Trimëria dhe harresa e Xhafer Stërmasit.

Trimëria dhe harresa e Xhafer Stërmasit.
Nga Marsida T. Najdeni
19 gusht 2020

Për Xhemal Stërmasin sigurisht nuk do të lexoni në asnjë libër historie. Fatkeqsi që historinë e shqiptarëve nëpër librat e shkollave vazhdojnë ta shkruajnë ende pushtuesit e 1944. Megjithatë, ne brezi që nuk e jetuam komunizmin nuk na falet të mos gërmojmë për të vërtetën. Ngjarjet historike, të cilat vërtetë kanë ndodhur dhe jo përralla komuniste, nuk duhen kurrsesi mbuluar nga pluhuri harresës. Kjo gjë ka ndodh dhe me Xhafer Stërmasin, që në shumë raste i referoheshin si dhe Xhafer bej, i cili fle i heshtur në harresën tonë. Nuk gjejmë asnjë rrugë në Tiranë me emrin e tij, asgjë për ta kujtuar sakrificën e një jete për Shqipërinë e lirë. Mjaftohemi me rrugë si Kajo Karafili, Bardhok Biba, Myslym Shyri etj, por trimave të vërtetë, atyre që propaganda kuqe i la kastile mënjanë, atyre që fundja në Tiranë janë lindur me breza, nuk mund t’i krijonin hapsirë as në libra, as dhe në rrugicat ku u lindën e vdiqën. E vetmja instancë kur janë kujtuar për të vlerësuar figurën e Xhaferit është Prill 2000 ku me një vendim nr #59 të Bashkis së Tiranës i jepet titulli “Mirnjoha e Qytetit”. (1) Ashtu siç është e harruar figura e Xhaferit ashtu dhe ky titull mbetet nëpër siertare.

Jeta e Xhafer Stërmasit
Dihet që familja Stërmasi është nga ata dyer qytetare tiranase të cilët i gjejnë rrenjët në kryeqytet prej brezash. Familja Stërmasi njihet mjaft mirë nga bashkqytetarët e vet si një derë që nxorri patriotë, intelektualë, sportistë, ustallarë dhe nga çdo fushë tjetër e jetës. Për fëmirinë dhe rininë e hershme të Xhaferit nuk kam patur mundësi të gjej ndonjë të dhënë, edhe pse kam pyetur disa anëtarë moshë e tretë të familjes Stërmasi. Ndërsa për trimërinë e tij na ka lënë i madhi Ibrahim Dalliu një thesar, që duhet ta lajmë me flori dhe ta ruajmë si sytë e ballit. Në librin “Patriotizma më Tiranë” botuar në vitin 1930 në Tiranë, Ibrahim Dalliu si bashkluftëtar e bashkvojtës i Xhafer Stërmasit e paraqet atë shumë bukur. Madje për Xhafer Stërmasin ai i mburret dhe drejtorit të Biblotekës Kombëtare z. Sotir Koleas. (2)

Nga libri mësojmë se Xhafer Stërmasi i lindur në shek. 19 nuk kishte ndonjë shkollim, por ishte njeri i idealeve të larta. Ndër të parët tiranas që iu kundërvua dhunës së Durgut Pashës dhe për këtë u burgos. Po ashtu, Ibrahim Dalliu na tregon sesi rrebelët e përvëluan, por Xhafer Stërmasi nuk iu nda besimit të tij patriot. Nuk ka lënë lëvizje kombëtare pa marrë pjesë në çdo trevë shqiptare ku u deshte pushka dhe trimëria. Kështu bashk me mikun e ngushtë, tiranasin Mahmud Fortuzin, iu bashkuan çetës së Abdi Toptanit. Shkuan në Sari Salltik të Krujës dhe luftuan më armë. (3)

Çeta e Abdi Toptanit me trimat nga Tirana (9)


“Më 30 qershor, sipas raportit zyrtar të komandës së xhandarmërisë së Krujës drejtuar Shkodrës më 3 korrik, çeta e Abdi Toptanit organizoi një aksion kundër forcave turke në qytet. Bashk me çetën e Refik Toptanit në një sulm të dytë, ato hyne brenda në qytet dhe e detyruan garnizonin turk të mbyllej në kala. Ndërkohë forcat shqiptare u sulmuan prapa shpine nga një repart i ushtrisë turke, që vinte nga Shkodra për t’i sjell furnizime garnizonit të mbyllur në kala.” (Kristo Frashëri, tek “Historia e Tiranës” Vëll. I)
Po ashtu Xhaferi bashk me mikun e tij Mahmudin shkuan të luftojnë me armë dhe në Zergjan të Dibrës me kryengritësit e atjeshëm. Xhaferi ishte përkrahës i Princ Vidit dhe për këtë ra rob i rrebelëve të Haxhi Qamilit, të cilët e rrahën me tortura të mëdha. Nuk pranonte kurrë të thoshte “Du Babën”, por Xhaferi bërtiste me të madhe “Rroft Shqipnija”. Sipas Ibrahim Dalliut aq shumë bërtiti “Rroftë Shqipnija” sa edhe vetë Haxhi Qamili u tremb.

Ndodhi interesante me vdekjen e Xhafer Stërmasit.
Ibrahim Dalliu e paraqet vdekjen e Xhafer Stërmasit tekstualisht:
“Xhaferri, ka ndrruë jetë tuë shkuë në Vlonën Kreshnike me luftuë në vitin 1920 kur shkunë dy qind Tiranas nën kumandën e z. Seid Toptanit. (4)

Dhe pikërisht këtu me vdekjen e Xhaferit ka një ndodhi mjaft interesante. Ibrahim Dalliu nuk e shpjegon mëtej sesi e kthyhen miqt e tij trupin e pajetë të Xhaferit në Tiranë. Tanush Mulleti, nipi i prefektit Qazim Mulleti, në një intervistë për Fatos Veliaj tregon sesi xhaxhai i ti Qazim Mulleti e pruri Xhaferin në Tiranë për ta varrosur sipas adeteve. (5) Megjithatë tregimi i Tanushit bie ndesh me data me tregimin e Ibrahim Dalliut. Tanushi tregon se Xhaferi vdiq në Kuvendin e Vlorës (1912? apo 1921?). Por, kam më shumë gjasa të besoj Ibrahim Dalliun duke marrë shkas sesi rrodhën dhe ngjarjet me kryengritjen e Vlorës në 1920. Në vitin 1920 kur Dalliu thotë se ka vdekur Xhaferi, Qazim Mulleti ka qenë tepër aktiv me armë kundrra ushtrisë serbe. Në shtator të vitit 1920 Qazim Mulleti ishte i shpallur Kapiten i Ushtrisë Vullnetare Shqiptare kundrra Ushtrisë Serbe. Kështu Xhafer Stërmasi s’kishte si të gjendej i vdekur në Vlorë në vitin 1912 sepse ai ishte ende gjallë dhe as në vitin 1921 ku dhe u mbajt “Kongresi Lidhja Kombëtare” prej 25 prillit deri më 3 maj, që Qazim Mulleti qe i pranishëm.

Qazim Mulleti (10)

“Xhaferr beu me shalë të gjata
Zogu i shqipes i shkonë mrapa.


Ibrahim Dalliu tregon sesi populli shqiptarë i thurri një këngë trimërisë së Xhaferit gjatë kohës së Princ Vidit. Por, nuk ia atribon këto vargje episodit të vdekjes së Xhaferit. Ndërsa, Tanush Mulleti në intervistën e tij thotë se këto dy rreshta shkëputur nga kënga i thurrën trimat për Xhaferin dhe Zogu i Shqipes ishte Qazim Mulleti, i cili po e përcillte të vdekur për në Tiranë. Sido që të jetë e vërteta, e cila nuk ia ul peshën veprës së Xhafer Stërmasit, po ashtu e lartëson dhe Qazim Mulletin. Kot nuk i kishin besuar kapitenit trupin e pajetë të një trimi, apo anasjelltas.

Trajtimi i pinjollëve të Xhafer Stërmasit 1944 e tutje.
Siç e quan dhe historiani Uran Butka “Masakrat mbi familjet e mëdha” sepse vërtetë ashtu ndodhi. Kështu nuk kishte si t’i shpëtonte valës së marrëzisë as dhe familja Stërmasi ku përveç konfiskimeve me dhunë të shtëpiave, pronave, pasurisë, pati dhe pushkatime dhe burgime në rradhët e saj.
“Familja tjetër e njohur tiranase që u godit ishte ajo Stërmasi, që kishte nxjerrë njerëz të dëgjuar si Xhaferr Stërmasi, flamurtar i Pavarësisë. I biri, Reshati, i mëkuar me shqiptarizëm dhe dije, kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali dhe shërben me devotshmëri në Ushtrinë kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, në shenjë proteste ndaj pushtimit italian, dha dorëheqjen, sepse nuk donte t’u shërbente fashistëve. Mori pjesë në protestat dhe demonstratat antiitaliane. Si nacionalist i kulluar, merr pjesë qysh në vitin 1942 në Organizatën e Ballit Kombëtar dhe në vitin 1943 u caktua komandant i Rinisë së Ballit të Tiranës, të cilën e udhëhoqi në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Ja pse e vranë Reshat Stërmasin!” (Uran Butka) (6)

Madje është dhe një ndodhi tjetër rrënqethëse për Reshat Stërmasin që e ka shkruar në ditarin e tij Reshat Agaj, i dënuar politik në burg dhe pastaj në Kënetën e Maliqit. Reshat Agaj shkruan me hollësi sesi Reshat Stërmasi e pa në ëndërr vdekjen e vet duke e parashikuar fundin e tij. (7) Gjithashtu nga kushërira e Reshat Stërmasit, zonja Mirjam Stërmasi, e bija e Selman Stërmasit, kam mësuar sesa shumë vuajti e shoqja me jetimët. Nënën e jetimëve Besnik, Bashkim dhe Xhafer (i riu) do ta detyronin të punonte në llaç. Një grua zonjë, tepër e zgjuar, por që ia plagosën jetën kuçedrat, të cilët merreshin me njerëzit e pafajshëm. Megjithatë Mirjami më tregoi sesi ajo zonjë nuk e uli kokën kurrë dhe nuk e humbi për asnjë çast zonjllikun e saj.

Edhe në 30 vjeçarin e fundit të “demokracisë” pinjollët e Xhaferit nuk kanë gjetur drejtësi sepse stërmundimet me pronat dhe djersën e të parëve ia kanë vjedhur dhe tjetërsuar. Kështu më vitin 1996 Shaqir Stërmasi, djali i arratisur në Amerikë i Xhaferit, i cili ishte një nënshetas amerikan, me anë të qeverisë amerikane ka bërë ankesë për shtetin shqiptarë duke e akuzuar për vjedhjen e pronës së Xhafer Stërmasit në vitin 1946 pas vdekjes së Xhaferit dhe pushkatimit të Reshatit. (8) Megjithatë siç na paraqet dhe dokumenti i referencës 8 del se Shaqir Stërmasi nuk e ka fituar dot betejën ligjore me shtetin shqiptarë.

Përfundim
Kur do t’vi dita që Shqipëria tu japë figurave njerëzore drejtësi dhe dinjitet?! Kur shoh sesi ende trajtohen shqiptarët nga shteti i tyre më 2020, shpirti dhemb për djaloshin 10 vjeçar viktimë në Kakavijë. Atëhere ngrysem dhe mendoj se për burra si Xhafer Stërmasi atdheu ynë s’do të bëi asnjëherë vend. Të paktën t’i kujtojme ne, populli i thjeshtë, për të cilët ata u flijuan.


__________
Referenca:

1. Dokument nga faqja zyrtare e Bashkisë Tiranë online: https://www.tirana.al/uploads/2019/5/20190524131212_59-dhenien-e-titujvesimbol-i.pdf
2. Libri “Patriotizma më Tiranë” nga Ibrahim Dalliu botuar nga shtypshkronja “Tirana”, 1930, faqe 10.
3. Libri “Patriotizma më Tiranë” nga Ibrahim Dalliu botuar nga shtypshkronja “Tirana”, 1930, faqe 11.
4. Po aty.
5. Artikulli titulluar “Tanush Mulleti: Xhaxhai im, Qazim Mulleti, e filloi punën si adjutant i Vidit” botuar më 28 shtator 2012 nga Fatos Veliaj. E lexova tek Orientalizmi. https://orientalizmi.wordpress.com/2012/09/28/tanush-mulleti-xhaxhai-im-qazim-mulleti-e-filloi-punen-si-adjutant-i-vidit
6. Artikulli i titulluar “Historiani Uran Butka tregon vrasjet partizane, 28 tetor-28 nëntor” botuar më 7 maj 2016 tek Gazeta Dielli me editor Dalip Greca. https://gazetadielli.com/historiani-uran-butka-tregon-vrasjet-partizane-28-tetor-28-nentor/
7. Artikulli i titulluar “ME PUNË TË DETYRUAR NË KENETEN E MALIQIT….” botuar më 25 gusht 2015 tek Gazeta Dielli me editor Dalip Greca.
8. Dokumenti origjinal nga faqja zyrtare e Departamentit të Drejtësisë në Amerikë https://www.justice.gov/sites/default/files/fcsc/docs/alb-142.pdf
9. Foton ma dha nga arkiva studiuesi Niko Kotherja në vitin 2013.
10. Foton e pashë tek memorie.al të studiuesit Dashnor Koliçit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: