NANA

NANA
nga Marsida T. Najdeni
26 Janar 2020

Gjyshja ime dje bëri dy vite në botën e përtejme. Hatije Trenova Najdeni, që deri sa kam qenë 12 vjeç kujtoja se për emër të parë kishte “Nana”. Në çdo vend a ambient që shkoja me të nuk kishte person mos t’i thoshte “Nana”. Jeta e saj mund të bëhet film. Unë shumë shkurtimisht dua ta kujtoj me mall sot.

E lindur në 9 maj 1926 nga një mama tepër e re, e cila vdiq duke i dhenë jetë asaj. Pra, qysh ditën e parë e deri ditën e fundit thoshte gjithmonë “jam jetime”. E vuajti të ëmën për 92 vite e 8 muaj. Siç duket e ëma e bekoi me jetën e gjatë. Babai i saj, i përkushtuar mjeksisë, nga infermierët e parë që nxorri Shqipëria fill mbas formimit si shtet, ishte gjithë kohës i ikur me punë. Historitë që më tregonte për stërgjyshin me dukeshin si nga periudha e Skënderbeut. A kishte vend në Shqipëri ku nuk kishte jetuar dhe punuar ai burrë?! Prandaj “Nanën” e rriti gjyshja me xhaxhain beqar, i cili dikur u bë oficer i Zogut. U shkollua në klasat fillore të Tiranës, bëri dhe mejtepin po aty. Xhaxhai donte shumë ta çonte në perëndim për shkollim, gjë që kategorikisht e ndaloi babai, i cili nuk u martua për shumë vite. Nana e kujtonte fëmirinë e saj me shumë nostalgji. Ashtu si të gjithë dhe ajo qante për gjyshen e saj, e kishte dhe mama dhe gjyshe. Por, njeriun, që ajo donte më shumë ishte xhaxhai. E adhuronte, e vuante ndarjen nga ai. Prej tij, më thoshte, kam arritur të lexoj shumë. Më mësoi muzikën, si të luaj dajren. Më mësoi arabisht dhe italisht. Reporteri i këngëve që ajo dinte përmendësh dhe këndonte pa pushim ishte me qindra e qindra. Plus këngët, të cilat i sajonte aty për aty. Meqë ndanim një dhomë të tre, ajo-unë-dhe-vëllai, fikte dritën dhe ashtu në errësirë na këndontë këngë dhe ninulla të ndryshme. Xhaxhain beqar të fëmirisë së saj pak të thuash e kishte idhull. Vetëkuptohet, ai i qe dedikuar asaj me gjithçka. Me pushtimin e Shqipërisë më 1939 xhaxhai i saj i humbi pozitat e punës, dhe me ardhjen e komunistëve u largua për në Stamboll. E lypi mbesën ta merrte me vete. Ia lypi vëllait të madh ta adoptonte mbesën, duke qenë se vëllai madh qe rimartuar nga ku u gëzua me tre fëmi. Stërgjyshi burrë zamani: “Nuk e çoj vajzën larg e mos ta shoh më”, dhe e martoi Nanën me tim gjysh. Xhaxhanë nuk e pa më. Me foton e tij jetoi gjithë jetën. Gjatë komunizmit u shkruajtën disa herë, por shumë rrallë. Derisa nga fundi i viteve ‘80-të, mbas një heshtje të gjatë, djali xhaxhait filloi të na shkruante rregullisht dhe fëmitë e tij. Donin të njihnin Nanën, që babai u kishte folur gjithë jetës, madje dhe pak para se të vdiste për të ishte kujtuar.

Martesa me tim gjysh rrodhi siç duhet të rrjedhi jeta. Ai ishte shumë më i madh se ajo, prandaj mendoj e trajtoi gjithë jetën me përkedheli. Sa vinte nga puna tek ajo do zbraste xhepat me fitimet e ditës. Gjithë ekonominë e shtëpisë ia la të shoqes. Si për fat, ai vdiste që kur vinte nga puna I lodhur gjyshja t’i kapte dajren e t’i këndonte. Martesa sigurisht pati peripecira nga ku humbën djalin e dytë Rexhepin prej milingjitit në moshën 3-5 vjeçare. Ishte ai moment kur gjyshja pa dhe kuptoi sa e varfër dhe sa mbrapa ishte pediatria shqiptare. Mbasi qe bërë 5 herë nënë vendosi të bëi kursin, që e ofronte shteti asikohe, dhe shkoi në punë. Duroi shumë thashetheme nga mbrapa, por ajo e vendosur shkoi në punë. Aty iu dedikua me mish e me shpirt fëmive të sëmurë. Fëmi nga fshatra të thellë e të largët, prindrit e të cilëve nga pamundësia flinin në bahçen e spitalit. Aty dhe përjetësisht mori emrin “Nana”. Nënave e reja do tu çonte me ngrënë. Ose i sillte në shtëpi për tu larë e ushqyer. Aq shumë u dha mbas punës dhe kaloi idhnin e vdekjes së djalit, e sigurisht dhimbje të tjera të jetës. Ajo ishte një besimtare e devotshme. Kur u hoq feja në Shqipëri gjithësesi në fshehtësi shumë njerëz agjeronin. Për mos ta kuptuar se Nana agjeronte merrte ushqim me vete në punë çdo ditë, edhe ua jepte nënave të vojtura të fëmive të sëmurë. Kur e pyesnin, sigurisht ajo thoshte “e hëngra”. Prandaj siç duket Zoti ia solli vdekjen e shpejtë dhe pa dhembje. Një ditë dimri dy vite më parë siç hante përsheshin e saj të preferuar, mbasi e mbaroi, kërkoi të shtrihesh sepse “M’erdh dekiku mi goc!” Nuk kaluan disa minuta dhe shkoi e qetë tek e ëma e saj, e përmalluar.

Në foto: Gjyshja ime djathtas me fëmitë e sëmurë dhe nënën e fëmisë së vogël. Mendoj foto e viteve ‘60-të.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: