Prefekti i shumë qyteteve Qazim Bodinaku dhe disa ndodhi interesante.

Prefekti i shumë qyteteve Qazim Bodinaku dhe disa ndodhi interesante.
Nga Marsida T. Najdeni
29 mars 2021

Na është enjtur koka duke dëgjuar pushtuesit e ’44 se medemek tironsit s’kanë qenë marrë me politikë. Histografia tregon të kundërtën. Ata janë prezent në çdo event politik, historik, kultural, sportiv dhe ekonomik të vendit përgjatë gjithë historisë. Jeta e Qazim Bodinakut pamëdyshje më ka intriguar. Jo vetëm si një tirons nga një familje e mirë dhe e hershme e qytetit tonë, por vetë faktin sesi ky tirons, sa qe gjallë, s’la cep të Shqipërisë pa shkelur dhe pa punuar. Në pozita të admirueshme, ai drejtoi disa nga qytetet kryesore të vendit. Nuk nguroj kur them se vërtetë ky personazh mua më ka habitur me zigzaget e punës së tij. Njohës i gjuhëve turqisht dhe italisht. Në moshën 33 vjeçare më 24 shkurt 1926 emërohet Drejtor i Policisë së Shtetit. Po shkëpus nga libri “Tirana, prefektët dhe nënprefektët e saj, 1912 – 2017“, faqe 58, me autorë Gazmend A. Bakiu dhe Kastriot Dervishi shkurtimisht karrierën e këtij personazhi për ta kuptuar gamën.

U lind më 1893 në Tiranë. Mbaroi gjimnazin e Durrësit. Shërbeu kryesekretar i Gjyqit të Apelit rië Tiranë, dhe krahinar në Malësinë e Tiranës. 1920. — 1922 ishte komisar i Policisë së Tiranës. Më janar 1922 dekretohet nënprefekt në Mat (AQSH, F.149, V.1922, D.I-482, fleta 13), detyrë të cilën nuk e pranon, për shkak të kushteve ekonomike. Prandaj emërohet nënprefekt i Shijakut në vitet 1922 – 1923. Qazim Bodinaku ka qenë dy herë nënprefekt i Tiranës. Herën e parë në gusht 1923 – 10 qershor 1924. Në vitin 1924 ishte edhe komisar i Policisë së Tiranës. Me ardhjen e kryengritësve të qershorit në pushtet, ai largohet nga Shqipëria (AQSH, F.803, D.97, fleta 1 dhe “Dajti”, 1 janar 1925). Me përfundimin e qeverisjes 6-mujore të Fan Nolit, Qazim Bodinaku rikthehet në detyrën nënprefektit të Tiranës, në periudhën janar – qershor 1925. Më 1925 dhe në vitet 1927 – 1929 është prefekt i Vlorës (“Tirana”, 9 qershor 1925). Më 1925 – 1926 ishte prefekt Dibrës. Më 1927 dhe 1933 – 1934 është prefekt i Shkodrës. Më 1929 — 1930 prefekt Elbasanit. Në vitet 1927, dhe 1931 – 1932 është prefekt i Beratit. Më 1932 – 1933 eshte prefekt i Gjirokastrës. Në vitet 1935 – 1939 rikthehet prefekt i Beratit. Duke qenë në detyrë, vritet si prefekt i Beratit më 6 prill 1939.

Në këto rreshta kuptohet qartë pra intensiteti i punës së Qazim Bodinakut, prefektit dhe nënprefektit të shumë qyteteve. Megjithatë, unë vendosa të kërkoj diçka më shumë për të. Gjithë ky angazhim prej tij ia vlente të dinim ndonjë gjë më tepër.

NDODHIA 1
6 tetor 1924 pak pas largimit të postit si nënprefekt i qarkut së Tiranës Qazim Bodinaku merr pjesë në mbledhjen e organizuar në Shehër të Dibrës në mbeshtetje të Ahmet Zogut. Kjo mbledhje u organizua nga Abdurrahman Dibra. (AQSH, F.152, V. 1924, D. 97/1, fl. 201.)

NDODHIA 2
Më 12 prill 1928, prefekti i Vlorës Qazim Bodinaku njoftonte Ministrinë e Brendshme se partia kundërshtare po i luftonte zgjedhjet rreptësisht. Megjithëse prefektura me organet e saj nuk kishte bërë ndonjë vepër ilegale, veçse me mënyra të pëlqyeshme kishte marrë masat e duhura për sigurimin e fitimit të kandidatit të qeverisë, ndaj këtyre veprimeve të zyrtarëve u ankuan zotërinjtë Seit Qemali, Pertef Risilia, Gani Alika dhe Idriz Sadija. Sipas informacionit të prefektit Bodinaku, gjashtë kandidatët kundështarë në Vlorë ishin bashkuar për t’i dhënë votat e tyre Seid Qemalit. Lufta elektorale po vazhdonte nxehtësisht. Megjithëse Grupi Qeveritar shihej i demoralizuem, prefekti Bodinaku ishte i sigurtë se kandidati i qeverisë do të fitonte. Ndërkohë ai parashtronte edhe emrat e disa nëpunësve që kishin nxjerrë pengime. Në fundin e muajit qershor, situata në Prefekturën e Vlorës u përshkallëzua me shpejtësi. Më 29 qershor 1928, prefekti i Vlorës Qazim Bodinaku informonte Ministrinë e Brendshme se parashihej që në zgjedhjet e Asamblistave në këtë prefekturë do të kishte një luftë elektorale të ashpër. Kundështarët po mundoheshin për të përgatitur sheshin e luftës dhe do të bënin çdo sakrificë për t’ia arritur qëllimit të tyre. Prefektura po mundohej me i marë me të butë, por planifikonte marrjen e masave të tjera administrative. Duke u mbështetur në ndihmën bujare të titullarit të Ministrisë së Brendshme, për t’ja arritur qëllimit, prefekti Bodinaku lutej që të merreshin këto masa:

— Komanda e Përgjithshme e Gjindarmërisë të dërgonte 20 xhandarë në Vlorë;
— Drejtoria e Financës së Vlorës të nxirrte listën e atyre që i detyroheshin arkës për çdo lloj takse, duke kërkuar edhe burgimin e tyre;
— Të urdhërohej çelja e një kredie nga Fondi Sekret për të përballuar shpenzimet e ndryshme për të dërguar njerëz andej-këndej e sidomos për të kontrolluar sjelljet e kundërshtarëve; të urdhëroheshin ish-deputetët me u nisë për Vlorë sa më shpejt për të biseduar për zgjedhësit e dytë.

Brenda ditës, Ministria e Brendshme do njoftonte prefekturën e Vlorës se “ju shkrue Komandës së Përgjithshme të Gjindarmërisë për të dërgue fuqin e kërkueme dhe se u morën të gjitha masat për të plotësue pikat që parashtroni në telegramin tuaj”. (“Si u proklamua Ahmet Zogu mbret i shqiptarëve” nga Veli Haklaj, Gazeta Mapo)

NDODHIA 3
Në vitet ’30-të në Shqipëri po përhapej Kisha Unite. Kjo kishë madje premtonte lekë për ata besimtarë që e përqafonin unitizmin. Priftërinjtë e besimeve të tjera në Shqipëri bënë një ankesë në qeveri. Në këto kushte Ministri i Brendshëm Rauf Fico do të hetoi situatën dhe i dërgon letër prefektit të Elbasanit duke dashtur të dinte më shumë. Në vitin 1930 Qazim Bodinaku si Prefekt i Elbasanit i përgjigjet kështu.

“Lokali i kishës unite ndodhet i bashkuem me banesën private të priftit Atë Pietro Scarpelli, i cili meshon tinëz… Sot i naltpërmenduni u thirr në prefekturë dhe në mënyrë të pëlqyeshme u porosit të mos meshojë privatisht pa i ra kumbonës, derisa çeshtja të rregullohet dhe na njoftoi se nesër mbrama, mbasi asht nata e madhe do ta bajë detyrën e meshimit. Për të ndalue meshimet në kët kishë dhe propagandat helmuese rreth kësaj çështje duhet të largohet këtej: Papa Pietro bashkë me Papa Jovanin, të cilët sado që të ndalohen nga meshimet prapë se prapë do të vazhdojnë tinëzisht. Lutemi deri nesër nga mesdita të njoftohet mënyra e veprimit”. (“Lëvizja Unite në Shqipëri” nga Andrea Llukani).

Arsyeja përse Qazim Bodinaku shprehet me fjalën “tinëz” ishte shqetësimi që ngrente Kisha Autoqefale Orthodokse Shqiptare për konvertimin e besimtarëve të saj në mënyrë jo të drejtë. Historia e tregoi se mbas ’44 shumica e priftërinjve të çdo feje u persekutuan ashtu si dhe shumë hoxhallarë dhe hafiza.

NDODHIA 4
Si Prefekt i Gjiroksatrës Qazim Bodinaku shqetësohej se përveç minoritarëve grek në shkollat përtej kufirit në Greqi shkonin dhe djemtë gjirokastritë, të cilët kështu nuk mësonin gjuhën shqipe me të shkruar, por greqishten. Këtë problem ai e ngren dhe në vitin 1932 ku sygjeron hapjen e nje Liceu, që rinia e minoritetit brenda kufirit shqiptarë të mësonin shqip bashkë me rininë shqiptare. Shkëputur nga libri “Albania, family, society and culture in the 20th century” faqe 108, me editorë Andreas Hemming, Gentiana Kera, Enriketa Pandelejmoni.

NDODHIA 5
Gjatë vitit 1935 Qazim Bodinaku ishte prefekt i Qarkut të Beratit. Qyteza e Kuçovës përfshihej nën këtë prefekturë. Kompania më e madhe që operonte në Shqipëri ishte AIPA italiane, e cila kishte marrë një licencë për nxjerrien e naftës. Qendra kryesore e operacioneve të AIPA ishte qyteza e Kuçovës, në prefekturën e Beratit. Kjo kompani kishte punësuar rreth 1500 puntorë. Punëtorët shqiptarë kishin krijuar sindikatat e para, më e vjetra ishte “Puna”. Të pakenaqur nga trajtimi që i bëhej nga punëdhënësi italian ata duan të organizohen në protestë. Prefekti Qazim Bodinaku nuk ngurroi t’i shkruante letër ministrit të Ministrisë së Punëvë të Brendshme, si edhe Kabinitetit të Qeverisë.

“Punëtorët shqiptarë janë braktisur në fatin e tyre dhe janë lënë pa asnjë lloj mbrojtjeje. Ata janë shfrytëzuar nga kapitalistët e huaj dhe kurrë nuk kanë qenë në gjendje të rebelohen. Qeveria kurrë nuk e ka rregulluar statusin e tyre ndërsa ata, duke qenë të varfër dhe injorantë, kurrë nuk kanë ditur si të sigurojnë të drejtat e tyre. Pra, ata punojnë 10, 12, deri në 13 orë në ditë për një pagë prej 5-6 lekësh në ditë pa ndonjë masë sigurie për shëndetin, paaftësinë, etj. Drejtuesit dhe inxhinierët italianë i dërgojnë në shtëpi sa herë që duan pa i paguar as ata. Kuçova është bërë një qendër e rëndësishme industriale dhe ka 1500 punëtorë, midis të cilëve ka jo vetëm punëtorë të zakonshëm, por edhe oficerë, drejtues dhe njerëz të formuar në shkolla teknike ose tregtare, si dhe njerëz që dikur punonin në fabrika në Francë dhe të tjerë vendet, ku kanë parë sindikatat. Ky grup i punëtorëve është i ndarë në disa degë dhe fillon të ankohet tek autoritetet lokale dhe qendrore. Ministri i Ekonomisë Kombëtare, në vend që të merret me problemin shpejt dhe me efikasitet, po përgatit një ligj mbi këtë temë. Ai dërgoi një inspektor, Vangjel Goxhamani, i cili në vend që të studionte çështjen, mblodhi punëtorët përpara autoriteteve lokale dhe grupit italian dhe u foli atyre me fjalë të cilat nuk mund t’i përsëris këtu nëse dua të qëndroj serioz. Punëtorët, duke parë se si ishin gjërat, dhe të etur për të reaguar kundër vendimit të AIPA për të shkarkuar agjitatorët kryesorë, po përpiqen të bëhen më të organizuar dhe të fillojnë të flasin për një grevë që, falë ndërhyrjes sonë, nuk ka ndodhur ende. Situata duket se është qetësuar për një kohë, por tani që shoqëria “Puna” është formuar, ekzistojnë dy rryma të kundërta. Situata mund të shpërthejë përsëri, prandaj duhet të marrim një vendim për mirë. Ose mbyllni “Puna” dhe dërgoni drejtuesit e saj larg, gjë që do t’i kënaqte shumë udhëheqësit e AIPA, ose mund të bëni një ligj për të drejtat e punëtorëve dhe ta detyroni AIPA ta respektojë atë, në mënyrë që t’i jepet fund padrejtësive të shumta kundër punëtorëve. Qazim Bodinaku”. (AQSH, F. 163, V. 1936, D. 157, fol. 1-49.)

Historia deshti që Bodinaku të vazhdonte ta shtrëngonte qeverinë për zgjedhjen e dytë, ku i jepej e drejta puntorëve. Nuk mund ta përtypte dot situatën e krijuar. Megjithatë, qeveria nuk e ndoqi plotësisht këshillën e tij të dytë sepse situata pas shumë peripecirash do të arrinte në disa përfundime.

NDODHIA 6
Më 14 mars 1934 si Prefekt i Gjirokastrës Qazim Bodinaku është fotografuar gjatë ceremonisë së përurimit të Monumentit dedikuar Çerçiz Topullit. Foto e kësaj dite paraqitet si kopertinë e shkrimit.

NDODHIA 7
Si prefekt i Beratit Qazim Bodinaku ka disa ngjarje shumë të veçanta. Kështu më 28 nëntor 1935 Qazim Bodinaku inaguroi “Lapidarin Dëshmorët e Kombit” ku dhe mbajti fjalimin inagurues. Në një korespondencë nga Berati të datës 29 nëntor 1935 për gazetën “Demokratia” (që botohej në Gjirokastër) të datës 14 dhjetor 1935, me titull “Monumenti i Dëshmorëve” e të nënshkruar “Volabishti”, shkruhet mbi këtë përurim: Dje ditën e madhe të mvehtësisë, që u kremtua me shkëlqim të veçantë, dhe passi muarnë fund lutjet dhe fjalimet e rastit, gjendja ashtu siç ishte mbledhur tue pas në krye autoritet civile dhe ushtarake dhe tue qen të rradhitur nxënësit dhe nxënëset e shkollave dhe paraushtarakët me bandën e tyre në krye, u-drejtua nga rruga Mbretërore për në Parkun e qytetit. Kortezhi madhështor, pas pak minutave, arriti në Park për të inauguruar monumentin e ngritur prej Bashkisë këtushme në vendin më të bukur dhe si shenjë mirënjohje e adhurimi për të përjetësuar kujtimin e Dëshmorëve të Kombit: Baki Gjinokastra, Ismail Klosi, Hajredin Fratari nga Mallakastra dhe Muharrem Lleshi nga Berati. Sipas artikullit të mësipërm në kremtime mbajtën fjalë Prefekti, Qazim Bodinaku, avokati Xhevdet Mehqemeja, At Ali Tomori, Xhevdet Luloçi etj.

NDODHIA 8
Një ndodhi është kur në vitin 1936 vendosi se si prefekt i këtij qyteti i duhej bërë një ceremoni madhështore përcjelljes së eshtrave të heronjve Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli, të cilët kishin rënë dëshmorë në Shkodër dhe eshtrat pas shumë vitesh po u përcilleshin në vendlijet e tyre. Nga Shkodra drejt Leskovikut dhe Gjirokastrës ndaluan dhe në Berat. Me rastin e kësaj ceremonie ku doli gjithë populli i Beratit prefekti Qazim Bodinaku mbajti një fjalim prekës. Kjo ceremoni është përjetësuar nga fotografi beratas Ilia Xhimitiku. (“Fotoja “Berat, 1936” dhe historia pas saj” në KultPlus).

Featured Image

NDODHIA 9
Në vitin 1937 hyri në fuqi ligji kundra ferexhesë. Përfaqsues i këtij ligji ishte dhe Prefekti i Beratit tironsi Qazim Bodinaku, i cili më 5 prill 1937 njoftonte se ligji ishte pritur me gëzim të madh në popull dhe nuk ishte shënuar ndonjë kundërvatjte. Vetëm në Fier dilnin dy gra, por nuk e dinin se ligji kishte hyrë në fuqi. (“Kur ndalohej mbajtja e ferexhesë” nga Kastriot Dervishi)

Me këtë rast përmend se Qazim Bodinaku kishte 5 vajza, nga të cilat dy e di që u shkolluan në Institutin Nana Mretneshë në Tiranë. Në foton më poshtë kanë dalë në vitin 1938 si studente. Si shumë femra të asaj kohe nuk mbetën mbrapa me aq sa ofronte jeta atëhere. Me ardhjen e pushtetit nuk u përzihen shumë me jetën e rrezikshme shoqërore dhe u mbyllën brenda rrethit të tyre. Ata gjithmonë e ruajtën rangun e fisnikërisë dhe ishin nëna të devotshme.

May be an image of 3 people

NDODHIA 10
Më 5 janar 1937 si Prefekt i Beratit Qazim Bodinaku takon në Devoll Cianon, i cili vinte me detyrën për të vizituar kompaninë AIPA, ku Qazim Bodinaku kishte mbajtur anën e punëtorëve shqiptare, duke përkrahur protestën e tyre. Instituti L.U.C.E nga ku unë e kam parë e paraqet foton më poshtë përshkruar kështu: “Ciano dhe Bodinaku, secili me personalitete tërheqëse, përballen me njëri-tjetrin në një zonë fshati në luginën e lumit Devoll. Pas prefektit të Beratit dy ushtarë të ushtrisë Mbretërore Shqiptare.”

Qazim Bodinaku vdiq në moshë fare të re, vetëm 46 vjeçarë. Më 6 prill 1939 vritet nga dy persona me të cilët kishte pasur më parë probleme për shkak të detyrës. Dihet që Qazim Bodinaku ishte një mbështetës i flaktë i Monarkisë Zogiste, së cilës i kishte shpërblyer në detyra të ndryshme me shumë devotshmëri. Por, nga ndodhitë më lart kuptojmë se atdheun e tij e ka dashtur mjaft, që nga falja e gjaqeve dhe pajtimeve, e deri tek mbrojtia e gjuhës Shqipe dhe heronjve shqiptarë. Për 45 vite u trajtua si tradhtar i kombit. Enver Hoxha në librin “Vitet e Rinisë” shkruan kështu, paçka se në atë vit as Enveri dhe as Qazimi nuk gjendeshin në Vlorë, “Ne bisedonim për hallet e popullit, shanim Zogun dhe bashkëpunëtorët e tij, urrenim xhandarët dhe të gjithë spiunët e tyre, i demaskonim, i njihnim me gisht dhe u ruheshim. Asnjë fjalë nuk doli nga bisedimet tona. Shumë u përpoq një prefekt i poshtër i Zogut, Qazim Bodinaku, të na fuste në burg, bile kjo per pak u arrit në vitin 1932 kur po bëhej gjyqi i «komplotistëve të Vlorës».
Po ashtu këtë 30 vjeçar ai është i lënë në harresë. Pinjollët ende presin marrjen e pronave, dëmshpërblim, diçka…

VILA BODINAKU NDËRTUAR MË 1934
E strukur mes mureve të larta prej betoni dhe bimëve zvarritëse, vila dy katëshe e stilit Italian përpiqet të shfaqet mes hapësirës që i lejon porta me kangjella prej hekuri. Me hezitimin e takimit të një të panjohuri trokasim lehtazi në portën hyrëse që ndan rrugën kryesore me oborrin e shtëpisë. Pasi porta hapet, shfaqet madhështore një vilë e ndërtuar në vitin 1934, e një familjeje me emër në kryeqytet sikurse është ajo e Bodinakëve. E banuar fillimisht nga prefekti Qazim Bodinaku e tashmë nga pasardhësit e tij, Namiku dhe fëmijët e tjerë. Njëra nga zonjat e shtëpisë, na shpjegon historikun e vilës ndër vite, teksa kujdeset që të na tregojë gjithë hapësirën përreth. Me një hapësirë shumë të madhe prej 728 metra katrorë, me lartësi të kolonave, karakteristikë edhe në pamjen ballore, vila duket sikurse i përket dy kohëve të ndryshme. Në katin e parë një ngjyrë e portokallinjtë e gërshetuar me të bardhën vezullojnë fuqishëm kundrejt pjesës tjetër të vilës, që mban një ngjyrë të lehtë limoni, deri në zbehje. Struktura e vjetër, e stilit italian është ruajtur me kujdes, ndërsa gjendja e përgjithshme e saj është e degraduar. Dyert, dritaret nuk janë prekur prej kohësh, ndërsa suvaja e jashtme vende – vende është e dëmtuar. Tavani i drunjtë i përket kohëve të saj të lavdishme, kur edhe oborri ka qenë i shtruar me kalldrëm. Në të djathtë të oborrit gjendet një pus i mbyllur që nuk është më funksional, ndërsa nuk mungojnë pemët frutore si shegë, portokall, rrush, palma dhe lule nga më të ndryshmet. Më herët, e zonja e shtëpisë rrëfen se ka pasur edhe kajsi, kumbulla, mana si dhe 14 hurma. Gjatë periudhës së komunizmit, në këtë objekt janë strehuar familje që nuk kishin lidhje pronësore me vilën, të cilët ende sot qëndrojnë në katin e dytë. Dikur Vila Bodinaku ishte hapësirë e bollshme për personat që jetonin, ndërsa sot situata është krejt tjetër, me shtimin e brezave dhe të drejtës së pronës mbi këtë vilë, por edhe zënies së katit të saj të dytë. Faktorë që veç ngushtimit të hapësirës kanë bërë të pamundur dhe rikonstruktimin dhe risjelljen në jetë të objektit. (https://urbanstories.citizens-channel.com/)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: