43 vite sot pa Fiqri Llagamin.

Sot bëhen 43 vite nga vrasja e gazetarit!

Nga Marsida T. Najdeni

17 dhjetor 2021


Figura e Fiqri Llagamit mbetet e dashur për mua. Gazetar profesionist i orëve të para, të tillë formimi profesional gazetaresk Shqipëria i kishte me gishta. Në piedestalin e Gjergj Bubanit vetëm një publicist i rrangut të Fiqriut mund të përmendet. Llagami (dhe ajo dorë e vogël) e morën botën e printit në Shqipërinë e prapambetur dhe e sollën në kohërat moderne. Por, mbi të gjitha mbas 1944 Fiqri Llagami pati guximin të thotë të vërtetën pa iu dhembsur as vetja, as familja, por vetëm inteligjenca e një shoqërie përparimtare. Për këtë të fundit u flijua. Si është shpërblyer ky martir i fjalës së lirë mbas ‘90? Heshtje…

Kush ishte Fiqri Llagami?
1913-1978

Lindi në një familje qytetare tiranase. Ai ishte gazetar, publicist, analist, kritik letrarë. Janë me qindra artikujt e tij në shtypin shqiptarë të viteve ’30-’40. Ka shkruar me emrin e tij dhe pseudonimet Fllami, F.Ll, Tiranasi, Shok tiranasi, etj. Nuk ka gazetë që nuk ka një shkrim të Fiqriut. Disa nga gazetat ku ishte i rregullt ishin “Drita”, “Besa”, “Shqiptarja”, “Shekulli i Ri”, “Ora”, “Shqipnija”, “Njeriu”, “Tomori”, “Java”, “Kuvendi Kombtar” etj. Ia vlen të theksoj, se mbas një bisede personale timen me Viril Llagamin, djalin e madh të Fiqriut, mësova se revistën “Shqipnija” e kishte mbajtur me financat e veta. Unë e dija se Fiqriu ishte krijuesi dhe drejtor i saj, por paska pas qenë dhe pronarë i saj. Sipërmarrje mbresëlënëse. Revista Shqipnija ishte me tone kombëtare, anti pushtuese, ku kërkohesh mirqënia e popullit shqiptarë në Ballkan dhe viheshin në dukje shfrytëzimet e burimeve shqiptare. Për të kuptuar gamën e larmishme të shkrimeve dhe njohurive të Fiqriut, po përmend një pjesë të vogël publicistike tijën:

  • “Gjëndja e përgjithshme e artit. (Edhe mbi mundësitë e zhvillimit të artit në Shqipëri)”
    Besa, 1932, nr. 433, 21 dhjetor, f. 4.
  • “Bashkimi i studentave: (Mbi mundësitë e krijimit të një organizate)”
    Ora, 1931, nr. 327 – nr. 329, mars f. 2.
  • “Vjeti i ri dhe Djelmënia e Goethes. (Domosdoshmëria e pregatitjes së një brezi të ri të kulturuar për të ardhmen e vendit)”
    Besa, 1932, nr. 441, 31 dhjetor, f. 3.
  • “Cili asht gazetar? (Mbi profesionin e gazetarit)”
    Besa, 1934, nr. 926, 14 gusht, f. 3.
  • “Randsija e turizmit dhe nevoja e nji organizimi për Shqipnin.”
    Kuvendi kombtar, 1934, nr. 22-23, 28 qershor, f. 5.
  • “Këshilla për Djelmnin Shqiptare. (Ç’asht koha. Si mundemi me e përdorue)”
    Shekulli i Ri, nr. 95, 18 tetor, f. 3.
  • “Lirija. (Mbi konceptin e lirisë dhe lirija në formacionet e ndryshme shoqnore)”
    Shqipnija, 1944, 15 maj.
  • “Italija kërkon prap Shqipnin: (Mbi pushtimin e Shqipërisë nga Italija fashiste dhe shfrytëzimi ekonomik)”
    Shqipnija, 1944, 17 prill.

etj, etj.

Ndër të parët që i doli përkrah gazetares Selfixhe Ciu, e cila shkruante me pseudonimin Kolombja. Poezitë e saj për emancipimin e gruas prekën opinionin publik të asaj kohe. Ndërsa Fiqriu do ta mbronte duke shkruar “Kjo vajzë asht flamurtarja e revolucionit tonë, që me punën e vet don me rrëxue nji shkamb, që ka tabelën e veseve të këqija shqiptare.” Mjafton kaq për të kuptuar se Fiqri Llagami ishte dera ku përplaseshin shumë shkrimtarë e gazetarë të rinj të periudhës ’30-’40. Ai kishte mbaruar për gazetari në një nga universitetet më me emër të Europës, në Sorbon të Parisit. Domosdo dhe pozitat e tija në atë periudhë ishin të një personazhi që në botën e gazetarisë dhe publicistikës vlerësohej shumë. Një tjetër punë madhore është libri me 3 vëllime “Studime kritike mbi njerzit e mdhaj” botuar më 1933 kur ai ishte vetëm 20 vjeçar. Familja e tij fatkeqsisht ka 1 nga 3 vëllimet, kështu mundësia për ribotim është minimizuar. Lutemi që puna e këtij vigani publicist të njihet e plotë një ditë. Mendoj se populli shqiptarë i ka një borxh të madh.

Ky vigan intelektual ra viktimë e kriminelëve zbritur në Tiranë me krahët e mbrojtura nga anti-shqiptarët komunist me në krye Enver Hoxhën, i cili kishte nota të theksuara inferioriteti karshi Fiqriut qysh nga koha kur ishin studentë. Fiqriu një nxënës i shkëlqyer në Francë dhe Enveri një katranjos. Herën e parë dha urdhër katranjosi ta arrestonin si “Armik i popullit” intelektualin dhe penë artin Fiqri. Gjygji special, që ishte një farsë historie, përbërë nga persona që as 4 vite shkollim nuk kishin, lëre pastaj dije mbi ligjet, do ta dënonte me 20 vite burg. Hyri më 1945 e doli më 1959. Herën e dytë, do ta arrestonin për “Agjetacion e propagandë”. Kështu në vitin 1975 dënohet me 8 vite burgim, nuk mjaftonin ato 14 vite që i kishte kryer, por shtoi dhe 8 të tjera. Megjithatë kjo ishte një fasadë rrense, herën e dytë ata e futën në burg për ta vrarë. Në burg e helmuan, thirrjeve të tija në dhimbje nuk iu përgjigj kërkush. Kështu në vitin 1978 u shua një intelektual e patriot, brenda mureve të barbarëve. Nuk patën as humanizmin të njoftonin familjen, as dhembshuri për trupin e pajetë. Bashkshortja dhe fëmitë e morën vesh krejt rastësisht vdekjen e Fiqriut. U ngritën duke i kërkuar varrin dhe mbas disa kohe ankthi e gjetën. Fëmitë e tij ende presin thjesht një fjalë nga shteti, një “mea culpa” apo “na falni”. S’ka për të ndodhur, janë të zënë duke rihabilituar figurat komuniste, por ka një Zot lart.


Falenderoj djemtë Viril Llagamin, Dori Llagamin, miken e përbashkët Zenita Farka. Po ashtu ftoj zonjat, që t’i zbardhet historia Fiqriut: Nevila Saraci Turdiu, Admirina Peci, Migena Demirxhi, Blerina Gjoka, Gentiana Mara Sula etj persona që kanë mundësi.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: