dhe hygjena” tek Nëntori më 1962. Boton të plotë  vëllimin me tregime “Albumi i një bojaxhiu”. Boton vëllimin për fëmijë “Shalli i kuq”. Përkthen novelat e Pirandelos botuar me titullin “Jeta lakuriq”, dramat e De Filipos botuar me titullin “Filumena Marturano” dhe “Njëmijë e një netët”. Të gjitha këto kur punonte bojaxhi krahu sepse Partia s’e lejonte të kryente asnjë punë tjetër. Edhe këto botoheshin falë miqve të tij ose njerëzve që ishin rritur me romanin e tij. Fëmitë e Mustafait më 2017 i botuan librin “Kujtime 1939-1944” dhe po punojnë t’i venë babait vendin që meriton në letërsinë tonë. Urojmë t’i kemi në botim gjitha shkrimet që ka lënë pas i ndjeri Mustafa. Po e mbyll listën e Mustafait me librin satirik në dialektin e Tiranës “Muhabet tirançe me Liun e Cakut”, një form letërsie ndryshe që e kishte mësuar nga Xhemal Farka.

Screen Shot 2019-09-20 at 1.01.10 AM.png
Mustafa Greblleshi

Ju lutem shpërndajeni këtë shkrim modest.
Këta intelektualë dhe trima kanë nevojë t’i njoh populli vet.
Faleminderit Zenita Farka, Petrit Kusi, Viril Llagami, Robert Elsie, Nini Mano, Arjeta Kokalari etj për ndihmën.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: