“Moni” dhe “Madiba”

“Moni” dhe “Madiba”

nga Marsida T. Najdeni

10 maj 2021

Për mua këta dy burra janë aq të përafërt. Shumë nga ju do t’habiteni kur të shikoni këto dy legjenda nga skaje e kultura të kundërta bashkë, por unë tek këta dy heronj shoh shkrirjen dhe ngjashmëritë e tyre. Osman Kazazi shumë herë i referohen si “Mandela shqiptarë”, për arsyen se Mandela ishte i burgosur për 27 vite. Ndërkohë, unë sa herë shoh Mandelën në fakt them “ky si vëllai Osmonit”. Osman Abdullah Kazazi bëri 43 vite burgim. Pa ardhur ende në pushtet komunistët kriminelë e rrëmbyen më 14 nëntor 1944 dhe e mbajtën peng gjithë jetën e tij. Nuk përdora as fjalën arrestim dhe burgosje sepse ata që ia morën jetën nuk ishin ende në qeveri, kësisoj nuk ishte legjitime, por rrëmbim personi.

Mandela vinte nga një familje e njohur në klanin e tij, disa i referohen dhe si familje mbretërore për fisin xhosa. Ishte shkolluar qysh në djalërinë e tij të hershme dhe deri në Universitetin e Johannesburg për jurisprudencë. Si një avokat i ri ai iu përvesh lëvizjes anti-kolonianiste për të drejtat e njerëzve me ngjyrë, të cilët dhe pse vendali në tokat e tyre trajtoheshin si skllevër nga kolonizuesit. Njëlloj dhe Osmani vinte nga një familje e njohur tiranase, e cila jo vetëm me shtëpinë në qendër të kryeqytetit, por gjithmonë e pranishme në jetën shoqërore shqiptare. Kujtoj “Kodrën e Diellit” në Durrës, të cilën kjo familje e ktheu gjatë Perandorisë Osmane për prodhim mëndafshi. Mbasi kreu mësimet e para në qytetin e lindjes, Osmani do ta vazhdonte gjimnazin në të famshmen “Illyricum” të françeskanëve jezuitë të Shkodrës. Siç e pohon dhe studiuesi Fritz Radovani “Osmani ishte më i përgatituri në atë gjimnaz”. Si një shkollëdashës i madh Osman Kazazi shkoi në Itali ku ndoqi Universitetin e Romës për farmaci. Në vitin e katërt të universitetit Italia për shkak të luftës nxorri urdhër që studentat e huaj të ktheheshin në vendet e tyre. Kështu bëri dhe Osmani, por me kthimin në Tiranën e tij, ai u zhgënjye. Gjeti një luftë civile vëlla vrasëse nga ku zhdukeshin njerëz të pafajshëm. Ai kësoj na del disa fish hero, e para anti-fashist i thekur, anti-komunist i përbetuar, pro vëlladashurisë e pro atdhedashurisë i përjetshëm.

Si Osmoni dhe Mandela ishin moshatarë, tironsi i lindur më 1917 dhe afrikani xhosi i lindur më 1918. Përveç kësaj ata në internimet e tyre u kthyhen si figura të dashura prindërore dhe edukative për të burgosurit e tjerë. Kështu Mandelën e thërrisnin “dada” siç kishte shumë të burgosur të tjerë që Osmanin e thërrisnin “babe” / “lale”. Mandelën e thërrisnin dhe në të folurën e tij “Madiba” siç bënin dhe me Osmanin në të folurën e Tiranës “Moni”. Madiba ishte emri i kryetarit të fisit dhe prandaj filluan ta thërrasin Mandelën Madiba. Për të mbajtur dhe mendjet e tyre në vend, por edhe pse jetuan në ato kushte për shumë vite, vendosën të jepnin mësime fshehurazi, gjithashtu dhe këshilla sesi të burgosurit të mbanin veten gjallë brenda atij ferri. Them ferr sepse Osmani midis kampeve të Maliqit, Bedenit, Burrelit, etj kaloi kalvare që as imagjinata më e shfrenuar nuk mund t’i thurri.

Osmani u lirua nga burgu më 1987 në moshën 70 vjeçare. Hyri në ferr 27 vjeçarë dhe doli 70 vjeçarë. Në moshën 70 vjeçare mbasi i kishin marrë jetën nuk e shikonin më si të rrezikshëm. I rrezikshëm për çfarë? Se ishte njeri i shkolluar? Se e donte vendlindjen? Kërkush nuk i kërkoi falje. Kërkush nuk shfaqi ndjenja pendimi karshi tij. E nxorrën të plakur e të sëmurë, pa familje dhe pa një sens sesi jetohej jasht atij ferri. Ai u bazua tek instikti i tij. Instikti i tij ishte mirësia. “Do shkoi bari m’rronj” thonë tironsit, pra do dali njeriu në gen. Geni i Osmonit ishte i mbushur me bamirësi, dituri, dhembshuri, mirsjellje, tolerancë, mirkuptim, kështu nuk kishte si ta merrte jetën veçse me pozivititet dhe mbas 43 viteve ferr. Mbase kjo është pika ku Mandela ngjason mësëshumti me Osmanin, ose anasjelltas. Të dy mbasi dolën nga burgimet e torturimet disa vjeçare nuk ushqyhen urrejtie dhe as ndasi. Unë kam dëgjuar dëshmi okulare nga persona që kanë ndejtur me Osmanin ose e kanë farefis sesi ai predikonte për falje paçka se “më fal” nuk i tha kurrë askush. Sesi predikonte dashurinë ndër shqiptarë dhe donte bashkimin.

Osmani krijoi “Shoqatën për të persekutuarit politik”. Ai është presidenti i saj i parë. Aty nuk foli kurrë me urrejtie, por shprehej gjithmonë sesi njerëzit duhet ta dinë se çu bë për gjysëm shekulli. Njerëzit duhet t’i dinin vuajtiet e tyre që mos të përsëriteshin më. Nuk kërkonte hakmarrje, por donte si e si të mësonim nga ajo periudhë e errët për të mos u përsëritur më. Në Shqipëri komunistët me bijtë e nipërit e tyre krenohen ende sot për atë makabritet gjysëm shekullorë ku ende vuajmë pasojat. Ndërsa në Afrikën e Jugut u bë mësim në shkolla për të bardhët që të shkonin eskursion një ditë në kampin e përqendrimit të Mandelës, të shikonin qelinë e tij ku as krahët nuk i shtrije dot, aty ku kishte fjetur për 27 vite mbi një batanie me arna mbi një karton. Ashtu si Mandela dhe Osmani kishin një mesazh “dashuri dhe tolerancë”. Mandelën e përqafuan dhe e mirkuptuan, ndërsa Osmanin e harruan dhe mënjanuan.

Në vitin 1995 bëhej kampionati botëror i Rugby (Ragbit). Ky ishte një sport që në Afrikën e Jugut luhej vetëm nga kolonizuesit e bardhë. Aq shumë e urrenin personat me ngjyrë në Afrikën e Jugut këtë sport saqë shkonin në stadium dhe bënin tifozllëk kundrra ekipit të Afrikës së Jugut. Nuk gjenin vetveten në atë sport dhe në atë ekip. Atë vit, 1995, Afrika e Jugut kapi finalen. Mandela e pa si një mundësi të bashkonte vendin e tij. Mësoi përmendësh emrat e lojtarëve të ekipit. U takua disa herë me kapitenin e ekipit për ta frymëzuar. Por, mbi të gjitha veshi ngjyrat dhe fanellën e ekipit kur e dinte që personat me ngjyrë e urrenin. Meqë ai bëri atë gjest të madh pajtimi, kapiteni bashk me ekipin vendosën të mësonin himnin e ri kombëtarë, vendosur mbas rënies së qeverisë kolonizuese. 1 miliardë shikues panë Mandelën atë ditë në stadium veshur me fanellën dhe ngjyrat e ekipit, si edhe ekipin duke kënduar himnin e ri kombëtar (këndohej vetëm nga njerëzit me ngjyrë). Dhe sa herë Mandela i referohej këtij momenti si kthesa e bashkimit kombëtarë.

Me të njejtën frymë dashurie u përpoq dhe Osmani ashtu si Mandela. Do ti që shqiptarët nuk qenkërkan aq tolerant dhe atdhedashës sa afrikanët jugorë. Kur e pa që këta “demokratët” e post 1990 ato vitet e para nuk e qasën njeriun sinonim të demokracisë, ai kuptoi se vazhdonte e njëjta kastë me emra ndryshe. Kështu u angazhua me “Shoqatën e të Persekutuarve Politikë”, por gjithashtu në vitin 1991 i lind në zemër dhe në mendje të krijoi “Shoqatën Tirana” bashk me figura si Dr. Shefqet Ndroqi. Në këtë shoqatë ai pati për qëllim të bashkonte bashkqytetarët e tij të kërkonin të drejtat e mohuara pa dhunë. Mendoi se po ta fillonte nga një celulë më e vogël do t’mund të mbillte fidanët dhe mëpastaj të kthehej në një lëvizje atdhetare mbarëkombëtare. Harroi “Mandela shqiptarë” se në këtë vendin tonë nuk u ndahet shpirti nga idealet e partisë humbamenove shekullorë. Osmani predikonte dashuri, ata (tifozët e Partizanit) ende sot na nxjerrin “Petrit Dumen” në stadium. Osmani predikonte faljen, ata ende festojnë ditëlindjen e qoftlargut Dullë. Pra, edhe mbas kaq dekadash nga “rënia e komunizmit” ata nuk dinë ende të takohen në gjysëm rrugë, vazhdojnë me arrogancën e tyre, e cila vazhdon mban peng vendin. S’ka Osman a Mandelë të na sjellë në rrugën e drejtë.

Çfarë është gjysmë rruga?
Kur dikush e shtrin dorën për tu takuar deri në gjysmë rrugë, atëhere shtrije dhe ti dorën në gjysmërrugë. S’është e thënë që të dyja palët të jenë 100% dakord, por në disa pika themeltore duhet tolerancë dhe lëshim. Pra, nëse ky person mbas 43 viteve vuajtie ferri ka kurajon dhe dashurinë ta shtri dorën deri në gjysmërrugë, edhe kujt atyre që ia nxinë jetën, por mendoi për ardhmërinë e vendit. Ju, persekutorët e tij, vrastarët e këtij kombi, edhe pse në faj nuk ishit në gjëndje ta takonit në gjysmë rrugë këtë njeri shpirtmadh. Kjo tregon se çfarë i bëtë këtij populli ju pëlqeu, prandaj vazhdoni ta bëni. A jeni ju nipërat e mbesat e komunistëve persekutorë gati të na takoni në gjysmë rrugë ne nipërve dhe mbesave të Osmanit? A nuk mendoni se ju ka ardhur koha të bëni një MEA CULPA? Vetëm ashtu mund të ndërtojmë një të ardhme për vendin tonë dhe jo siç jemi sot.

*Osman Kazazi nuk krijoi familje, pra përdorimi “ne nipërve e mbesave të tij” është në mënyrë metaforike meqë jemi trashëgues të idealeve të tija.
**Foton e Osmanit dhe biografinë shkollore e pashë tek Fritz Radovani.
***Ky shkrim modest u frymëzua nga ekipi i “Rugbyt”, që më kujtoi harbutërinë ende sot të guerrilsave shqiptarë, që na shpalosin Petrit Dumen në stadium.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: