Parajsa në këmbët e Nonës.

Nga Marsida T. Najdeni

24 nëntor 2021

Tironsja Mejreme Tagani Kaceli u lind zonjë dhe vdiq po zonjë paçka internimit në Skrapar prej vitit 1951 e deri 1990. Pa bërë kurrfarë gabimi përse ishte martuar me një tregtar e zotni si Jonuz Kaceli. Atje ku e ve, me burrë të pushkatuar, u detyrua të përballonte komunizmin e egër bashk me 7 fëmi jetim nuk i humbi kurrë zonjlliku. Pashë një foto nga ditët e internimit të saj, mu drodh zemra. U pikëllova për vuajtiet e kësaj gruaje, që jeta iu rrokullis një mbrëmje kur katilët me dhunë ia rrëmbyen burrin. Mes trishtimit për këtë grua mu kujtua se në nëntor të 2015, djali i saj, Osmon Kaceli ma kishte dërguar me e-mail foton bashkangjitur me shumë të tjera dhe me një histori të gjatë kalvare vuajtiesh, që me ta prish gjumin ashtu si dhe mua tani. Nuk e di si e vunë kokën në jastik ata që kryen këto krime karshi të pafajshmëve?! Megjithatë, Mejremen sot dua ta sjell të dashur, të zgjuar, për mjaltin që ishte. Dua ta kujtoj si në këtë foto dalë në bahçen e saj në Tiranë. Nuk dua që nga Mejremja të kujtohen vetëm lotët dhe vuajtiet.

Mejremja ishte e bija e Salih Taganit dhe Duhije Mjollit, por Duhija kishte vdek e re duke lënë tre fëmi të vegjël ndër ta dhe Mejremen. Gruaja e dytë e Salihut ishte Haxhire Katroshi, një grua e mrekullueshme, një nonë e dytë e përveçme, tre fëmitë që gjeti i trajtoi dhe më mirë se t’i kishte të vetët. Ata të saj u bënë. Edhe në internim, ajo do të shkonte disa herë ta shikonte Mejremen me 7 fëmitë jetim. Osmoni të dyja gjyshet si Haxhiren dhe kannën e Kacelve i kujton me mall dhe dashuri të paskajshme. Kanna e Kacelëve dhe pse s’qe e dënuar nga shteti vendosi të shkoi me të renë në internim dhe pse ishte 76 vjeçare. Nuk pranoi kurrsesi t’i linte vetëm. Ndejti me to në ato kushtë të mjerueshme për afro 1 vit derisa iu përkeqsua shëndeti.

Në një ambient të ngrohtë u rrit Mejremja. Në një Tiranë të qetë ku lulzonte jeta dhe banorët shkonin fjollë njëri me tjetrin. Brenda normave të shoqërisë së kohës ajo u shkollua në nivelet e lejueshme për femra asokohe. Qysh në fëmiri të hershme diku tek 7 vjeçët u ka treguar fëmive se kishte filluar të qendiste sepse i dukej si një zbavitje artistike. Ky pasion do t’i shërbente shumë në internim ku me ato dy tesha që kishin iu desht të improvizonte aq shumë për të mbathur 7 fëmi. Mençuria dhe trimëria e kësaj gruaje tregohet mjaft qart sesi ajo rriti jo vetëm 7 fëmi të shëndetçëm në një mjerim që as Migjenit s’do t’i vinin fjalët, por i rriti dhe i bëri njerëz me edukatën më të lartë njerëzore. Këtë përkujdesje e vemë re dhe në një paragraf të Osmanit shkëputur nga kujtimet e tija:

“Më kujtohet qe shpesh natën vonë, kur të gjithë shtriheshim për me flejtë, ajo fillonte të lexonte nji libër që na e kishte pru Xhaj Liu dhe që përmbante këshilla me moral fetar. Ajo ulte fitilin e llambës së vaj-gurit për mos me na shqetsu e me harxhu mo pak, dhe na e lexonte me zò të ulët. Kur i lodheshin sytë nga drita e dobët e llambës, ma kalonte mu për me e vazhdù ma tej. Unë kisha qejf të madh se jo vetëm më pëlqente të lexoj, por dhe pse dojsha të përfitoj, e me siguri kam përfitu shumë nga këshillat shumë të dobishme të atij libri. Shpesh herë më zente gjumi duke lexù, e atëhere ndjejsha nonën që tërhiqte me kujdes librin nga dora ime duke më ledhatu. Unë e pranojsha në heshtje këte ledhatim. Për atë njeri që njef e vlerson heqjet e mundimet e nonave këto janë momente magjepse. Për mù, të tilla ishin.”

Mejreme Tagani Kaceli, çast relaksi në oborrin e shtëpisë në Tiranë para komunizmit.

Para se t’i prishej lumturia e folesë familjare gëzimet ishin të panumërta në çiftin Mejreme e Jonuz Kaceli, dashuria e tyre jo që e kishte mbush shtëpinë me fëmijë, madje kalonin aq bukur momentet e pashlyeshme bashk. Vitin e Ri e festojshin mjaft këndshëm, Jonuzi gjithmonë vinte në shtëpi me modhena gjys-lekëshe që shkëlqenin shumë dhe ia shpërndante si fëmive të vet dhe atyre të vllezërve, mëpastaj ata luanin tombola. Në internim sigurisht Meremja nuk kishte si t’ia krijonte aq bukur ambjentin fëmive pa babën, por ajo gjithmonë përpiqesh t’ia bëntë sa më të hareshëm. Ajo ua bënte gati mangallin jasht mos t’i hynte tymi fëmive të saj, mëpastaj me prushin e nxehtë uleshin të 8-të rreth mangallit dhe dëgjonin historitë e bukura nga Tirona dhe farefisnia, që Meremja ia kallxonte plot përkujdesie.

Amanetin dhe fjalët e fundit që i kishte thënë i shoqi natën që e rrëmbyen “Ki kujdes fëmit gru, fëmitë!” Ajo e kishte kthyher në moton e jetës së saj. Shpesh ndër vite shpresonte se mbase Jonuzi do t’i shfaqej papritur në derë e do i thoshte “Të lumt’ gru, ke bo nji punë të mrekullueshme!” Jam e sigurtë që shpërblimin e ka marr atje ku ia vlen, n’botën e përjetshme.

Mejreme Tagani Kaceli në internim.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: