Ndodhitë e rralla të Islam Seferit.

Ndodhitë e rralla të Islam Seferit.
Nga Marsida T. Najdeni
12 janar 2019

Rastësisht gjeta një poezi timen mjaft modeste, të cilën e kisha shkruar për Islam Seferin, mikun e gjyshit tim, Bahri Tufina. Poezia daton 2 shtator 2014. Kisha dëgjuar histori të ndryshme heroike për Islamin në shtëpi. Deri diku më dukeshin si përralla.

Për Islam Seferi
Rininë s’e jetove dot
prej bukuris burrnore
dhe mendjes fillhollë
nën rrenat e telave gjakatarë.
Tela që moren jetë
dhe prenë ëndrra në mes
e afshet rinore zbehnë.
Tela që madhështinë zgjuan
tek ti intelektual soji,
pa fjalë, pa ojna, pa ofshima,
vepra jote më e madhe kryenaltsia!

Dhe vërtetë Islami kreu 22 vite burgim me kokën lart dhe pse ishte viktimë politike. Kurrë nuk u lëkund nga besimet e veta. Kurrë nuk ndryshoi vetveten sepse ashtu qe sistemi. Kurrë dhe kurrë nuk u bë “lal e tat” me djajtë e kuq. Gjyshi tregonte sesi Islami në ato kohëra shante sistemin hapurazi në kafene, në grupime dhe ambiente të ndryshme publike, troç s’ia bënte syri tërc. Madje, një ndodhi të tillë e vërteton me dokumenta dhe kujto.al. Në vitin 1956 në repartin 307 ishin më pak se 600 të burgosur. Në vitin 1956 raportohej se i dënuari politik Islam Seferi “me tendencë zogist”, ishte shprehur: “Unë jam zogist dhe deri në fund do të punoj për Zogun se tek ai kam shpresë jete”. (kujto.al)

Kush ishte ky danoç (burrë trim) Tirone? 
Falenderoj të bijën, miken time, Anila Seferi për bisedat e gjata dhe të vërteta.

Islam Seferi lindi në vitin 1916 në një familje qytetare tiranase. Babai i tij, Ali Seferi, njihej gjërësisht në rrethin e Tiranës. Aliu kishte mbaruar shkollën për Ekonomik në Stamboll. Ishte pikërisht ai, i cili mbante financat e shumë tregtarëve të njohur të Tiranës. Historikisht familja Seferi ishte marrë me tregtinë e lëkurës, ndër të tjera fakt interesant ishte dhe tregtia e majave prej floriri të stilografëve cilësorë. Islami lindi në një familje me mirqënie dhe nën udhëzimet e një babai intelektual. Prandaj dhe Aliu do ta dërgonte të birin Islamin me paratë e veta në një nga universitetet më në zë. Islam Seferi u shkollua dhe diplomua për Shkenca Politike në Universitetin e Bolonjës në Itali. Me rikthimin në atdhe ai shfaqi intelektualizmë sesi një shoqëri civile mund të shkonte përpara nën zbatimin e një demokracie të lirë. Atë demokraci siç duket Islami e shikonte tek Monarkia Zogiste me të drejta palamentare. Ai iu bashkua biznesit familjarë dhe mori në frena drejtimin e tregtisë në mënyrë më moderne. Gjithashtu ishte anëtarë i Legalitetit. Nuk arriti ta shijonte dot atë jetë sepse gjithçka do të rrokullisej në vitin 1944 me ardhjen e komunistëve në pushtet.

Dy herë burgime dhe një vizatim.
Citoj nga studiuesi Kastriot Dervishi: “Islam Seferi u arrestua më 16.11.1944, një ditë përpara se komunistët të vendosnin pushtetin zyrtarisht në Tiranë. Përpara komisionit të “krimeve”, Islam Seferi pohonte se ishte tregtar dhe se ushtronte këtë zanat duke u marrë edhe me riparime penash stenografike. Në Legalitet kishte marrë pjesë. Në procesin e nisur në 30.5.1945 në Gjykatën Ushtarake të Krahinës Ushtarake të Korpusit I me kryetar nënkolonel Bilbil Klosin, me anëtarë Ismail Çaushin dhe Argjir Lipivanin, me praninë e prokurorit major Gjon Banushi, Islam Seferi u akuzua se kishte qenë një simpatizant i thjeshtë i Legalitetit dhe shpërndarës i organit të saj, gazetës “Atdheu”. I pandehuri megjithëse dilte në gjyq, prapë nuk e mohonte se Zogun e donte, ndërsa Abaz Kupin nuk e njihte (d.m.th. nuk kishte shoqëri). Si “armik i popullit” u dënua më 12.5.1945 me 20 vjet burg e konfiskimin e pasurisë. Nga burgimi i parë u lirua në vitin 1956.” Nga 20 vite kreu 12 vite burgim. Hyri në burg kur qe 28 vjeçarë.

Mbas daljes nga burgu në moshën 40 vjeçare, i konsideruar i madh për kohën, mësëfundi arriti të martohej e të krijonte familje. Kjo qetësi dhe lumturi familjare nga ku u gëzua me një vajzë dhe një djalë, por nuk zgjati shumë. Mbas 7 viteve që kishte dalë nga burgu do të arrestohej sërisht. Fëminë e tretë, Anila Seferin, e zuri në burg në ato vizita të rralla e plot mall më bashkshorten. Një tjetër ndodhi e rrallë nga jeta e tij. Nadire Bardhoshi, e shoqja e Islamit, ishte një grua kurajoze, i ndejti besnike bashkshortit deri në fund. 22 vite pa të, por ajo nuk rreshti duke besuar tek ai. Ishte rritur me frymën perendimore dhe besimit tek liria. Ajo ishte e bija e Rexhep Bardhoshit, një familje qytetare tiranase e nderuar. Fisi Bardhoshi ishin filo amerikanë, e donin perëndimin, kështu truallin e Legatës Amerikanë për 99 vite ia lëshuan amerikanëve.

Burgimi i dytë: “Më 21.12.1963, në ditën e përkujtimit të lindjes së Stalinit, Islam Seferi, asokohe 47 vjeç, akuzohej për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Islam Seferi akuzohej se qysh gjatë luftës kishte qenë me ndjenja zogiste. Hetuesi Pandeli Përmeti me miratimin e prokurorit, akuzonte se i pandehuri kishte folur mirë për regjimin e kaluar të Zogut. Pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, i pandehuri kishte shpresuar se vendi do kalonte nën një regjim të ri perëndimor, gjë që e kishte shprehur para dëshmitarëve të shumtë. Me vendimin nr.10, datë 7.4.1964 Gjykata e Qarkut Tiranë e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet burgim. U lirua nga burgu më 10.8.1973.” (Kastriot Dervishi). Shkuan 22 vite në burg vetëm e vetëm se komunistët pushtues nuk besonin tek e drejta fjalës, tek liria mendimit, edhe tek jeta e paqtë.

Siç shikohet nga dëshmitë e vërtetuara tironasi, Islam Seferi, ishte vërtetë i patundur. Ai ende kujtohet nga qytetarët e hershëm tiranas si një shkëmb graniti, sepse asnjëherë nuk bëri kompromise me çka ai besonte se ishte e drejta. Një fakt tjetër mjaft interesant për këtë figurë është dhe vizatimi vetë-portret, që ai e ka kryer me laps dhe aq mrekullisht kur gjendej në hetuesi. Siç thotë vajza e tij “Babai e vizatoi veten pas hetuesisë, ndërsa hekurat në vizatim ia shtoi vizatimit kur qe në burg”. Ky vetë-portret u nxorr nga Kastriot Dervishi në dosjen arkivore mbi Islamin dhe u botua në gazetën 55news.al Është mbase rasti i vetëm që dimë deri më sot, që një i dënuar politik të ketë finalizuar në mënyrë sa ironike dhe të trishtë vuajtiet e tija. Mbi vizatim ai shkruan “Një kujtim të vogël me zemër familjes.” Duke menduar s’e mbase nuk do t’i shihte më. Trishtimi i duket qartë dhe në vizatim. Familjen e tij të brishtë dhe fëmitë mjaft të vegjël, të cilëve nuk ia gëzoi dot fëmirinë. Imagjinoni mos ta kishin burgosur këtë intelektual më e pakta do t’qe bërë një piktor mjaft i njohur sepse talenti tij shihet qartë në vizatimin më posht. Por jo, kriminelët e bënë që të vdiste në një gjendje ekonomike mjaft të rënduar dhe mbi të gjitha në rrethana misterioze. I morën vitet më të bukura. Mbi të gjitha ia prenë rrugën e suksesit ku ishte nisur për të shkuar.

Vizatim Islam Seferi
Vizatuar nga Islam Seferi.

Anila e takoi vetëm dy herë babanë.
Sa herë flasim për babanë e saj përlotet shumë shpejt. Ajo është krenare për të, por e shoqërojnë gjithmonë kujtimet e hidhura për të. Po shkëpus një intervistë që ia ka dhënë Anila vetë gazetares Anta Muçaku për newsbomb.al.

“Njoha për herë të parë babin tim në moshën 7- vjeçare. Çdo fund muaji, mami me fëmijët, pa mua, shkonte në burgjet anembanë Shqipërisë. Shoqërohej nga burri i tezes, nga njerëz që e donin tim atë dhe nga familjarë. Udhëtimet kanë qenë të vështira. Policia kur i shihte me çanta në duar i zbriste nga makinat e mëdha “Skoda”, për t’i munduar pasi e dinin që po shkonin në ndonjë burg për të takuar të afërmin e tyre. Shpesh herë në  familjen time lexoheshin letrat e babit që i sillte nga burgu. Një ditë m’u kërkua që dora ime e vogël të vizatohej në një fletë sepse duhet ta shihte babi sa isha rritur, pasi do të filloja klasën e parë. Mami fliste me shumë dashuri në familje për babin dhe shumë herë në syrin tonë e bënte hero… për të mos e urryer se pse fëmijët e tjerë kishin baba dhe ne nuk kishim. S’e mbaj mend mirë, kjo pjesë më është treguar nga mami. Unë kërkoja ta shihja me insistim babin tim. Familjarët më tregonin foto të tij të moshës 32 vjeçare. Në atë foto unë shihja një djalë të pashëm me kostum dhe në imagjinaten time ishte ngulitur një djalë i ri me pamje të bukur.

Por ç’ndodhi? Meqë ishte verë dhe babi kishte instistuar nëpër letrat që t’ja sillnin vajzën e vogël ta shihte nga afër. Familjarët e mi më përgatitën një muaj përpara duke thënë; që shumë shpejt do të shkojme të takojmë babain. Atë natë që më  thanë për takimin me babain tim dhe shumë netë të tjera kam fjetur me foton e tij. E ndjeja dhe imagjonja takimin me të, vërtetë e doja… po më thërriste gjaku edhe pse nuk e njihja. Puthja foton e tij dhe në mendjen time u fotografua fotoja e tij. Mbyllja sytë fort dhe shihja foton, përsëri i hapja dhe e ruaja që të mos e përthyeja. Dëgjova nga mami në atë kohë, sepse është gjëja që unë mbaj mend mirë, që do të niseshim për në Vlorë. Dëgjoja fjalën kripore, por nuk kuptoja gjë nga kjo fjalë. Arritëm në atë vend që ka mbetur në kujtesen time si një vend shume i tmerrshëm. Zbritëm nga një kamion i madh, i cili shoferi i saj u tregua shumë bujar me ne fëmijët dhe për hir të fëmijëve, na dërgoi deri në kripore. Zbritëm nga kamioni dhe para syve të mi u shfaq një fushë, e rrethuar me tela me gjemba dhe brenda saj kafazë hekuri ku brenda tyre kishte nga një të burgosur, të cilët flinin në qiell të hapur. Së bashku me mamin afrohemi tek rojet, u bënë kontrollet e duhura dhe në një moment një oficer i thotë nënës time:

“ Po këtë fëmijë pse e keni marrë? Nuk lejohet të hyjë brenda, është shumë e vogël!”

Në atë moment m’u shemb bota, më hyri frika se nuk do shihja babain tim, që kisha shumë netë që flija me foton e tij, fillova te qaj. Oficeri më mori për dore dhe më dërgoi në një dhomë duke më thënë që mund të rrija aty dhe të prisja familjarët. Lotët e mia nuk pushonin, i fshija me cepin e mëngës se binin si rrëke. Filloja të qaja me zë më ngashërim, kërkoja tim atë. Njëkohësisht i thoja oficerit:

“Xhaxhi polici, unë dua të shoh babin tim. Unë jam vajzë e mirë. Unë di shumë vjersha për partinë. Ja mund të recitoj. Të lutem më lejo ta takoj babin tim”.

U bëra problem, filluan të vinin shumë oficerë të tjerë, të cilët flisnin në telefon në atë dhomë ku unë po qendroja duke qarë. Në atë kohe dola me vrull në oborr, fshiva lotët dhe vështrova ato kafazë, të cilat më vonë do t’i quaja të mallkuara, pasi atëhere nuk kuptoja se pse njerezit rrinin në këto kafaze prej hekuri. Në mes të kafazëve dy sy me ngjyrën e detit, po më hidhnin vështrime të ngrohta, duke përcjellë  rreze ngrohtësie drejt meje. Oficeri më mori për dore dhe më hipi në kullën e tij, duke më thënë:

“Recito një vjershë për partinë dhe xhaxhin Enver, pasi të mbarosh së recituari do të lejojmë të takosh babain tënd”.

Fillova të recitoja vjershën dhe vështrimin e hidhja tek kafazët. Kërkoja me sy gjithandej për t’u ndeshur përsëri me atë shikim. Sapo mbarova vjershën oficeri më mori përsëri për dore dhe u drejtuam nga kafazët prej hekuri. Kur shkova aty, qëndrova e shtangur, u drodha e tëra. Nuk po i besoja më syve, më hyri më keq frika, përpara meje nuk ishte burri 32 vjeçar që prisja të shihja, por një plak i veshur me një kapotë të zezë në mes të verës. Ai zgjati duart për të më marrë hopa, u fsheha pas fustanit të mamit, të gjithë rreth e rrotull po lotonin nga kjo skenë. Ishte e dhimbshme, nuk doja të pranoja që babi im ishte aq i plakur. Më mori më pas në krah dhe me puthte, por fytyra e tij ishte ëngjëllore. Ai ishte kujdesur për pamjen e tij pasi do të shihte fëmijën për herë të parë. Më uli në prehër. Unë rrija para tij duke e vështruar drejt në sy. Dëgjoja familjarët që i thonin: të thamë që është kopja jote. Ai qeshte, qeshte dhe njëkohësisht nga sytë e tij ngjyrë blu rridhnin lot, lot që nuk u thanë derisa vdiq. Edhe sot e kujtoj ate ditë, mbeti në kujtesën time takimi i parë me babin tim”.

Do të kishte mundësi ta shikonte dhe një herë tjetër përpara se babai të vdiste në rrethana misterioze. Vdekja e Islam Seferit pret ende të zbardhet. Kur?

Anila rrëfen tmerrin në kafazët e hekurt: Vizatova dorën në fletë që babi të shikonte sa isha rritur! Si më kërkoi polici vjershë për xhaxhin Enver
Anila Seferi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: