Drita Shundi-Siliqi – Midis Detyrimeve të Jetës!

Nga Marsida T. Najdeni
13 dhjetor 2021

Të bubrroj (zbuloj) për familjen Shundi e kam gjithmonë kënaqsi vetiake. Një familje shekullore e Tiranës, e cila përpos arritjeve të saja familjare, i dhuroi Shqipërisë dhe Tiranës shumë. Besimtarë të mirë, patriotë të ndershëm, intelektualë të formuar, bamirbërës të palodhur, tregtarë biramil; por, edhe sportdashës dhe artdashës. Kështu dhe Drita Shundi, e cila lindi në Tiranë më 2 mars 1933, nuk mund t’i largohej kurrësesi virtyteve të saja farefisnore. Drita, së cilës prindrit i pagëzuan një emër shqiptarë me kuptimin jo vetëm që iu bëftë jeta dritë, por dhe me kuptimin e dritës që sjell dija. Në të vërtetë deri ditët e fundit të saja Drita Shundi nuk rreshti së kërkuari dijen. Jeta do ta valviste Dritën në momente të bukura e të hidhura, ashtu si të gjithë ne, por çfarë e bënë Dritën e veçantë ishte fakti se ajo diti që midis detyrimeve të jetës të arrinte të shkëlqente. Kjo goc tironse nuk iu largua kurrë qëllimeve vetiake, pasioneve dhe synimeve profesionale duke zbatuar njëkohësisht dhe detyrimet e jetës. Për një femër shqiptare, në periudhën e Drita Shundit, mbeteshe peng e qindra detyrimeve dhe të arrije diku ishte trefish më e vështirë se për një mashkull, i cili në një shoqëri maskiliste patriarkale e ka më të lehtë të ecë përpara. Prandaj, në siparin e femrave shqiptare nga të cilat duhet të marrim frymëzim është dhe mësuesja, petagogia, shkrimtarja, publicistja dhe përkthyesja Drita Shundi-Siliqi. Ajo që bëri aq shumë për zbardhjen dhe ngritjen lart të virtyteve të femrës shqiptare, sot është në listën e gruas shqiptare me vlera të mëdha, gjurmët e së cilës ne brezi i ri duhet patjetër jo vetëm të ndjekim, por dhe të nxëmë.

Detyrim i parë – Fëmiria!

Në vitin 1933 kur lindi Drita Shundi babai i saj kishte tashmë 8 vite që drejtonte farmacinë “Shundi”, e cila jo vetëm që u shërbente popullit kryeqytetas si votër mjeksore, por dhe një votër intelektuale. Aty në atë farmaci të babait të Dritës, zotnisë Athanas Shundit, mblidheshin mjekët e farmacistët e kohës, personazhe me peshë si doktorët Hysen Mara dhe Sabri Tefiku, farmacistët Halim Ndroqi dhe Hasan Mëniku, intelektualët si vëllezërit Hobdari etj. Duke parë natyrën qytetare dhe intelektuale të Athanasit kuptojmë se fëmiria e hershme e Dritës ishte e hareshme, por që fatkeqsisht nuk do të zgjaste. Në vitin 1940 babai i saj vdes në sanatoriumin e Torinos duke e lënë Dritën përjetësisht me boshllëkun e madh. Siç ka treguar vetë ajo, vdekja e parakohshme e të atit e kishte traumatizuar në fëmiri. Mbante mend varrimin e tij, arkivoli babait me karrocën me kalë ndjekur nga një turmë e madhe e Tiranës, do ta ndiqte si kujtim tërë jetën. Kështu filloi detyrimi i parë i Dritës së vogël, të ishte e bindur, që nënës së saj t’ia lehtësonte jetën. Në shkollën italiane ku ndoqi filloren ajo filloi të mësonte shumë, ta donte librin pa mbarim, të merrte nota të shkëlqyera, e të përpiqej që në familje të sillte veç të mira. Qysh në këtë moshë pati zgjuarsinë të zgjidhte shoqet e jetës si Elizabeta Hobdari, Lili Tafaj, Lejla (Lili) Këlliçi, Amalia Tirana, Nysret Bimbashi, Diamanta Hobdari etj. Këto vajza tiranase e shoqëruan deri në pleqëri. Tek to Drita gjeti mirkuptimin e patjetërsueshëm.

Farmacisti Athanas Shundi vdiq 47 vjeçarë.

Detyrim i dytë – Humbja e fëmirisë!

Nuk e kuptoi Drita e vogël 11 vjeçare kur xhaxhain e saj, Harallamb (Llambi) Shundin, i cili ishte kthyher si baba i dytë për të, e futën në burg. Në vitin 1944 familjes Shundi me dhunë ia mbyllën dhe shtetëzuan farmacinë (hapur më 1925), dhe xhaxhai i saj filloi të mungonte në darkat familjare. Dritën filloi ta kaplonte një trishtim i dytë i fëmirisë. Aq më e shastisur ishte Drita kur në shtëpinë e tyre historike (sot “Muzeu Kombëtar”) u futën disa të huaj sigurimsa, aq sa kishte dhe frikë të dilte në koridorin e shtëpisë, aq dhunë kishin prurë këta zaptues. Fëmiria i mori tatpjetën sepse padrejtësisht i nxorrën nga shtëpia fare, i përzunë, dhe u detyruan bashk me familjen e xhaxhait të merrnin një apartament me qira në “Rrugën e Kavajës”. Ende pa dalë në jetë, Drita – bukuroshja me kordele, tashmë shihej nga shteti shqiptarë si armike e popullit. Dekada më vonë, kur shtëpia e saj do t’i shembej për tu ndërtuar “Muzeu Kombëtar”, dëmshperblim që su mor kurrë, Dritës i theri zemra sepse iu duk sikur i vdiq kujtimi i babait për së dyti. I humbën kujtimet e familjes. Kur shembej lagjia e saj nga drapëri revolucionar lindoro-komunist, Dritës iu kujtuan festat e Pashkës dhe Bajramit, pjatancat e shumta me ushqime tradicionale tiranase shkonin e vinin me bollëkun e bujarisë midis familjes së saj dhe atyre të Karapicëve. Historitë e pjatancave në fakt ishin si përrallë nga e kaluara, sepse atyre dhe triska u ishte mohuar. Prandaj nuk ngurroj të them se humbja e fëmirisë së Drita Shundit ndodhi pikërisht me terrin e luftës së klasave. Diçka që s’kishte si ta kuptonte, por që filloi t’i skalitej nën lëkurë.

Detyrim i tretë – Rinia

Në këtë moshë rinore tek Drita filluan të shfaqen virtytet e marra në familje. Filloi të dilte në pah geni i saj i butë e qytetar tiranas. Gjithashtu nga frika e biografisë Drita detyrohej të ruhej nga gjithçka, ashtu dhe siç u ka shprehur vetë, “jetoja me frikë dhe s’doja të shkaktoja asnjë problem në familje”. Në shkollë ishte studente ekselence, nuk i ndahej asnjë sekond mësimeve. Më mirë se çe ka përshkruar shoqja e saj e gjimnazit, Drita Lazri, unë s’do ta bëja dot.
Citoj: “Drita ishte një nga vajzat më të bukura e më të virtytshme të shkollës, por që nuk binte shumë në sy, sikur i vinte zor nga bukuria e saj. Vishej me shije, por qe e përkorë, e nuk donte të tërhiqte vëmendjen. Dëgjonte shumë e fliste pak. Nuk e mbaj mend të jetë zënë apo të ketë ngritur ndonjëherë zërin. As në orën e matematikës, ku ajo shkëlqente mbi të gjitha, nuk fliste, po pëshpëriste, sikur donte të mos e nxirrte në pah inteligjencën e saj. Shoqet i donte, sillej me respekt, por një farë distance e ruante. Komplimentet i kishte me kursim, kritika nuk bënte kurrë. Kishte një pjekuri jo sipas moshës. Ishte dhe e lëçitur, lexonte libra edhe në italisht, ”Ana Kareninën”, p. sh. – gjë e rrallë për brezin tonë, por nuk i komentonte, nuk donte të mburrej. Në aktivitetet e rinisë vinte rregullisht, pa ndonjë entuziazëm. Shkurt – ishte rritur e selitur në familje qytetare për së mbari, të kamur e të kulturuar.
Kështu midis këtyre peripecirave Drita Shundi mbaroi petagogjiken me rezultate mbi të shkëlqyera, hynte tek nxënëset e rralla. Kush kishte të tilla rezultate çohej zakonisht jasht shteti me studime, por kjo s’do të ndodhte me Dritën prej biografisë, cene të krijuara nga njeriu i ri nën diktaturë.

Drita Shundi në vajzëri.

Detyrim i katërt – Lux Brumalis

Mbase e vetmja periudhë ku Drita gëzoi lirinë e vetvetes. Periudha kur u dashurua me poetin e njohur Drago Siliqin ishte periudha ku s’pati asnjë detyrim, ndoqi veç jehonën e zemrës. Në latinisht “Lux Brumalis” do të thotë “Drita e Dimrit”. Ashtu në dimrin e luftrave të klasave, në dimrin e frikës së përhershme të biografisë dhe e ruajties së vetvetes nga mentaliteti i kohës, në këtë dimër Drita gjeti dritën prej dashurisë. Drago ishte poet i ri, i talentuar, ai ishte 21 vjeçar student kur zemra ia bëri trak, ndërsa Drita ishte e sapo diplomuar nga matura. Ai energjik, romantik, pasionant, i qeshur, entuziast, por dhe komunist. Ajo e ndrojtur, serioze, e qetë, e rezervuar, por aspak komuniste. E megjithatë, dashuria e gjeti rrjedhën e saj, sepse nëse nga jasht dukeshin të ndryshëm, në bërthamë ata ishin të njëjtë, fitoi mirësia, të cilën e kishin me tepri të dy. Ai as donte t’ia dinte për biografira, për luftë klasash, për inskenime politike, nuk ia bëri syri tërrc, o do ta merrte atë vajzë tiranase, o s’kishte të dytë. I bënin presione të shumta, i thonin se po dënonte veten duke marrë një borgjezkë bolshevike. Ata u dashuruan, u shkolluan sëbashku, u njësuan dhe u shkrinë njëri me tjetrin. Ndërrimi i mbiemrit nga Shundi në Siliqi Dritës do t’i lehtësonte për shumë arsye të vetkuptueshme jetën.

Detyrim i pestë – Dashuria nuk vdes as plaket 
Mbas studimeve në Universitetin e Tiranës për letërsi Drita u lidh në martesë me Drago Siliqin, i cili ishte kthyher nga diplomimi në Rusi. Ai po shkëlqente si poet, ndërsa Drita si mësuese. Me pastërti për punën, me dëshirën për të dhënë kontribute të frytshme dhe me ndërgjegjen e lartë të dy iu dhanë pasioneve duke gjetur balancën midis dashurisë familjare, nga e cila erdhën në jetë dy vajza Darina dhe Laura; dhe detyrimeve të punës. Drita përveç gëzimit të qenurit nënë punoi për shumë vite me radhë si arsimtare, fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në Gjimnazin e Shkodrës, në shkollat e mesme “Petro Nini Luarasi” dhe “Sami Frashëri” të Tiranës dhe me pas si pedagoge në Fakultetin e Histori Filologjisë, Katedra e Letërsisë. Kjo jetë e re bashkshortore familjare për Dritën do të zgjaste vetëm 6 vite. Poeti i dashuruar thellësisht me bashkshorten e tij do të gjente vdekjen tragjike në një aksident ajror të vitit 1963, ishte vetëm 33 vjeç. Nuk ishte e thënë që Dritës mos t’i ndaheshin fatkeqsirat. Ajo e njihte mjaft mirë dhimbjen e humbjes së babait në moshë fare të vogël, kështu u betua se kujtimi i Dragos tek vajzat jo vetëm që s’do të vdiste, por do t’merrte përmasa magjike. Jetime vetëm 7 vjeçare, e ve dhe me 2 jetime për të rritur vetëm 30 vjeçare, detyrimet e Dritës katërcipërisht të vështira. Në 50 vitet që Drita jetoi pa Dragon, ai u ringjall me miliona herë nga sublimiteti i shpirtmadhsisë. Duke cituar poetin Siliqi “dashuria nuk vdes as plaket”

Drita Shundi me bashkshortin, poetin, Drago Siliqi.

Detyrim i gjashtë – Emancipimi i femrës shqiptare

Botkuptimi, larmia, gama, intelektualizmi, njohuria dhe shpirti qelibar i personifikimit të gruas shqiptare tek Drita Shundi-Siliqi bënë që ajo t’i përkushtohet kauzës sociale të emancipimit të femrës shqiptare. Si kryeredaktore për disa vite me rradhë në revistën “Shqiptarja e Re”, periudhë e artë e kësaj reviste, Drita me pikësynimet e qarta që kishte bëri një luftë çklasash. Përdora fjalën “çklasash” sepse patriarkalizmi mbi femrën shqiptare ishte (është) një luftë klasash në vetvete, ku gruaja shqiptare është trajtuar historikisht si dorë e dytë. Të luftoje mentalitetin patriarkal për brezin e Dritës donte guxim. Nga detyra e kryeredaktores do ta hiqnin 6 muaj para pensionit meqë kishte kundërshtuar shoqet komuniste. Akuza qesharake, që nuk bënë kurrë asnjëri të qeshnin veç t’i lëndonin njerëzit si Drita me pa të drejtë. Drita Siliqi filloi të botonte për femra të suksesshme, për të luftuar hamendësimet e gabuara mbi femrën shqiptare me fakte konkrete. E njëjta gjë që po përpiqem të bëj dhe unë duke luftuar hamendësimet e gabuara propagandistike komuniste mbi femrën tiranase. Kështu Drita u mor me studimin e jetës dhe veprës së Dora D’Istrias (Elena Gjika), një punë e palodhur nga ana e saj për të cilën duhet t’i jemi falenderues. Ajo botoi veprën e plotë të Drago Siliqit, duke çuar në fund një amanet të heshtur të shpirtit të saj. E palodhura Drita, zjarri i rinisë nuk u shuajt kurrë tek ajo, s’rreshti kurrë duke dhënë kontribute dhe nga Amerika e largët ku u vendos në vitin 2000. Si pjesë e artë e diasporës ajo përktheu librin “Rinia e një shqiptareje” (viti 2002), botoi librin me studime “Gruaja shqiptare, probleme të gruas në shtypin e rilindjes dhe pavarësisë” (viti 2003), përktheu nga italishtja librat “Seksi i shpërfillur” dhe “Intervistë me historinë” të gazetares dhe publicistes së njohur italiane Oriana Fallaci. Në maj të vitit 1996 Drita shkruan artikullin “Portreti i Muzës Shqiptare”, një shtjellim i saj mbi librin “Sonata e Hënës” të Eglantina Mandisë. Ja sesi shkruan Drita Shundi-Siliqi:

“Musine Kokalari është figura më interesante dhe më tragjike midis shkrimtarëve të viteve ‘30. Më interesante sepse, ndonëse jetoi në një periudhë jo shumë të favorshme për zhvillimin e gruas intelektuale shqiptare, arriti të fitojë, për hir të talentit dhe kulturës së saj, admirimin e shumë dashamirësve e studjuesve të shquar të kulturës dhe kombit shqiptar, siç qe albanologu M. Lambertz. Duke u mbështetur në rrëfime të shoqeve të saj dhe bashkëvuajtëseve, në ditarin intim të vetë Musinesë, të momenteve më tronditëse të jetës, shkrimtarja Mandia, zbulon me mjeshtëri botën e pasur shpirtërore të Musinesë: çiltërsinë prej fëmije, butësinë prej femre, krenarinë dhe forcën e karakterit, cilësi që i dhanë mundësi të përballojë gjithë stuhitë e jetës. Është meritë e Mandisë, që na zbuloi anë shumë të qenësishme të karakterit të saj. Ndonëse një grua në dukje shumë e brishtë, ajo përballoi me një forcë të admirueshme karakteri, të gjitha kobet që i ranë mbi krye, duke ruajtur të papërlyer shpirtin e saj, duke mos bërë asnjë lëshim në rrugën e zgjedhur. Nga lirizmi i frymëzuar, plot dritë i viteve të fëmijërisë, kalohet në analizën e imtë të kërkimeve plot mëdyshje dhe ankthe të heroinës, në përpjekjet e saj për të gjetur të vërtetat e në vitet e universitetit; më tej, në një stil konçiz lakonik, të prerë, ku më tepër flet dokumenti për ato momente vendimtare, ku ajo e cakton pozicionin e saj politik midis atyre, që mendojnë e luftojnë për një Shqipëri demokratike. Dhe në fund, një grua fatkeqe, që më kot u ndesh me trazitë e jetës, në epilogun tragjik të veprës. Për figura aq tragjike e njerëzore si Musine Kokalari, është nder e detyrë të shkruhet. E. Mandia ka meritën ta ketë realizuar këtë peng nderi me frymëzim e dashuri.”

Drita Shundi-Siliqi

Detyrim i shtatë – Mirnjohje

Ky detyrim na takon neve, më shumë se gjithë të tjerëve, pafundësisht neve femrave shqiptare. Detyrimi jonë karshi shkrimtares, publicistes, petagoges Drita Shundi-Siriqi është mbi gjithçka mirnjohja sepse asaj gjithë jetën nuk iu sosën detyrimet dhe dashuria për ne. U përpoq për ne. Ne le të synojmë të ndjekim shembullin e papërlyem të femrave të kalibrit të Dritës. Të përpiqemi “t’i vjedhim” asaj më të mirën që na dhuroi në 80 vite jetë. Ndërsa për ne, femrat tironse, mirnjohja karshi “gocës tonë Drita” është e dyfishtë, si shqiptare dhe si tironse, Drita luftoi për të dya. Luftoi me tabutë komuniste për tabanin tonë, i luftoi me qytetari aristokrate, me ëmbëlsinë e ijeve tona, me modestinë e baballarve tanë. I largoi ligësitë e tyre si me dorë kur fryente flladi i Dajtit. I shtypi intrigat e tyre me pastërtinë e ujit të Selitës. Drita iku, por na ka lënë dy xhevahire si Darina dhe Laura, këtë të fundit gjej rastin ta falenderoj për përkrahjen e saj karshi meje, si dhe që pa lodhje e pa përti më ka treguar historitë e familjes.

Gazetarja e VOA, znj. Laura Konda, vajza e dytë e Dritës.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: